-E hëngri pema shokun Meleq!- thuhej aso kohe në qytet për drejtorin e komunales.
-Si e hëngri?
-E hëngri pema. Bredhi i Viti të ri . Kishte dhëmbë!….
-Kishte dhëmbë?!…
Dhe kështu me këtë legjendë urbane mbuluar, shokun Meleq një ditë e shkarkuan nga kreu i ndëmarrjes. Madje, pas nisjes së mbledhjeve në të dy komitetet, atë Ekzekutiv dhe atë të Partisë, rrokullima, vijoi edhe më tej në mungesë të përgjigjes: Thellou! Kush të shtyu ta thoshe këtë gjë?.Për udhëheqësin e Lartë? Furia kundër tij rreshti disi kur e transferuan në një kooperativë. Sipas termave të kohës, biçim qarkullimi në bazë. Të ngratit Meleq, nuk piu ujë as numri i anëtarëve të Partisë që kishte në farë e fis dhe asfare, sakrificat që kishte bërë për vite të tëra si një bir i denjë i Partisë. Porosia: Të mbyllet me kaq!
Shoku Meleq kishte vënë dorën në zemër dhe falënderoi Partinë që ia kishte dhënë edhe njëherë dorën për gabimin që kishte bërë, atë të mallkuar togfjalësh që kishte lëshuar nga goja pa u thelluar, por që merrej sikur kishte bërë ‘pis’ në publik (larg qoftë!) shokun Kryeministër!. Ku e kishte mendjen? Për laraska?
Por njerëzia, nën zë, ende e përmendnin rastin e Meleqit kur afrohej atmosfera e Viti të Ri, ( se, Krishtlindjet as që bëhej fjalë të prmendeshin atëbotë në vendin e shpallur si i vetmi shtet ateist në botë.‘Feneri ndriçues i Marksizëm-Leninizmit’).
Po emri i shokut Meleq vazhdonte të tirrej nga njerëzia e qytetit. Ca me zë ,e ca, nën zë. Shokun Meleq e hëngri bredhi i festës.Të tjerë, këtë e risillnin në biseda në kafene, në radhë te dyqanet, kudo.’ Ej babam, bëj kujdes me fjalën se do të të gjejë si shokun Meleq që e hëngri bredhi me dhëmbë!’
***
Kur fleta e muajit nëntor grisej nga kaledari i murit, shokët e komunales duhet ta kishin nisur dekorin festiv të ndërrimit te viteve. Atmosfera festive duhej të ndjehej jo vetëm në qytet po edhe në çdo fshat sipas mundësive.
Ne qytetin e Dervenit, në fillim të dhjetorit atë botë, ishte ndezur një atmosferë festive që lexohej lehtë jo vetëm te shenjat me pambuk dhe zbukurimet me letrat me ngjyra të punëdoreve të vendosur nga nxënësit në klasat e shkollës, por më së shumti edhe në vitrinat e dyqaneve dhe MAPO-n e madhe ku tregtoheshin artikuj ushqimore dhe fruta perime. Në MAPO në qendër të qytetit, fiks në sallonin e madh midis njësive të tregtinit llamburiste festa me nje pemën e vogël të bredhit ngarkuar me larmi xhinglash, ‘borë’ e globe llamburitës. Në rrugë dhe mjedise të tjera publike, ato ditë dëgjoheshin dendur togfjalëshat festive: Mishi i festave. Mollët e festave…
Për fëmijët dhe prindërit e tyre, ato ditë, e para ishte kinkaleria e Ftikos, mbushur me lodra të reja për festën dhe llamburitjet me dritëza xixëllonje në çdo dritare e cep të kinkalerisë në bulevardin kryesor.
Por arkitektët e këtij gëzimi fëminor dhe të kësaj atmosfere në qytet ishin pak zyra në ndërrmarrjen e tregtisë dhe veçmas, në atë të komunales.
Në zyrën e madhe të drejtorit të komunales të gjithë shefat e sektorëve, brigadierët, specialistët e dekorit, elektriçistët e të tjerë ‘ofiqarë’, kishin rrethuar drejtorin Meleq dhe e shihnin gjithë sy e vesh si gjeneralët Napoleonin para fillimit të betejës së re. Po raportohej një nga një. Ku jemi me këtë? Po me ndriçimin festiv? Po me dekorin e parullave me drita e neone? Ajo që e shqetësonte më tepër shokun drejtor ishte vonesa në prerjen ne mal dhe sjelljen në qytet të bredhit tradicional të Vitit të Ri.
-Pa bredhin, Festa mungon!-bërtiti papritur shoku Meleq dhe në sallë, sikur ra bomba dhe të gjithë i pushtoi heshtja.
-Tamam. Përgatitjet po ecën mirë por mua, më kujton atë fjalën e moçme. Bëjmë dasëm por na mungon nusja: pema e Vitit të Ri! Bredhi!-tha Roko, shefi i sektorit të pastrimit, një veteran lufte i cili numëronte ditët e fundit para daljes në pension.
Në sallë u vendos sërish një heshjte e rëndë që i preu raportimet si me thike.Të gjithë shikonin kush shkarazi, kush drejtpërdrejt nga shoku Meleq. Por qetësia nuk zgjati shumë kur u dëgjua zilja e fortë e telefonit të kuq mbi tavolinën e drejtorit që të kujtonte zilen e fortë të shkollës kur lajmëron nisjen e mësimit
Dora e Meleqit u zgjat drejt receptorit. Dhjetra sy po ndiqnin me kërshëri. Ashtu i ulur, drejtori tha rëndë-rëndë:
-Urdhërooo! Kush je??
Nuk kaluan as dhjetë sekonda dhe ai u zverdh e u bë ftua.U ngrit vrik në këmbë dhe tha me zërin që i dridhej:
-Urdhëroni, shoku Mehmet! Urdhëroni shoku Kryministër!
U vilanis si ta kish zënë rryma elektrike.
Në sallë ra përsëri bomba por kjo, më e madhe. Të pranishmit komunikonin vetëm me shenja: Shëët! Kryeministri! Të piu e zeza, po mos fol!
Hija e rëndë e Kryeministrit pushtoi krejt sallën dhe iu përhit gjithkujt se tashmë ai kishte hyrë dhe ishte midis tyre me fytyrën e vrerosur.
-Po, shoku Kryeministër. Siurdhëron!… Për pemën e Viti të Ri jemi gati, pothuaj, sot….
Dhjetra sy e veshë pipëz, ishin përpirë nga bisedë e papritur e drejtorit me Kryeministrin e vendit.
-Shëëëëët! Shëëëëët! – U dëgjua spikama e shurdhët në sallë. Nuk ishte e lehtë. Hija e rëndë e kryeministrit vijonte të ishte e nderë tani, gjatë e gjerë në çdo cep të sallës duke hyrë edhe në skutat e shpirtit të çdo raportuesi dhe të pranishmi. Në këtë qetësi reanimacioni tani mund të dëgjoje vetëm fluturimin e mizës që lëvizte në atë ajër të rëndë dhe të mallkuar nga hija e të Madhit më të ashpër e më hijerëndë që kishte njohur regjimi i kohës.
Befas, si të kish shkelur dikush një sustë te padukshme, drejtor Meleqi kërceu në këmbë, i vuri dorën pjesës së poshtme të receporit të kuq të telefonit dhe shikoi i tmerruar nga pjesëmarrësit duke vënë mbi buzë shenjën e gishtit tregues. Domethënë, as miza mos të dëgjohet!
-Po, shoku Kryeminister! Gati jemi për pemën e Viti të Ri, sot….
Të gjithë, sy e veshë ishin ngrirë e përpirë nga biseda e drejtorit me Kryeministrin e vendit.
Por befas, krejt papritur, drejtor Meleqi klithi duke e ngritur zërin tre oktavë më lart, krejt ndryshe nga përulësia prej skllavi deri atë grimë kohe.
-Urdhëroooo?! Të dërgojmë njeri dhe makinë për të tërhequr bredhin e Vitit të Ri të qytetit nga kooperativa juaj e Luaaaaa-dhit?! Aaaaaa!!?… Po kush jeni juve edhe një herë? Mehmet Sheehuuu? Përgjegjësi i sektorit në kooperatiiii-vë:??…..Aaaaaaah??…
Drejtori e përlasi receptorin me forcë mbi tavolinë. Mbi çehren e tij si ftoi në tetor, bulëzoi djersë. Pastaj u ul dhe sërish u ngrit vrik në këmbë me sytë e ngulur si shigjetë mbi telefonin e kuq si mbi një sasi eksplozivi gati për plasje mbi skrivaninë e punës.
Bëri dy çapa nga skrivania dhe duke iu drejtuar telefonit të hapur me zërin që ende dëgjohej nga krahu tjetër, i dridhur si ajo purteka në ujin e lumit të vrullshëm, përsëriri:
-Mehmet Sheeehuu???? Kështu e ke eem-rin?… Mehmet Muuuti, thuaj! Mehmet Muuuti!! … Po, ndryshoje more shok! Po ndryshoje atë emër, të kam rixha, Ndryshoje!.Ndryshoje, more njeri! Ndryshoje, se na bëre për operim në zemër !-dhe ra brom mbi karrike si një lëmsh prej kocke dhe mishi.
Njerëzia e sallës si të kishin qenë të lidhur me litar, me tapa në gojë e gryke, nisi zhurmërimin.
-Një kanë me ujë! Shpejt!Tundu!-u dëgjua në sallë.
Nga zëri, ishte Roko Corrodoli, shefi i sektorit të pastrimit.///
—-o0o—-