Dy turiste të huaja kanë humbur jetën në shtegun Valbonë-Theth në veri të Shqipërisë, ndërsa një turist holandez është zhdukur në kanionet e lumit Osum, në jug të vendit.
Policia e Komisariatit të Tropojës bëri të ditur se është njoftuar pasditen e së martës (9 maj) se dy turistet, njëra me shtetësi belge, dhe tjetra franceze, kanë qenë duke eksploruar zonën e Valbonës, ku janë rrëzuar, për shkak të terrenit të thepisur, por edhe motit të lig.
Ekipet e kërkimit kanë gjetur trupat e pajetë në zonën e quajtur “Qafa e Valbonës” në një zonë me terren të vështirë, ndërsa problem për ta kanë qenë kushtet atmosferike.
Në ndihmë të tyre, për të nxjerrë trupat e pajetë, ka shkuar edhe skuadra alpine e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.
Nxjerrja e tyre ka qenë e pamundur, pasi moti i lig nuk e ka mundësuar as uljen e helikopterit, në zonën ku janë gjetur turistet.
Ato nuk kanë qenë të shoqëruara me guidë, apo persona që e njohin zonën malore.
Ndërkaq, një ditë më parë, në jug të Shqipërisë, në zonën e Skraparit, në kanionet e lumit Osum, është rrëmbyer nga rrjedha e ujit një turist holandez. Ai ka qenë duke eksploruar zonën, së bashku me bashkëshorten e tij, kur janë rrëmbyer nga uji.
Bashkëshortja e tij u gjet nga një grup turistësh që po vizitonin kanionet dhe u dërgua në spital, dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa 68-vjeçari nuk është gjetur ende, edhe pse polumbarët po vijojnë kërkimet në lumin Osum.
Edhe çifti i turistëve holandezë nuk ishte i shoqëruar nga ndonjë guidë turistike.