Këngëtari Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës në Korçë, duke hapur koncertin me këngën në gjuhën shqipe “Kosovska” (e Kosovës) të bendit “Bijelo Dugme” dhe duke e përfunduar me këngën “Kallashnikov”, këngë që cilësohet se “zgjoi nacionalizmin serb”.
Në fillim të koncertit, që u organizua nga Bashkia e Korçës, persona të panjohur hodhën gaz lotsjellës.
Megjithatë, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë, që raportoi nga Korça, tymi u shpërnda shumë shpejt dhe koncerti nuk u ndal.
Jozyrtarisht mësohet se disa persona janë shoqëruar në polici.
Para koncertit, disa rrugë të qytetit të Korçës u bllokuan dhe forca të shumta policore rrethuan perimetrin e zonës ku po zhvillohet organizimi për të ruajtur rendin publik.
Pjesëmarrja e këngëtarit Bregoviq në këtë koncert është kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.
Këto kundërshtime u bënë nën pretendimin se këngët e tij zgjuan nacionalizëm serb dhe nxitën ushtarët serbë të shkaktojnë masakra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Atmosfera para nisjes së këtij koncerti në Korçë ishte e qetë.
Fluturije Cenolli, banore e Korçës nuk i kupton kundërshtimet në lidhje me pjesëmarrjen e Bregoviqit pasi thotë se “kënga është më e mirë sesa lufta”.
“Këngë do të këndojë dhe do të iki, s’ do të bëjë luftë”, tha ajo.
Në anën tjetër, vendimi i organizatorëve që hyrja në koncert të bëhet me bileta që kushtojnë 1000 lekë i është dukur e padrejtë korçarit, Denis Guri.
“Nuk kam qenë ditëve të tjera e jo sot që është me lekë”, tha ai.
Ndërkaq koncertin dhe atmosferën e 22 gushtit e mirëpriti një qytetar që kishte shkuar atje nga Burreli.
“Nuk i prish punë shtetit shqiptar apo kosovar Goran Bregoviqi”, tha Basir Salaj.
Festa e Birrës në Korçë ka nisur më 18 gusht dhe përfundon të dielën më 22 gusht.
Disa këngëtarë shqiptarë dhe sponsorë të këtij organizimi u tërhoqën nga pjesëmarrja ditëve të kaluara në vazhdën e kundërshtimeve lidhur me pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit.
Kush është Goran Bregoviq?
Goran Bregoviq, u lind në Sarajevë në vitin 1950.
Babai i tij ishte kroat dhe nëna serbe, kurse gruaja e tij është boshnjake.
Ai është një muzikant dhe ish-frontman i grupit “Bijelo Dugme”, një nga grupet më të njohura të rokut në ish-Jugosllavi.
Bregoviq vetë nuk është shprehur publikisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi.
“Qëndrimi neutral” thonë se ishte arsyeja për të cilin publiku e dënon.
Komentet