Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do ta shpallë grupin mercenar rus, Wagner, organizatë të ndaluar terroriste. Autoritetet thanë se ky grup mbetet kërcënim global edhe pas vdekjes së liderit të tij, Yevgeny Prigozhin.
Qeveria britanike tha se një urdhër do të dërgohet në Parlament për të shpallur Wagner-in organizatë terroriste në bazë të Aktit të Terrorizmit.
Ky cilësim, sapo të miratohet nga ligjvënësit, do të ndalojë anëtarësimin apo mbështetjen për Wagner-in, grupin që ka luajtur një rol të madh në luftime gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Wagner po ashtu ka operuar në Siri dhe në disa shtete të tjera afrikane.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, tha se Wagner “është përfshirë në grabitje, torturë dhe në vrasje barbare. Operacionet e tij në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe Afrikë janë kërcënim për sigurinë globale”.
“Ata janë terroristë dhe ky urdhër ndalimi është i qartë sipas ligjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
Ndalesa do të lejojë autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar që të konfiskojnë asetet e organizatës edhe pse kjo fuqi duket se është simbolike, pasi nuk ka të dhëna se Wagner operon në Britani.
Njoftimi i Qeverisë britanike vjen pasi në korrik Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit rekomandoi që Wagner të ndalohej. Ky komitet tha se autoritetet britanike kanë “nënvlerësuar dhe kanë minimizuar” kërcënimin që paraqet ky grip mercenar.
Komiteti tha po ashtu se e ardhmja e Wagner-it është e paqartë pas rebelimit jetëshkurtër të Prigozhinit ndaj ushtrisë ruse në qershor.
Dy muaj pas rebelimit të qershorit, Priogozhin u raportua se vdiq nga rrëzimi i një avioni më 23 gusht. Sipas vlerësimeve preliminare të inteligjencës amerikane, avioni u rrëzua nga një shpërthim i qëllimshëm. Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, ka mohuar çdo përfshirje.rel