Viktor Ula, është i lindur në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, me prejardhje nga Malësia e Gjakovës. Ai ka një shtëpi botuese, “Alerion”, e cila ka botuar librin “Serbët dhe Shqiptarët” të albanologut kroat Milan Shuflaj. Zoti Ula që e ka përkthyer librin në anglisht thotë për Zërin e Amerikës se ky libër është një nga më të rëndësishmit për historinë e kombit shqiptar.
“Ky libër është botuar në vitin 1925 në Beograd në kroatishten e vjetër, është përkthyer disa herë në Tiranë e Prishtinë por për botën angleze nuk kanë pasur mundësi të njoftohen me historinë tonë, historinë e popullit shqiptar prej shekullit të shtatë deri në shekullin 15, do të thotë një kohë që ka qenë shumë e rëndësishme për formimin e identitetit shqiptar, do të thotë kur fillon të përdoret fjala Alban. Para kësaj të gjithë e dimë se jemi pasardhës së Ilirëve”, tha ai.
Zoti Ula thotë se Milan Shuflaj, ishte albanologu më i rëndësishëm me veprat e tij rreth historisë së shqiptarëve.
“Ka punu nëpër arkivat e Evropës dhe prej atyre arkivave që kanë qenë në gjuhën greke të vjetër, gjuhën latine të vjetër i ka tërheq të dhënat për popullin tonë dhe kontributi i tij nuk është vetëm në këtë libër, ka bërë edhe tjera veprime që fatkeqësisht ka ardhur deri te vrasja e tij, në atë kohë 1931 prej serbëve, e kanë vra sepse ai ka qenë duke zbulu identitetin tonë shqiptar dhe nuk ju ka konvenuar serbëve që për shembull punon një njeri për të njoftuar botën sidomos në atë kohë Evropën, kur ka qenë ideja se kush jemi ne shqiptarët”, tha ai.
Zoti Ula thotë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në shumicën e rasteve me shekuj nuk kanë qenë të mira.
“Nuk jemi pajtuar me serbë shumë herë, disa herë jemi pajtuar në bashkëpunim në aspektin historikisht por në përgjithësi ka qenë një lloj konflikti sepse serbët tërë kohën e kanë atë qëllimin dhe kush e lexon këtë libër e sheh qëllimin për me uzurpu tokat dhe trojet shqiptare deri te bregdeti, për shembull shihet në libër që serbët mundohen që jo vetëm Shkodrën qysh e dimë ne por deri në Vlorë mundohen me imponu vetën dhe me zhduk popullin shqiptar dhe e sheh që ai konflikt është momentalisht edhe sot, vazhdohet dhe e dimë që kjo ka qenë edhe konflikti i luftës së Kosovës”, tha ai.
Ai thotë se marrëdhëniet jo të mira në mes të shqiptarëve dhe serbëve edhe kësaj dite janë pasojë e politikës serbe.
“Besoj që në një mënyrë më shumë jemi ne të gatshëm me gjetë zgjidhje se sa serbët, e për fat të keq ata ende i kanë politikanët që i kanë shërbyer (Slobodan) Millosheviçit. Është absurd që (Aleksandër) Vuçiçi momentalisht është i njejti njeri që ka qenë ministër i informatave në Millosheviçin, është absurde që mund të ndryshoj politika e tij”, tha zoti Ula.
Zoti Ula tha se shqiptarët nëpër shekuj kanë humbur mundësinë për të treguar identitetin e tyre para shteteve evropiane, dhe kjo sipas tij ka çuar në paragjykimet me të cilat përballen edhe sot.
“Sepse e kanë një koncept Evropa se ne nuk jemi Evropë. Gjeografikisht jemi në Evropë por me mendje, me kulturë dhe ideja ne nuk jemi Evropë, ne jemi nga Lindja dhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu mendoj se është një problem sepse nuk dimë të bëjmë marketing për të treguar se kush jemi ne, identiteti ynë dhe ky libër dhe tjerë na ndihmojnë që të identifikohemi me Evropë dhe me lidh historinë tonë 1 mijë vjeçare në atë kohë kur Evropa ka filluar të formojë identitetin e saj. Ne jemi jo vetëm pjesë e Evropës por jemi vërtetë thelbi i Evropës në atë kohë. Ne kemi ekzistuar në mes të Romës dhe Greqisë, nuk ka tjetër dalje, populli shqiptar ka qenë një popull i vjetër i Evropës dhe në atë kohë deri në kohën e Gjergj Kastriotit kemi qenë të barabartë në zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor me Evropë. Franca, Gjermania, Anglia kanë qenë në një mënyrë edhe më të pazhvilluar se sa ku kemi qenë ne”, tha ai.
Ai thotë se tashmë gjeneratat e reja kanë filluar të punojnë më shumë me prezantimin e identitetit shqiptar nëpër botë. Ai thotë se Kosova duhet të vazhdojë të punojë shumë që të përmbushë qëllimet e veta ekonomike dhe shoqërore që do t’i mundësonin përparimin drejt vendeve perëndimore.
“Mirë, çdo herë që vijë në Kosovë e ndjej vetën mirë, përndryshe unë jam dhëndër i Gjakovës, Kosova është në zemrën time”, tha ai.
Komentet