LONDËR — Britania votoi në favor të largimit nga Bashkimi Evropian, ndërsa kryeministri britanik Davod Cameron tha se do të largohet nga posti, meqë vendit i duhet një udhëheqje e re përballë situatës së krijuar.
Ai tha se pret që në muajin tetor Britania të ketë kryeministrin e ri.
Udhëheqësi i fushatës për largimin nga BE-ja, Nigel Farage, tha se 23 qershori do të hyjë në historinë e Britanisë si “Dita e Pavarësisë”. Ai i bëri thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen.
Votimet hapën një periudhë gati dyvjeçare të ndarjes nga BE-ja, 43 vjet pasi Britania e Madhe u bashkua me vendet që përbënin bashkimin më të madh të shteteve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri David Cameron pritet që formalisht t’u raportojë kolegëve të tij evropianë në ditët e ardhshme dhe të përgatisë negociatat e largimit.
Pasiguria që pason daljen nga BE-ja bëri që paundi britanik të luhatej shumë dhe gjatë natës ai ra më shumë se 5 për qind, ndërsa rezultatet tronditën tregjet ndërkombëtare.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se rezultati i referendumit është një “moment politik shumë serioz madje dramatik”. Por, ai tha se ka një përkushtim për të ruajtur unitetin e 27 vendeve të BE-së.
“Për neve, bashkimi është korniza e ardhmërisë së përbashkët”, tha presidenti Tusk.

Reagimi i mbështetësve të qëndrimit në BE pas numërimit të votave
Komentet