Nju Jork: Në restorantin “Club A Steak House” që gjendet në mes të Manhatanit, pronari i saj, Bruno Selimaj me familje festoi të mërkurën e kësaj jave, 45-vjetorin e suksesit të tij në Amerikë.
Dhjetra bashkëatdhetarë, anëtarë të familjes së tij, filantropë, biznesmenë të suksesshëm, aktivistë të dalluar, artistë, gazetarë e klientë të tij amerikanë, festuan së bashku këtë jubile suksesi në një takim të organizuar nga Familja Selimaj në 45-vjetorin e suksesit të Bruno Selimaj në Amerikë – themelimit të restaurantit të tij, “Club A Steak House” aty në qendër të Nju Jorkut.
Pronari i restorantit, Bruno Selimaj, “Club A Steak House”
Bruno Selimaj, është një histori suksesi në Amerikë, i emigrantëve të vjetër shqiptarë, pjesës së atyre, shqiptarëve që u larguan nga vendi, për t’i shërbyer atdheut të tyre, nga mërgimi në rrëzimin e sundimit sllavo-komunist dhe në çlirimin e Kosovës. Bruno Selimaj lindi dhe u rrit në një fshat të vogël në kufirin verior shqiptar në trevat shqiptare nën Malin e Zi — Plavë e Guci, ku filloi jetën e tij si fermer i thjeshtë, qysh në fëmijëri. Por, në moshën 18-vjeçare me prindërit e tij, ai nisi një udhëtim për në Amerikë, në kërkim të një jete të re. Jetë të cilën, ashtu si edhe e kishte ëndërruar e gjeti këtu në SHBA. Bruno me të mbërritur në Amerikë, në fillim të viteve 1970, dhe pa asnjë njohuri të gjuhës anglisht, thuhet se ai bindi një mik të ngushtë që t’i siguronte një punë në njërin prej
restoranteve të famshëm të Nju Jorkut. Pasi punoi në disa restorante gjatë disa viteve në Nju Jork dhe pasi mblodhi një shumë parash për hapaje e një restoranti, dhe në proces duke fituar edhe një përvojë në sektorin e kulinarisë, Bruno Selimaj, ishte bërë një nga “kapitenët” e restoranteve më të njohur të Nju Jorkut, duke plotësuar nevojat e klientëve — në restorante të tilla
të famëshme – edhe yjeve të Holivudit si Sofia Loren, Elizabeth Taylor dhe Telly Savalis, ndër të tjerë.
Disa pjesëmarrës aktivistë të vjetër të komunitetit Ilir Rusi, Fadil Berisha, Avni Mustafaj, Agim Rexha, Lumi Hadri, Afërdita Boga dhe Viki Shkreli
Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe ish- drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
Autori me disa kolegë në atë pritje, nga e djathta aktivistët e njohur të komunitetit, Richard Lukaj, Harry Bajraktari e Cafo Boga
Në pritjen (4 tetor) me rastin e 45-vjetorit të Restorantit të biznismenit dhe aktivistit shqiptaro-amerikan, Bruno Selimaj në Manhattan të Nju Jorkut. Restoranti i tij ka shërbyer edhe si qendër takimesh dhe bisedimesh të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me zyrtarët më të lartë amerikanë, por jo vetëm, gjatë luftës në Kosovë por edhe më vonë.
Restoranti ishte gjithashtu edhe qendër për mbledhje fondesh për lobim dhe për ndihma për Kosovën gjatë asaj periudhe të vështirë për Kosovën dhe për shqiptarët anë embanë trojeve të veta në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1980-90-ave. Të ftuar ishin shumë prej pjesëmarrësve shqiptaro-amerikanë, aktivistë të çeshtjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, të cilët atë mbrëmje tepër miqësore shqiptare, kujtuan ato takime të dekadave më parë, dhe atë periudhë të artë për angazhimin historik të komunitetit shqiptaro-amerikan, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Të pranishëm ishin edhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Nju Jork.