Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka hartuar një rregullore përmes së cilës obligon bankat në Kosovë që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankarë.
Banka Qendrore e Kosovës u ka shpërndarë një rregullore të re bankave në vend, me të cilën detyrohen që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankarë.
Në bazë të kësaj rregullore e cila hyn në fuqi më 1 gusht të këtij viti, klientëve të bankave u ofrohet ky shërbim pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
“Shërbime mund të kryhen nëse hapni një llogari të pagesës me shërbime bazike: – shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e në llogarie pagese; – shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; – shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; Si dhe ekzekutimi i transaksioneve të mëposhtme të pagesave: -debitimi direkt; – transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; – transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës, ose përmes platformave online”
Qasja në llogaritë e pagesave me shërbime bazike duhet të sigurohet nga bankat për konsumatorët.
“Qasja në llogaritë e pagesave me shërbime bazike duhet të sigurohet nga bankat për konsumatorët, pavarësisht nga rrethanat financiare të konsumatorëve, të tilla si statusi i punësimit të tyre, niveli i të ardhurave, historia e kredisë ose falimentimi”, thuhet në rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, e kanë të rregulluar këtë çështje. Shqipëria e ka të rregulluar me ligj këtë çështje.
Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.
Rregullorja e hartuar nga BQK-ja do të hyjë në fuqi me 1 gusht 2023.
Rregullorja specifikon se cilat shërbime mund të kryhen nëse hapni një llogari të pagesës me shërbime bazike: – shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e në llogarie pagese; – shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; – shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje.
Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.
Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.
Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%./Monitor