Më 28 qershor, pas dy muajsh e gjysmë, banorët e fshatit të vogël alpin zviceran Brienz (Brinc), i kantonit Graubynden, u lejuan përfundimisht të rikthehen në shtëpitë e tyre prej nga ishin larguar më 12 maj.
Megjithatë fshatarët do të flenë vetëm me një sy, sepse një evakuim tjetër mund të ndodhë nëse gjendja përkeqësohet sërish. Syri tjetër do të jetë i hapur për të ndjekur me vëmendje në veri, ku mali ka zbritur deri pranë shtëpive. Nuk do të flenë, natyrisht, as autoritetet zvicerane që e ndjekin situatën nga lart, me anë të helikopterëve, si dhe nga poshtë në terren, nga ekspertët gjeologjikë. As mediat zvicerane nuk do të mbyllin sytë, ato do të vazhdojnë pasqyrimin e parreshtur, siç kanë bërë përditë gjatë këtyre muajve të vitit 2023, siç kanë bërë shpesh e më shpesh gjashtë vitet e fundit, që nga qershori i vitit 2017, kur Brienz thirrej “një fshat që po rrëshqet” dhe jepej alarmi se mali në veri të tij, kishte filluar të plasaritej dhe ana e tij jugore po zhvendosej, po zhgalitej drejt qendrës së vogël të banuar.
Fshati Brienz
Më 16 qershor mali do të ndërmerrte sfidën e rrallë jo vetëm ndaj 84 banorëve të Brienzit, por edhe ndaj vetë Zvicrës, vendit që, si askush tjetër, dallohet jo vetëm për respektimin shembullor të paprekshmërisë së natyrës, jo vetëm për vënien e shtetit dhe të njeriut në shërbim të natyrës, por edhe për zbutjen e saj dhe vënien e saj në shërbim të shtetit, të qytetarëve të tij, banorëve të tij dhe miliona e miliona vizitorëve nga gjithë bota, admirues të tij. Dhe kjo veçanti e kësaj kryeneçësie natyrore, kësaj sfide të verbër, nuk lihej gati asnjëherë pa u përmendur në të gjitha pasqyrimet mediatike, gjithnjë e më dendur. Dhe vetë paniku i zbutur në drojë, vetë droja e zbutur në kureshtje, dita-ditës ia linte vendin e parë çdo hollësie tjetër që lidhej me fatin e fshatit të vogël alpin.
Vendimi për t’u rikthyer banorët u muar pasi gjeologët veirifikuan terrenin. Në praninë e gazetarëve, gjeologu Daniel Albertini, pranoi se ishte i mahnitur nga masa e madhe shkëmbore e rrëzuar deri në afërsi të fshatit. Kryetari i komunës së Albulas, ku përfshihet Brienz, njoftoi se po krijoheshin kushtet që banorët të qëndrojnë këtu jo vetëm ditën. Gjeologu Stefan Schneider siguroi se masa shkëmbore, e cila llogaritet në 2 deri 4 milionë metër kubë madhësi, do të jetë gjithnjë e vrojtuar me shumë kujdes nga afër.
Zhvillimi vendimtar për fatin e Brienzit do të ndodhte pikërisht në natën e 15-16 qershorit, kur 1,2 milionë metër kubë shkëmbinj ranë deri në afërsi të fshatit. Droni i Institutit Zviceran të Studimit të Orteqeve dhe Shembjeve konstatoi se kjo zhvendosje shkëmbore ka krijuar një gropë të thellë rreth 50 metra. Kjo ishte pjesa më e lëvizshme e masës shkëmbore, kështu që gjendja e alarmit kalonte nga e kuqe në të portokallinjtë.
Është hera e dytë në histori që Brienzi përballet me një katastrofë natyrore. Më 1874 u shkatërrua krejtësisht nga rënia e zjarrit. Fshati u rindërtua nga themeli përsëri. Harmonia dhe paqja mes natyrës dhe fshatit të vogël me pak banorë nuk u ndërpre.
Nëse, një shekull e gjysmë më vonë, do të ndodhte më e frikshmja, vërshimi i malit mbi shtëpitë, atëherë kjo herë e dytë do të ishte katastrofale, Brienzi nuk do të mbijetonte dot.
16 qershori është quajtur “dita fatlume e Brienzit”. Asnjë nga ekspertët nuk iu kanë besuar syve, kur “ishulli” i gurtë është ndalur në rrëzë të malit dhe nuk ka zbritur deri tek shtëpitë. Në mëngjes janë kryer disa fluturime me helikopterë për të konstatuar nga afër gjendjen reale të terrenit. Në rrugën që e lidh Brienzin me qendrat fqinje të banuara, lartësia e masës së gurëve ishte deri në 15 metra. Dëshmitarët kanë parë pishat të rrëzoheshin si fije shkrepsesh dhe një stan në livadhet alpine që u fundos poshtë stihisë shkëmbore.
Brienz pas shembjes së malit
Rasti i Brienzit ka bërë që autoritetet lokale dhe qendrore, si dhe ekspertët përkatës, të ndërmarrin studime më të thelluara gjatë këtyre muajve të urgjencës jo vetëm në Brienz dhe në zonat përqark, por edhe në zona të tjera ku mund të parashikohen paqëndrueshmëri të terreneve malore. Zëdhënësi i fshatit, Christian Gartmann, ndërkohë i ka mbajtur të informuar mediat dhe publikun me të gjitha risitë e përditshme përballë sfidës natyrore. Gjendja e alarmit ndaj dukurive të tilla shënohet kur lëviz të paktën një masë 100 metërkubëshe. Ndërsa në rastin e tillë kjo masë është milionëshe. Aktiviteti i malit ndodhi në një periudhë kur puna e fshatarëve në bujqësi është e intensifikuar. Nga 12 maji, kur u bë evakuimi i banorëve, ata vinin në tokat e tyre vetëm me orar të përcaktuar ditor dhe gjithnjë nën mbikqyrje. Gjatë kësaj periudhe ishte ndërprerë edhe transporti publik (autobusët dhe trenat) në të gjithë zonën. Prania e policisë dhe e reparteve të shpëtimit ishte e përhershme. U ndërpre në një segment 150 kilometra edhe itinerari i garës zvicerane të çiklizmit, Tour de Suisse.
Emri i këtij fshati, i quajtur Brinzalus, Brienz gjermanisht dhe Brienzola italisht, u shfaq për herë të parë më 1840. Ndodhet në luginën e Albulës, në bregun e saj të djathtë. Është 26 kilometra larg qytetit Kur (qendrës së kantonit Graubynden), 31 kilometra nga Davosi dhe 52 kilometra nga Shën Morici, dy qendra zvicerane turistike me famë botërore. Mali mbi fshat ka lartësinë 2 906 metra mbi nivelin e detit. Fshati u themelua si post i përparuar i ushtarakëve romakë. Banorët janë marrë gjithmonë me mbarështrimin e deleve. Tradicionalisht kanë përfituar financiarisht edhe nga taksat e mbledhura për kalimin e udhëtarëve dhe mallrave në luginën e Albulës.
Regjistrimi i parë i popullsisë u bë më 1808. Atëherë fshati kishte 111 banorë. Më 1850 – 191 banorë. Më 1860 – 205 (numri më i lartë i popullsisë). Më 1880 – 146. Më 1900- 158. Më 1941- 186. Më 1950 – 172. Më 1980 95. Më 1990 – 112. Më 2000 – 117. Prej 1 janarit 2015 është bashkuar me vendbanimet Alvaneu, Alvaschein, Mon, Stierva, Surava dhe Tiefencastel për të formuar komunën e re të Albulas. Stacioni më i afërt hekurudhor është 5 kilometra larg, ndërsa autostrada është 15 kilometra larg.
Rrënojat e Kështjellës së Belfortit
Në fshat ndodhen rrënojat e kështjellës Belfort, Kisha Katolike San Callisto, e dëshmuar rreth vitit 840. Rreth 32 për qind e banorëve flet dialektin e vjetër romanç. Të tjerët flasin gjermanisht. Të gjithë vendasit kanë të drejtë dhe përgjegjësi të barbartë për të ruajtur dhe mirëmbajtur trashëgiminë kulturore materiale të fshatit.
Në maj të vitit 2017 u vu re me shqetësim se plasaritja e shpatit jugor të malit, e cila deri atëherë lëvizte një metër në vit, kishte filluar të lëvizte gjashtë metër në vit. U propozuan shumë projekte për ta parandaluar shembjen, për ta frenuar atë apo për ta shmangur trajektoren e saj, bazuar në raste të qendrave të tjera të banimit në kanton apo në vend të kanosura nga rreziqe të tilla. Asnjëri nuk përshtatej me rastin që po ndodhte. Prej atëherë janë gjithnjë më të shpeshtë, më ngulmues dhe alarmantë kryetituj të tillë mediatikë si “Brienz, një fshat mbi një terren që rrëshqet”, “Një fshat që rrëshqet në luginë”, “Një masë 100 tonëshe rrokulliset drejt Brienz”, “Fati i trishtuar i Brienzit”, “Brienz rrëshqet më me nxitim”, “Brienz- mali lëviz me 8 metra, përgatitet evakuimi”, “Mbyllen rrugët kantonale”, “Mali e kërcënon Brienzin”, “No fly zona mbi Brienz” (asnjë fluturim poshtë kuotës 3000 metra lartësi), “Brienz, fshati fantazmë”, “Brienz, një dritë, shenja e fundit e jetës”, “Brienz, banorët mbështeten psikologjikisht”, “Brienz, vrojtim kapilar në terren”. Janë po aq të shpeshta lajmet ku njoftohen fondet e propozuara nga kantoni dhe të miratuara nga qeveria federale për të mbështetur financiarisht Brienzin, po ashtu qarkullojnë shifrat mbi dëmet financiare që shkakton rrëshqitja e malit.
Prishja e përkohshme e paqes me malin në veri të fshatit, përveç dëmeve sidomos të natyrës psikologjike, ka pasur anën tjetër, të kundërt. Te ky fshat është përqëndruar vëmendja e pareshtur e mediave dhe e faktorëve shtetërorë e lokalë, gjithashtu vëmendja e turistëve zviceranë e të huaj. Këto ditë grupe nxënësish nga anë të ndryshme të Zvicrës nuk kanë munguar, me kureshtjen për të parë me sytë e tyre fshatarët dhe për të shkelur me këmbët e tyre këtë qendër banimi dhe adresë turistike të cilën desh ua mori katastrofa natyrore që mban emrin e malit pranë. Gjithsesi, kësaj here në mbijetesë fatlume.