“Ata e dinë cilat janë ambiciet tona. Çdo lojtar është pjesë e mozaikut, skuadra është më e rëndësishme se individi,” ka thënë trajneri Joachim Low
BERLIN – Trajneri i kombëtares së Gjermanisë në futboll e cila në Kampionatin Botërorë në Rusi do të mbrojë titullin e kampionit, Joachim Low iu ka vendosur ndalesë të përzgjedhurve të tij për përdorimin e rrjeteve sociale, marrëdhënieve seksuale dhe konsumimin e alkoolit.
Synimi i Gjermanisë është të bëhet kombëtarja e tretë e cila do të mbrojë titullin e kampionit botëror. Më parë këtë e kanë arritur Italia (1934 dhe 1938) dhe Brazili (1958 dhe 1962). Prandaj nuk është për t’u habitur pse Low u kushton vëmendje edhe detajeve më të imëta gjatë përgatitjeve, siç veproi edhe katër vite më parë gjatë Botërorit në Brazil.
“Çunat shumë mirë janë të njohur me rregullat tona të sjelljes. Ata e dinë cilat janë ambiciet tona. Çdo lojtar është pjesë e mozaikut, skuadra është më e rëndësishme nga individi”, ka thënë Low.
Kur të fillojë Botërori, lojtarët e kombëtarës gjermane do të izolohen, edhe pse është paraparë një periudhë e caktuar kur do të kenë kohë të lirë për të kaluar me familjet e tyre.
Sipas pretendimeve mediale, alkooli nuk është plotësisht i ndaluar, pasi lojtarët lejohen të pinë një gotë verë, por jo më shumë se kaq. Rrjetet sociale në kombëtarën gjermane konsiderohen si të panevojshme gjatë Botërorit, ndërsa fotografimi në bazën e kombëtares apo në zhveshtore është rreptësisht i ndaluar.
Gjermania deri tani katër herë ishte kampion bote. Nëse eventualisht arrin të mbrojë titullin, atëherë do të barazohet me Brazilin i cili ka pesë tituj të kampionit të botës.
“Elf” në Botëror, i cili do të mbahet nga 14 qershori deri më 15 korrik, do të luajë në grupin “F” me Meksikën, Suedinë dhe Korenë e Jugut. aa
Komentet