Kadareja âsht i bindun e ngul kambë se trojet e lashta ilire shtriheshin deri larg n’Turqinë e sotme e, për t’mbshtetë kyt mendim të tij, ai thotë se vetë fjala “Anadoll” e ka prejardhjen prej shqipes së vjetër e do t’thotë: “hana doli”. Për t’vërtetue kyt që thotë ai lé t’vrasin mendjen e vedin studiuesit e tjerë, ndërsa unë, në kyt studim, do t’ju sjell përfundimet e mija, prej të cilave mund t’bindeni përfundimisht se shqiptarët ishin njerëz t’shetitun, t’përmendun e t’famshëm qysh n’kohnat e lashta e se shumë krahina e qytete nëpër Europë e botë janë temelue e ngritë prej t’parëve tonë e se sot e ksaj dite ata ende mbajnë emna shqiptarë.
Simbas nji burimi historik, n’kohën kur shkodranët po i jepnin dorën e fundit kalasë së Rozafës, rumunët sapo kishin nisë me ndërtue kryeqytetin e tyne. Por, t’pamësuem me atë zanat, gjithë çka ndërtonin ditën, u prishej natën. U erdhi shpirti n’majë t’hundës e vendosën të hiqnin dorë prej asaj punë. Por doli nji plak i moçëm e u tha: “ Shkoni, more, e merrni ata tre vllaznit që po ndërtojnë kalanë e Shkodrës, se edhe ata n’fillim e kanë pasë kyt hall si ju!”.
U nisën rumunët e erdhën fill e n’Shkodër.
“Amani, bre!”, – u ranë ndër kambë tre mjeshtrave tonë, – “Kërkoni çka t’doni e sa t’doni, veç ejani e na ndërtoni kryeqytetin tonë”.
E shqiptarët, siç e kanë zakon edhe sot e ksaj dite, që me lânë punët e veta përgjysë e me ndreqë punët e t’tjerëve, veglat n’strajcë e strajcat n’krah edhe çanë e shkuen në Rumani. E t’u gzuen rumunët, shend e verë, me t’madh e t’vogël, burra e gra! Nji javë rresht festë, ditë e natë, për shyqyr që na erdhën tre mjeshtrat e shqyem… shquem prej Shkodre. Mbasi mbaroi festa e kur tre vllaznit deshtën me ia nisë punës, vetëm at’herë u ra n’mend se fillimisht duhej t’banin nji flì ndër temele, ashtu siç kishin bâ edhe n’kalanë e Shkodrës me Rozafën. Vërtet që vajza e gra t’bukura rumune kishte me bollek, por nuk ishte njilloj e kollaj si me i futë n’shtrat e si me i murosë gjallë, sikurse kishin bâ me Rozafën e shkretë. Dhanë e morën e n’fund u detyruen që n’vend t’vajzave, t’flijonin ato pak bagti që kishin teprue prej festës e, o burra, ia nisën punës. Rumunët banin llaç, kurse mjeshtrat shqiptarë bânin mure. E tre vllaznit, modestë prej natyre siç ishin, për çdo gur e tullë që vinin n’mur, pyesnin me kreni: “He, bukur esht?” . Si nji ditë e përditë, derisa e mbaruen s’ndërtuemi qytetin, të tre vetëm kto fjalë kishin n’gojë. Natyrisht që i msuen edhe rumunët e, qysh prej asaj kohë e pikërisht prej ktyne fjalëve, kryeqyteti i Rumanisë edhe sot e ksaj dite quhet Bukuresht!
Tre vllaznit vërtet që ishin mjeshtra me nam e zâ, porse nji burrë tjetër nga Mbishkodra ishte edhe mâ i njoftun e mâ i përmendun se ata e jo vetëm si mjeshtër ndërtimi, por edhe si arkitekt e projektues. Nami e fama e tij kishte marrë dhenë e kishte mbrritë deri n’Rusinë e largët. E rusët, ziliqarë që rumunët po ndërtonin kryeqytetin para tyne, vendosën që edhe ata të banin nji qytet edhe mâ t’madh e mâ t’bukur se sa Bukureshti i rumunëve. E kshtu çuen e morën me nderimet e salltanetet mâ t’mdha arkitektin shqiptar që ky t’u caktonte vendin e t’u projektonte nji kryeqytet madhështor, që, kur ta shihnin rumunët, t’plasnin prej zilisë. E shoqnuen rusët arkitektin n’vendin ku gjendet Moska sot, vend që asokohe ishte veçse nji fushë moçalore gjithë pyje e ferra e me pak kaçorre t’mjera aty-ktu. Arkitektit nuk na i pëlqeu aspak ai vend që kishin zgjedhë rusët për me ngritë qytetin e u thotë atyne: “Mos kha” e tundte kryet nalt e poshtë n’shej mohimi, për “jo”. Por ashtu siç e bante ai, kjo shenjë për rusët e për gjithë botën do t’thoshte “po” , ndaj ata e ngulën aty n’atë vend kryeqytetin e tyne, të cilit qysh prej asaj dite e n’nderim t’atij arkitekti t’famshëm shqiptar, i mbeti emni “Moskha” apo Moska.
Prej burimesh historike mâ se t’sigurta âsht vertetue se edhe Selanikun e Greqisë e kanë temelue (apo mâ saktë i ka mbetë emni) prej dy shqiptarëve po nga Mbishkodra. Veçse kta nuk ishin as mjeshtra me nam e as arkitektë t’famshëm, por thjesht dy t’rinj t’vorfën e t’papunë që kishin vendosë t’shkonin n’Greqi si refugjatë. Porse Greqia asokohe, si edhe sot, ishte n’pikë t’hallit për vedi e jo mâ t’u jepte punë t’tjerëve, kshtuqë t’dy djemtë, mbasi u ranë kambët e shqyen tollumbet tu’ kerkue punë, nji natë, para se t’ktheheshin për n’shpitë e tyne, u futën n’nji katund e aty bracën çka mujtën tu’ mbushë nga nji thes, qit e rras, me çka u xuni dora. Por, rreziku i tyne, i diktuen fshatarët grekë e t’iu lshue i gjithë katundi n’shpinë. Ata vrap e grekët mbas! Njani prej tyne, Nika, e lshoi thesin e, “kambët e lehta e faqja e bardhë”, u bâ tym e erë. “Lshoje thesin, se t’xunë”! – i thirri ai shokut, tu’ ikë. Por trimi kishte vendosë që mâ mirë t’vdiste se t’lshonte thesin, i tha: “Sha Zoten, thesin s’e lâ, Nikë!”. Me kto fjalë n’gojë e xunë grekët e, bjeri t’i biem, ia morën shpirtin. E qysh prej asaj kohë atij vendi edhe sot grekët i thonë “Thesaloniki”, pra n’shqip “Thesin s’e la Nika” , ose siç i thojmë na shqiptarët: “S’e lâ Nikë” – Selanik.
Po prej emigrantëve shqiptarë që punonin n’tokat e fqinjve tonë jugorë e ka marrë emnin edhe nji vend që ndodhet në kufi me Greqinë. Edhe asokohe (ashtu sikurse edhe sot) doganierët grekë për njimijë e nji arsye, por vetëm me nji qëllim: talljen e neperkamjen e fqinjve të tyne nevojtarë, i linin për orë e ditë n’radha t’gjata kilometrike në pritje për me kalue kufinin. E, prej pritjes së gjatë, nevojtarët e shkretë nevojat e tyne personale detyroheshin t’i banin ku t’mundeshin, aty mbas ferrave e shkurreve bri rrugës. E qysh prej asaj kohë (e ende sot) ky vend e mban me dinjitet e meritë emnin Kaka-vijë.
T’papunë ishin edhe disa djem nga Vlona, t’cilët nuk panë rrugë tjetër veçse t’merrnin edhe ata, si shokët, rrugën e kurbetit. Por meqë n’atë kohë ala nuk ishin liberalizue vizat e nuk kishte as skafe, ndërtuen nji trap t’madh e u nisën për n’Amerikë. Por trapi i nxori n’bregun matanë, n’Bari t’Italisë, që asokohe ishte veçse nji copë katund i mjerë me pak ksolla t’rrenueme.
“Që këtu e tutje rrugën që na ka mbetur do ta bëjmë në këmbë”, u tha ai që u printe. E u nisën. Por, kur dolën n’bregun tjetër t’detit, panë se ala nuk e kishin gjetë Amerikën! U pikëlluen e u banë me pi mizën, si i thojnë. Sepse, për dreq, aty përreth nuk kishte as pemë me ndërtue nji trap tjetër për me shkue n’Amerikë. Prandaj, t’mërzitun, nisën tu’ kja me kujë. Njani çirrej e shkulte flokët, disa vajtonin, ndërsa t’tjerët u mbanin ison. U mblodhën italianët e katundeve aty përreth e shihnin me habi e kureshtje ata shqiptarë që kjanin me ta kputë shpirtin aty n’breg t’detit: “Obobo ç’na polli! Na polli belaja, oiiii!” .
Ia nisën t’talleshin e t’i përqeshnin tu’ thanë edhe ata: “Na polli, oiiii!”. Por, mbasi italianët si at’herë edhe sot nuk arrijnë ta shqipojnë ll-në, thoshin vetëm “na poli, na poli, oiiii!”. E ai vend, ku mâ vonë u ngrit nji alamet qyteti i madh, ende sot quhet Na poli ose Napoli.
Nse vlonjatët mbetën n’histori nga vajtimi i tyne që nuk gjetën Amerikën, për çudi nji lalë Myzeqeje hyni n’histori pikërisht sepse gjeti Amerikën. Nuk dihet se si kishte shkue atje, por me t’mbrritun kishte zgjedhë nji vend që i kishte çue mallin e Myzeqesë e aty kishte ngritë nji ksollë t’thurun me thupra e t’veshun me baltë.
Pronari i truellit, kur e kishte pa tu’ gërmue n’tokë, duket se kishte dyshue se mos shqipoja po kërkonte ndonji thesar t’mshehun aty e menjiherë e kishte paditë për grabitje. Policët kishin rrethue vendin e kishin kontrollue gjithandej, por nuk kishin gjetë asgjâ t’dyshimtë, sepse faktikisht nuk kishin çka gjetë. E ndërsa tjetri kambëngulte në t’tijën se jabanxhiu po e grabiste, tu’ tregue si provë materiale e t’pakundërshtueshme gropën e gërmueme, myzeqari mbrohej tu’ thanë: “Hë mo, se baltë i mora!”. Pikërisht në atë vend sot ngrihet nji qytet i madh e i përmendun, që si emër të tij mban fjalët e myzeqarit: Baltimora!
Thuhet se edhe etimologjia e fjalëve Edinburg (emnin që mban sot kryeqendra e Skocisë) e Salsburg vijnë prej gjuhës shqipe apo mâ saktë nga thirrje tubimesh politike, por unë (që t’mos më akuzojnë për politizim) nuk po merrem me shtjellimin e me historinë e ktyne fjalëve.
Shumë nga kto që përmenda si edhe shumë t’tjera që thuhen e përfliten, mund t’mos jenë t’sakta e t’vërteta, por ajo që thuhet për origjinën e emnit të nji qyteti n’Itali, âsht plotsisht e vërtetueme e e padiskutueshme se âsht temelue prej shqiptarve e që mban edhe sot e ksaj dite emën shqiptar. Ky grup t’rijsh, temeluesit e parë t’qytetit, ashtu si edhe shokët e tyne, i patën hypë trapit e patën marrë rrugët e kurbetit. Ishin djem t’fuqishëm e t’pashëm, por mâ shumë dalloheshin ndër shokë si leshko e t’palatuem. E nga ky fakt i vinin n’lojë jo vetëm vendasit, italianët, por edhe bashkatdhetarët e tyne refugjatë. Ndaj ata, tu’ mos mujtë me durue përditë talljet e njerëzve, u tërhoqën n’nji vend t’vetmuem, diku n’breg të detit, e aty ngritën kaçorret e tyne, ku edhe u shtuen e u shumuen. Pak nga pak ai ngulim u bâ nji fshat i vogël e mâ vonë nji qytet i madh. Por fillimisht ata që e temeluen ishin vetëm pesë djem t’rinj, pesë leshko a trapa, e nga ky fakt ende sot ai vend mban emnin me t’cilin u quejt n’zanafillë: “Peskara”!