Në një pellg të rrethuar me bimësi të gjelbërt dhe ujëra të qetë e kristalorë, kishte shumë bretkosa që bënin një jetë të shfrenuar, pa ndonjë rend apo rregull. Ato argëtoheshin shumë, por secila u sillej sipas dëshirave të veta ekskluzive pa asnjë respekt për njëra-tjetrin.
Një ditë të bukur, të lodhur dhe të neveritur nga anarkia që lindi nga mungesa e një mbreti për t’i qeverisur, bretkosat vendosën të shkonin te Zeusi i madh, i cili do të dërgonte një sovran në pellgun e tyre. Zeusi donte t’i kënaqte ato dhe hodhi një copë druri në ujë, i cili ndërsa ra, bëri një zhurmë të bezdisshme dhe të frikshme me shumë spërkatje dhe stërkitje përreth.
Bretkosat, të tmerruara, u strehuan në fund të pellgut, u fshehën në baltë dhe pritën… kush e di se çfarë do të ndodhë tani, menduan ato, me këtë dru lundrues në kokat tona. Por pritën sa pritën dhe asgjë nuk ndodhi, druri ishte ende aty pa lëvizur dhe i heshtur.
Pastaj, ato morën guxim dhe u ngjitën në sipërfaqen e ujit. Në fillim, ishin të frikësuara dhe të ndrojtura, por pas pak, bretkosat u trimëruan dhe filluan të tallen me drurin. Prapë nuk ndodhi asgjë, dhe më pas, të zhgënjyera, ato filluan të hidhen sipër drurit dhe gjithë inat e ndotën atë në shenjë të përbuzjes së tyre të madhe.
Pastaj ato shkuan përsëri në Zeus për t’u ankuar.
“Ky mbret nuk bën asgjë dhe nuk na thotë asgjë, madje edhe kur e tallim dhe e ndotim, po çfarë mbret është ai? Ne ju lutemi, Zeus suprem, na dërgoni një mbret tjetër më aktiv, ky nuk është gjë tjetër veçse një kurrkush dhe një dembel!”
Pastaj, Zeusi u zemërua dhe dërgoi një gjarpër të pangopur dhe të egër në pellg i cili menjëherë filloi të hante një tufë bretkosash. Bretkosat e dëshpëruara dërguan një ambasador te Zeusi, për të kërkuar që t’i lirojë nga gjarpri grabitqar, por Ati i perëndive u tha atyre që, duke mos duruar të mirën, drurin, tani u duhej ta duronin gjarprin.
Morali: është më mirë të kesh sundimtarë të ngathët por jo të këqij, sesa energjikë dhe të ligj./Skënder Buçpapaj
Komentet