Shqiptarë e shqiptare, vëllezër e motra, kudo që jeni, botuesit e VOAL ju urojnë nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2022!
I bekuar qoftë prej Zotit ky Vit i Ri 2022 që lë prapa përgjithmonë vitin 2021, vitin e dytë tragjik të pandemisë globale, i cili mori edhe shumë jetë të njerëzve tanë dhe na zhyti në trishtim, në vetmi e në pasiguri ndaj së nesërmes!
2022 qoftë viti i rivendosjes së demokracisë në Shqipëri, viti të cilin shqiptarët e kërkuan me dy gishtat lart që në dhjetorin e vitit 1990! Të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në trojet shqiptare jashtë shtetit amë, në diasporë le të bashkohemi që Shqipëria e vitit 2022 të jetë një Shqipëri evropiane, një Shqipëri perëndimore, në lartësinë e duhur për të qenë anëtare e re e Bashkimit Evropian, në lartësinë e duhur për të qenë shembull, përkrahje dhe mbështetje për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, në Malin e Zi e tjerë, dhe kudo!
Çatia e përbashkët e shqiptarëve – Demokracia! Kjo do të jetë motoja e vitit 2022 për të gjithë shqiptarët. Sepse demokracia iu jep shanse të barabarta shqiptarëve në realizimin e lirisë së vet dhe të njëri-tjetrit, në realizimin e integrimeve kombëtare dhe perëndimore euroatlantike. Sepse demokracia iu jep shanse të barabarta shqiptarëve për të qenë në radhët e kombeve më të përparuara në rajon, në kontinent dhe në mbarë Perëndimin.
Le të çrrënjosim përfundimisht keqqeverisjen që ka mbërthyer Shqipërinë në këto 8-9 vite, me të gjitha dukuritë e mbrapshta, me të gjitha çoroditë e panumërta që e shoqërojnë atë, le të krijojmë shpresa të reja dhe shanse të reja të papara në historinë tonë për të gjitha proceset shqiptare në gjithë hapësirën tonë kombëtare!
Le të largojmë njëherë e përgjithmonë regjimin që për 8-9 vite i ka dëbuar nga Shqipëria 500-600 mijë shqiptarë, regjimin që i varfëron dhe mjeron përditë masivisht shqiptarët në Shqipëri, regjimin që i pasuron përditë kriminelët, regjimin që është vazhdimi biologjik dhe kriminal i regjimit të Enver Hoxhës!
Viti 2022, që sapo vjen, më shumë se çdo vit tjetër na vë ne shqiptarëve përballë objektivave ende të papërmbushura të historisë sonë,
na thërret ne shqiptarëve të jemi më të bashkuar se kurrë për të qenë sa më ballëlartë dhe sa më faqebardhë para historisë sonë,
na thërret ne shqiptarëve të jemi më të përgjegjshëm se kurrë për trashëgiminë që do t’iu lëmë brezave pasardhës,
të jemi më të përgjegjshëm se kurrë për ardhmërinë që po iu ndërtojmë brezave pasardhës të shqiptaëve!
Vëllezër e motra shqiptare, të gjitha pritmëritë që nuk i kemi realizuar në vitet e deritanishme, të gjitha ëndërrat që nuk i kemi plotësuar, të gjitha vizionet dhe synimet që nuk i kemi sendërtuar, në vetveten tonë, në familjet tona, në kombin tonë, le t’i vemë në rrugën e mbarë e sa më të sigurtë të përmbushjes së tyre!
Qoftë ky një vit kampion i arritjeve domethënëse në jetën e secilit prej nesh, vit kampion i përmbushjeve të mëdha si indvidë, si familje, si shoqëri dhe si komb, në një kontekst gjithnjë e më paqësor, gjithnjë e më konstruktiv, gjithnjë e më fatsjellës për të gjithë ne, për të gjitha familjet tona, për të gjithë brezat! Si Europianë!
Qoftë ky vit shëndetbardhë e shëndetplotë, pasuria më e madhe për njeriun. Kush ka probleme me shëndetin, Zotit t’i lutemi së bashku që t’i zgjidhë sa më mirë.
Sfidat që na presin gjatë këtij viti janë të ndryshme, për secilin nga ne, për ata që janë në atdhe, si dhe për ata që ndodhen nëpër botë. Urojmë dhe lutemi njëkohësisht që Zoti të na e japë fatin e duhur, vullnetin e duhur, forcën e duhur, kthjelltësinë e duhur, në mënyrë që të gjithë këto sfida ne t’i përballojmë me sukses sa më të plotë, në mënyrë që, të gjithë ne, veç e veç dhe së bashku, të dalim faqebardhë para vetes, para familjeve tona, pra atdheut, para kombit, para Zotit!
Në urimin tonë dhe lutjen tonë ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni, me zemrat hapur dhe shpirtërat e kthjellët, në mënyrë që Zoti të jetë me ne kudo e përherë, në çdo çast në vitin që vjen dhe në të gjitha vitet që vijnë, për hir të përparimit të të gjithë ne shqiptarëve, lartësimit të të gjithë ne shqiptarëve.
Për një botë sa më të mirë dhe sa më miqësore, sa më humane, sa më solidare, sa më vëllazërore, sa më të pastër, larg makutërisë, pangopësisë, larg intrigave, passhpinësisë.
Sepse jemi të gjithë një gjak e një farë!
Jemi Vëllezër e Motra.
Jemi Shqiptarë e Shqiptare.
Gëzuar!
Komentet