LONDËR – Qeveria e Britanisë së Madhe ka shqiptuar një ndalesë udhëtimi për në Kampionatin Botëror në Rusi që fillon nesër, edhe për 1200 huliganë tjerë.
Qeveria britanike bën të ditur se një operacion i përbashkët i Home Ofisit dhe policisë në Angli dhe Uells, rezultoi me sekuestrimin e 1.254 pasaportave, pasi paraprakisht urdhëroi 1.312 individë të pezulluar, të dorëzojnë pasaportat e tyre në polici.
“Autoriteti për shqiptimin e ndalesave në futboll, FBOA dhe policia do të vazhdojnë veprimet për të sekuestruar numrin e vogël të pasaportave që nuk janë marrë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Pasaportat e huliganëve të njohur do të mbahen në polici deri në ndeshjen finale të Kampionatit Botëror, më 15 korrik.
“Kampionati Botëror është një festival i futbollit dhe si i tillë nuk ka vend për dhunë dhe çrregullime”, tha ministri për Polici dhe Shërbim Zjarrfikës, Nick Hurd.
“Sistemi britanik për ndalesë në futboll është i vetmi i këtij lloji dhe nënkupton se njerëzit që synojnë të shkaktojnë probleme në Rusi, do të detyrohen të qëndrojnë në vend”, tha Hurd.
Që nga fillimi i zbatimit të ndalesës në futboll, në vitin 2000, arrestimet e lidhura me futbollin kanë rënë në nivelin e ulët rekord të të gjitha kohërave.
Ndalesat e tilla shqiptohen nga gjykata dhe mund të zgjasin për 10 vjet.
Shkelja e urdhrit, trajtohet si vepër penale dhe mund të rezultojë me një gjobë prej 5.000 sterlina dhe gjashtë muaj burg.
Komentet