Në janar të këtij viti, mbusha shtatëdhjetë vjet. Poezitë e para më janë botuar në vitin 1961. Megjithëse gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve që jam marrë me krijimtari letrare, kam botuar me dhjetëra libra me krijime origjinale dhe me përkthime, gazetat e Tiranës nuk botuan asnjë rresht për krijimtarinë time letrare dhe shkencore. Në “Fjalorin enciklopedik” ku përfshihen edhe militantë partiakë që titujt e shkrimeve të botuara në gazeta dhe revista i kanë paraqitur si tituj librash, nuk përmendet fare veprimtaria ime si shkrimtar, si përkthyes dhe si studiues. Qeveritë nuk kanë mbështetur financiarisht asnjë nga botimet e mia letrare dhe shkencore.
Nga dorëshkrimet e mia të pabotuara, po përmend vetëm monografinë “Autoktonia e epikës sonë legjendare”, e cila ka disa vite që është miratuar nga këshilli shkencor i institutit ku kam punuar. Qeveritë nuk më kanë akorduar as pension të posaçëm, siç kanë vepruar me shkrimtarë të tjerë, të cilët nuk kanë dhënë një kontribut më të madh sesa unë, por më kanë lënë t’i bëj ballë jetës me pensionin tim prej 20550 lekësh. Duke mos pranuar të mposhtem nga qëndrimet keqdashëse dhe nga varfëria që ua nxin jetën shumicës së shqiptarëve, jam i detyruar të vazhdoj punën time krijuese aq kohë sa të kem forcë, të kërkoj rrugë të tjera për të afirmuar ato vlera letrare që mund të kem. Poetja amerikane Denise Levertov ka thënë:” Sigurisht, unë e kuptoj se shumë vendime që njeriu pandeh se i ka marrë ai, në të vërtetë, ato i ka marrë vetë jeta.”
Vlerësimin që nuk ma bëri shoqëria ku kam rrojtur shtatëdhjetë vjet, ku kam punuar dhe ku kam krijuar më se një gjysmë shekulli, e bëri Shtëpia Botuese franceze “L’Harmattan”, e cila botoi përmbledhjen time “Parchemin de sable” (Pergameni prej rëre”), në të cilën është përfshirë një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë sime poetike. Ky libër që ka strukturën e një pentakli, ndahet në pesë cikle: 1. Pergameni i rinisë; 2. Pergameni i Arles-s; 3. Pergameni i dhimbjes; 4. Pergameni i Seneffe-it; 5. Pergameni i moshës së madhe.
Përmbledhja “ Parchemin de sable”, e cila pason ciklet poetike të publikuara në revistat franceze “Europe”, “Souffles” et “Jalons”, u botua në një nga shtëpitë botuese më të rëndësishme të Parisit, pa asnjë mbështetje financiare nga qeveritë tona, krejt ndryshe nga ç’ndodh edhe me poetët e vendeve të tjera ballkanike ku, sipas thënieve të disa prej tyre, me të cilët jam takuar, shteti financon botimet e autorëve vendas në gjuhë të huaja. Jam i kënaqur që përmbledhjen time e botova pa qenë ministër, deputet, ambasador, atashé kulturor, biznesmen apo azilant politik, pra, nuk e botova falë atributeve politike apo vlerave financiare, por vetëm falë vlerave letrare, të miratuara nga një komitet specialistësh (comité de lecture), i cili e shqyrtoi dhe vendosi për botimin e tij.
Megjithëse e kam plotësisht të qartë se përmbledhja ime poetike, e botuar nga Shtëpia Botuese “L’Harmattan” nuk e ka mahnitur Parisin, madje as ndonjë lagje të tij, prapëseprapë këtë botim e konsideroj arritjen time më të rëndësishme si krijues, një hap të mëtejshëm, të hedhur në rrugën e mundimshme të letërsisë, të cilës i kam kushtuar energjitë kryesore të jetës sime.
Urime Anton Për ketë arritje! Jam plotesisht dakort për sa shkruan ne kete artikull. Eshte koha e maskarenjve servilave dhe kapadaijve.
Shume krenare per arritjet tuaja.
Nuk je i vetmi qe ke “merituar” kete trajtim. Duhet te jesh ose kolaboracionist, apo diversant letrar qe te nderohesh e te dekorohesh. Po mos u merzit. Asnje dekorate a pension i vecante nuk te ben poet. Ti e ke shkruar emrin tend me penen e arte poetike prej gjysme shekulli. Te uroj gjithe te mirat ne jete e frymezime djaloshare!