Fatmira Nikolli – 25 net të gdhira në sheshin e teatrit. Krahasuar me 2 vite rezistencë janë thërrime. ‘Aleanca’ nuk thyhet. Teatri do shpëtojë”. Ky është postimi i parë i ditës së djeshme në faqen zyrtare të ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit’. Në fotografinë shoqëruese shihen një grup qytetarësh, që e kanë ruajtur teatrin gjatë natës për të 25 net. Ruajtja 24-orëshe nisi para përplasjes fizike mes artistëve dhe policisë, që kishte ardhur të legjitimonte punonjësit që do e zbraznin teatrin. Pas 15 orësh rrethim, policia iku, por imazhi i një shteti kur policë e artistë përplasen, një palë për ta mbrojtur e një palë për ta shembur teatrin, kishte marrë dhenë, duke e krahasuar Shqipërinë me një rast të ngjashëm në Ugandë.
MBRËMJA
Pos ruajtjes me turne 24 orë, ora 19:30 mbledh në sheshin mes dy teatrove dhjëtëra qytetarë. Ka po kaq, në kafenetë përbri të pashqetësuar për “konfliktin” mbi teatrin. Ka qytetarë dhe sehirxhinj, si kudo. Ka aktivizëm dhe drojë, ka drojë dhe frikë, ka militantë të të dyja palëve, e ka edhe qytetarë që munden të shquajnë të drejtën në kauza, ku të përfshirët ose ‘indiferentët’ bëjnë secili kalkulimet e veta. Mbrëmë në sheshin e teatrit, regjisori Edmond Budina tha se, “unë jam një nga grupi i histerikëve që më quajte e që mbrojmë Teatrin Kombëtar. Ne jemi qytetarë që vijmë e mbrojmë. Ky teatër është projektuar për 800 vende. Ka edhe 400 vende tek teatri në anën tjetër. Në këtë kompleks ka 1200 vende. Duan të shkatërrojnë dy teatro me 4 salla. Ju jeni të urtët mafiozë të betonit. Nuk do t’ju lëmë ta bëni, ta shkatërroni”. Regjisori shtoi se, “këta në shesh janë qytetarët e Tiranës, që tërhiqen zvarrë bashkë me mua. T’u vijë turp atyre që përdoren e nuk thonë asnjë fjalë për ne. I lëpihen vetëm pushtetit”. Sipas tij, pyetjes kush do vijë, i përgjigjemi: “Le të vijë Lul Basha, po s’e bëri mirë, e heqim edhe atë. Ky shesh i teatrit ka bërë që të dëgjohet masa. Kryetari i opozitës na ka thirrur për të na marrë mend. Kur e ka bërë kryeministri këtë? Edhe kur i thirri për teatrin, i zboi. Ku është përgjegjësia jote zoti kryeministër që të dalin kryetarët e bashkisë të dënuar”, tha Budina.
Ndërkaq, regjisori tjetër Robert Budina tha se, “qëndresa mendoja se do ishte më e lodhshme, por nuk është. Kemi kuptuar që është me e lehtë se ç’dukej. Ne shohim se ka shumë njerëz si ne. Besojnë në pastërtinë e kësaj kauze”, shtoi ai. Arkitekt Kreshnik Nick Merxhani, i specializuar në çështjet e trashëgimisë kulturore materiale, ka argumentuar ndër çështje të tjera me rëndësi për trashëgiminë në Shqipëri, edhe për Teatrin Kombëtar dhe vlerat e tij të jashtëzakonshme arkitektonike dhe kulturore. Argumenti teknik është ai që ka peshë dhe vlen të diskutohet, por rrethanat kanë treguar se argumente teknike nuk ka. Institucionet shqiptare nuk kanë paraqitur në asnjë moment asnjë dokument zyrtar, asnjë relacion, që të argumentojnë në mënyrë shkencore dhe teknike arsyet së përse nuk restaurohet Teatri Kombëtar. Relacioni, i cili duhet të jetë përpiluar për Teatrin Kombëtar, në momentin që është hequr në 2015-ën nga qendra historike, nuk është bërë asnjëherë publik. “Teatri Kombëtar nuk gjendet në një territor të shkretë”, argumenton Kreshniku. “Ai është pjesë e një qendre historike dhe e ka fituar statusin që në vitin 2000. Është pjesë e një aksi dhe një koncepti urbano-arkitektonik që përfaqëson fazën e parë, një etapë. Është pikërisht teatri, i cili bën kalimin nga një lloj neoklasicizmi, si trajtimi që u është bërë ministrive dhe bashkisë, në atë që do quhej më vonë, ‘Racionalizëm’, ku të tillë kemi: Kolonadën, Universitetin e Arteve, Korpusin Qendror, Kryeministria gjithashtu, brenda asaj linje arkitektonike. Dhe është teatri ai që e vendos, është guri kilometrik që e bën këtë ndarje fazash zhvillimi”.
PO “EKSPERIMENTALI”?
Në gjithë zhurmën e madhe për Teatrin Kombëtar, disa pa dashje e disa qëllimisht, harrojnë Teatrin Eksperimental, edhe ai kombëtar. Gjendet përbri kombëtarit, veçse drejtori i vet, ndryshe nga ai i kombëtarit i ka bërë restaurime e rinovime. Ai nuk ka lagështirë, as myk, ai nuk po bie, nuk ka populit, e megjithatë, kërkohet që të përfshihet në projektin e shembjes/ndërtimit të atij tjetrit. Në të gjitha debatet, “Eksperimentali” thjesht nuk përmendet, si të mos ishte. ‘Aleanca’ shkroi dje se 20 mijë spektatorët e Teatrit ‘Eksperimental’ për qeverinë nuk vlejnë asgjë. “Hapësirën më të mirë, Teatrin Kombëtar, ka vendosur ta mbyllë, tërësisht arbitrarisht dhe hapësirës së Teatrit ‘Eksperimental’, ndoshta më e ndjekura historikisht, një godine të rikonstruktuar me mbi 3 milionë euro, ka vendosur po ashtu t’i vërë kazmën. Por këtu nuk bëhet më fjalë për një godinë, këtu bëhet fjalë t’i vësh kazmën kulturës dhe dëshirës së qytetarëve për të konsumuar kulturë te këto godina, që publiku përfundimisht i do dhe kur i ke shpallur për shembje”, vërejti “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, e cila çmon Teatrin Kombëtar si një trashëgimi kulturore të paçmuar, që ka qenë dëshmitare e historisë së lindjes së Shqipërisë si komb si dhe e krijimtarisë, aftësisë mbijetuese dhe shpirtit të popullit shqiptar.
Më tej, Romina Zace, gazetare shqiptare në median spanjolle “ONDA AZUL RTV Málaga”, ka publikuar një përmbledhje të çështjes së Teatrit Kombëtar përmes një videoje në gjuhën angleze. “Ajo ka radhitur shkeljet e shumta të qeverisë në këtë projekt, nga shkatërrimi i trashëgimisë kulture dhe deri në interesat korruptive që fshihen prapa projektit. Në fund, ajo ka apeluar edhe njëherë tërheqjen e qeverisë nga kjo çmenduri”, shënoi AMT. AMT thotë se, “jemi të angazhuar që ta konservojmë dhe ta restaurojmë Teatrin Kombëtar si një dëshmi e gjallë për vlerën dhe dinjitetin e trashëgimisë sonë artistike dhe historisë sonë kombëtare dhe si një fanar kulturor që sendërton, përkrah dhe mbledh rreth vetes komunitetin vendës”.
Komentet