Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të supozuar. Sipas tij, dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni.
Në një shkrim autorial për Istagran, analisti vlerëson se demonstratat masive në Beograd dhe reagimet e frikshme të qeverisë Vuçiq, tregojnë se Serbia mund të jetë në prag të një revolucioni politik, shkruan KosovaPress.
“Pas vitesh të kontrolleve shtrënguese të regjimit, korrupsionit masiv zyrtar, dhe gjuhës së vazhdueshme të urrejtjes mediatike, publiku serb më në fund po zgjohet nga hutimi i tij. Megjithatë, rezultatet e revoltës paqësore publike mbeten të pasigurta dhe mund të përshpejtojnë dhunën si në Serbi ashtu edhe në rajon më gjerë. Regjimet jodemokratike janë në thelb të paqëndrueshme. Regjimet kuazi-autoritare kanë rezultuar të jenë më të brishtat, siç kemi filluar të shohim në Serbi. Demokracitë vërtet pluraliste mund të rrotullojnë partitë dhe liderët, ndërsa sistemet plotësisht autoritare ose totalitare mund të shtypin të gjitha mospajtimet, të paktën për një periudhë të gjatë kohore, siç shohim në Rusi dhe Bjellorusi. Por sistemi gjysmë-autoritar që ende lejon partitë rivale dhe shoqërinë civile të funksionojnë është më i prekshëm ndaj kryengritjeve siç e pamë në Ukrainë përpara reformës demokratike në vitin 2014”, ka shkruar ai.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit ka vlerësuar po ashtu se skenari aktual ose mund të mbetet paqësor ose të kthehet i dhunshëm, në varësi të faktit nëse Vuçiq është i gatshëm të sakrifikojë njerëzit për pushtet.
“Qeveria mund të përpiqet të shtypë dhe të shpërndajë protestat, por nëse ato zgjerohen me kërkesa konkrete politike, mund të ndodhë edhe një skenar i dhunshëm. Kjo bëhet më e mundshme nëse regjimi refuzon të përgatitet për zgjedhje konkurruese dhe ruan mbështetjen e aparatit të sigurisë dhe policisë. Revolta fillimisht paqësore e Ukrainës në shkurt të vitit 2014 u përball me dhunën shtetërore dhe mbi njëqind protestues u vranë nga forcat e sigurisë. Vuçiq tani po përpiqet me dëshpërim të provojë se ai është ende popullor duke organizuar mitingjet e tij masive në një kopje të kohës komuniste kur punëtorët nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të merrnin pjesë. Ai gjithashtu po nxit armiqësi dhe po përpiqet të diskreditojë opozitën demokratike duke pretenduar se ‘shërbimet e huaja të inteligjencës qëndrojnë pas protestave’”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar se tubimet e Vuçiqit mund të bëhen të ngjashme me ato të Millosheviqit në fillim të viteve 1990, ku fjalimet e zemëruara nxitën ndarjet etnike që kontribuan në rënien e dhunshme të Jugosllavisë dhe vrasjet masive të civilëve.
“Në plejadën aktuale rajonale, Vuqiç posedon disa mjete për të provokuar konflikte brenda Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe për të mobilizuar publikun kundër armiqve të huaj të pretenduar. Dhuna e fundit nga bandat e organizuara kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të NATO-s në veri të Kosovës mund të jetë një lajmëtar për një konflikt më të gjerë të krijuar nga Beogradi nëse Vuçiq merr një përgjigje të dobët nga Uashingtoni”, ka thënë Bugajski.
Sipas tij, edhe Moska do të luante një rol në krizën që, siç tha ai, po shpaloset.
“Për zyrtarët rusë revolucionet popullore janë fenomen negativ i imponuar nga shërbimet speciale amerikane. Dhe nëse rezultatet kërcënojnë të kulmojnë me reformat demokratike dhe integrimin perëndimor, atëherë kryengritja paqësore duhet të shuhet në mënyrë që Kremlini të mos humbasë një aleat tjetër. Çdo qeveri që është miqësore me Rusinë, por sfidohet nga opozita e përhapur publike, përshkruhet automatikisht si viktimë e “Perëndimit kolektiv” dhe duhet të ndihmohet për t’u kapur pas pushtetit.
“Ndryshe nga Ukraina, Serbia nuk përballet me një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse për të shtypur demokratizimin dhe integrimin evropian. Megjithatë, shërbimet ruse dhe përfaqësuesit e tyre lokalë, duke përfshirë grupe të ndryshme radikale nacionaliste, mund të organizojnë provokime për të destabilizuar vendin. Kaosi i brendshëm në Serbi dhe konfliktet e armatosura në Kosovë, Bosnjë, dhe Mal të Zi, do të ishin zgjidhja e dytë më e mirë për Kremlinin nëse një regjim miqësor në Beograd rrezikohet të zëvendësohet. Do të ndihmonte gjithashtu në largimin e vëmendjes nga lufta e dështuar në Ukrainë dhe përshkallëzimi i trazirave të brendshme në vetë Rusinë”, ka thënë ai në shkrimin e tij.
Për fund, ai ka shtuar se për të parandaluar një spirale të dhunës rajonale, një mesazh i qartë duhet të dërgohet nga Uashingtoni se ai mbështet aspiratat e popullit serb dhe do të mbrojë plotësisht integritetin e fqinjëve të Serbisë.
“Mbështetja e fortë ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme në Serbi mund të ndihmojë në sigurimin e një qeverie properëndimore që do të ndërpresë lidhjet korruptive të Beogradit me Moskën dhe do të revokojë çdo ambicie rajonale ekspansioniste. Pa një revolucion të suksesshëm demokratik në Serbi, Ballkani do të përballet me perspektivën e përshkallëzimit që nuk mund të de-përshkallëzohet më.”
Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.