Vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!
Viti 2023, që sapo e lamë pas, ishte një tjetër vit i ndërlikuar në luftë, më shumë se viti paraardhës. Shpresat tona nuk u realizuan, urimet dhe lutjet tona nuk u dëgjuan, lufta është në kontinentin tonë, kërcënimet e luftës janë gjithnjë më pranë rajonit tonë, i njohur botërisht si fuçi baroti.
Nuk e patëm të vështirë të ndahemi nga viti 2023 pikërisht se ai nuk u bë dot sinonim i paqes, të cilën qytetarët e botës e duan, evropianët e duan, shqiptarët, më shumë se të gjithë e duan.
Prandaj, ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2024, ne shqiptarët, ndoshta edhe të tjerët, anembanë botës, ndahemi më lehtë shpirtërisht nga viti 2023, ndonëse e kemi të vështirë të besojmë e të shpresojmë se ky vit do të jetë ai që duam, do të jetë një vit që ne evropianëve dhe mbarë njerëzimit t’ia largojë fantazmën e një përplasjeje të re botërore, një lufte të re të përmasave botërore;
ndonëse e kemi të vështirë të besojmë e të shpresojmë, kur demokracia në Shqipëri është më e asgjësuar se kurrë, kur në kufijtë veriorë të kombit, u kërcëlluan me ashpërsi putinët e vegjël, shovinistët serbomëdhenj millosheviçianë të Beogradit.
Përballë sfidave të tilla qeniet individuale dhe ato kolektive kombëtare, pra qenia jonë njerëzore dhe kombëtare, e forcojnë më shumë se kurrë imunitetin, instiktin e qëndresës, të përballimit dhe të kundërveprimit ndaj të gjitha të këqijave, të ligave që i vërtiten dhe i kanosen kombit tonë. Në këtë aspekt, edhe viti 2023 ishte vit i akumulimit të përvojave të mëdha, nga ato që maten me përmasa kohore epokale.
Ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2024, më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2024 të jetë vit i vendosjes së paqes në Evropë, vit i triumfit ndaj kërcënimit të egër putinian në Ukrainë dhe i triumfit ndaj frymëzimit putinian serbomadh në zemër të Ballkanit.
Më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2024 të jetë, sa më parë, vit i vendosjes së paqes në Izrael, në Rripin e Gazës, në gjithë Lindjen e Mesme, drejt një zgjidhjeje sa më afatgjatë për paqen dhe stabilitetin!
Arrestimi i kundërligjshëm i liderit të opozitës Sali Berisha e vë Shqipërinë e Edi Ramës në të njëjtën pozitë diktatoriale antidemokratike me Rusinë e Putinit.
Diaspora jonë ndihet e rrezikuar më shumë se kurrë nga tentakulat kriminale që regjimi mafioz i Tiranës po i shtrin tek shqiptarët nëpër botë.
Le të jetë Viti i Ri 2024 vit i shpresës për një rifillim të demokracisë në Shqipëri, çka do të ishte edhe një trimërim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, që të përparojnë në rrafshin kombëtar dhe në rrafshet individuale e grupore, në të gjitha fushat e jetës!
Viti i Ri 2024 fillon me një hap të rëndësishëm të Kosovës: qytetarët e saj udhëtojnë prej sot pa viza në vendet e hapësirës Shengen. Kosova e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit është shembull dhe model i demokracisë, ndërtimit të shtetit të së drejtës, perspektivës integruese perëndimore, është shembulli dhe modeli më i mirë që duhet të ndjekë Shqipëria. Urojmë nga zemra që Kosova të përshpejtojë integrimet perëndimore dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, çka është vendimtare për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë!
Ne shqiptarët e meritojmë këtë më shumë se kushdo tjetër në gadishull dhe kontinent, ndoshta në botë, si për shkak të historisë sonë flijuese e vetëflijuese, edhe për shkak të rolit historik që na ngarkohet në kuadër të fateve tona dhe të fateve evropiane e më gjerë.
Botuesit e VOAL, me një ndjenjë më të frymëzuar dhe të përgjegjshme se kurrë, urojnë nga zemra që Viti i Ri 2024 të jetë një vit vendimtar në përmbushjen tonë kombëtare, në përcaktimin sa më fatlum të ardhmërive tona!
Zoti qoftë me shqiptarët!
Gëzuar e me shumë fat, shqiptarë të dashur, vëllezër e motra, Vitin e Ri 2024!
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Botuesit
e Voal.ch