1
Zija Çela është i veçantë dhe i papërsëritshëm për format shkrimore në prozën e sotme shqipe. Ai është krijues i dëshmuar i një bote letrare, që në vetvete ngërthen epoka të tëra të njerëzores dhe të njerëzimit. Pikërisht ky ngjyrim shpirtëror i letërsisë e bën krijimtarinë e Zija Çelës të jetë e dallueshme si për nga vlera artistike dhe ndjeshmëria krijuese, po ashtu për vizionin jetësor e filozofik.
Të gjitha veprat e Zija Çelës shpalosin urtësinë se rrugët, ku ecën krijuesi, çojnë drejt së bukurës, drejt përsosmërisë, që është cak i paarritshëm, prandaj të gjitha ato udhëtime mbeten peng i ëndrrave për majat e papushtuara. E më pas nuk mbetet tjetër, përpos t’ia fillosh rishtazi udhëtimit, çka Zija Çela e bën me çdo vepër, si një fillim i ri që ndërthuret me ato të mëparshmit dhe që, së bashku, përbëjnë një udhëtim madhështor drejt shijimit të jetës, shijimi që ngërthen në vetvete të gjitha shfaqjet jetësore, bukuritë, shëmtitë, dramën, komiken, dhembjen, gëzimin, egoizmin, patjetër humanizmin.
2
Veprimtaria krijuese e Zija Çelës ka të pranishme në vete një dimension të pashtershëm, një bërthamë të veçantë: të vërtetën se njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë bosh, në mjegull, pa vizion, pa vizionarë. Duke lexuar veprat e Çelës, e kupton se asnjë epokë nuk ka mbetur pa Homer, pa Dante dhe Shekspir, pa Da Vinç dhe Betoven… Arti i Çelës i ndien dhe i parasheh të gjitha rrugët e mundshme të shpirtit e të mendjes. Qytetet e tij metaforike apo me emra realë, e sjellin botën shqiptare në pamje nga më të ndryshmet dhe, siç ka vërejtur me të drejtë kritika, përbëjnë atdheun e tij shpirtëror. “Nëse dikund në letërsinë shqiptare do të gjente zbatim thënia e G.G. Markesit se Makondoja e romaneve të tij më parë se vend gjeografik është gjendje shpirtërore, atëherë pikërisht Mamaci dhe Barabia e romanit “Banketi i hijeve” të Zija Çelës, para se vendbanime, janë gjendje shpirtërore, të cilat në kontekstin e ngjarjeve në roman arrijnë të kuptimësohen. Ky roman është model letrar i përkryer për t’u ngritur në lartësi metafore mbi përmasat devijante të psikologjisë kolektive.”
Mbështetur mbi prejardhjen dhe ecurinë e kësaj bote, Zija Çela krijon botën e fiksionit, fantazisë, shtigjet e së mundshmes, të asaj që vjen dhe troket nga larg.
Depërtimi në thellësi i intuitës dhe imagjinatës krijuese, shikuar nga kjo perspektivë, del i një dhuntie përmasash madhore. Secila dekadë shënon për autorin lëvizje të veçanta përpara, si në përkapjen e botës, ashtu edhe në përsosjen artistike dhe estetike të diskursit letrar.
Zija Çela krijues e përjeton thellë krizën e vlerave shpirtërore. Kur nuk u mungon hapësira për të qenë të lirë, përkundrazi, pikërisht kur janë të lirë, lavidanët Fifarës (romani “Goja e Botës”) nuk dinë t’i japin vlerë lirisë, përkundrazi e gërryejnë nga themeli qytetin e tyre, e bëjnë model abuzimi, arenë tregu të egër, ku lufta për pushtet e pasurim, metodat mafioze, grykësia e bërrylave dhe stërkëmbësave janë brutalisht marramendëse dhe vënë çdo gjë në lëvizje. Modeli i lirisë shqiptare e trondit shkrimtarin që, sa më tepër e vuan bjerrjen e vlerave shpirtërore të qytetit të vet, po aq e acarojnë veprimet e protagonistëve. Dhe, me synimin si nëntekst që të ndryshojnë, merr penënkamzhik për t’u mëshuar dhe për t’i mëshiruar njëherësh, ashtu si në romanet e këtij cikli që, së bashku me “Arkipelagun”, shkrimtari Mehmet Kraja i ka cilësuar si “saga alegorike më e madhe e letërsisë shqipe”.
Edhe në nivel të diskursit narrativ, ky autor i veçantë është i formatit të madh. Turbulencat e brendshme, të kontrolluara e të artikuluara me mjeshtëri, janë tharmi estetik i kësaj poetike. Rrëfimi i Zija Çelës të mban përherë zgjuar, meritë edhe e ritmit të gjallë të detajeve, të nxit kërshërinë për atë që sjell fjalia, pasusi i radhës, ritmi i situatave që rrjedhin pandërprerë. Në këtë diskurs narrativ, tërë personazhet e korpusit të madh janë në lidhje e raporte të gjalla komunikimi me njëri-tjetrin dhe lexuesi bën kujdes të përqendruar për statusin e tyre, karakterin, filozofinë, anën njerëzore.
3
Ja përse, siç kemi argumentuar edhe më parë, besojmë se Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës. Është përditshmëria, kërkimi dhe vetëkërkimi dramatik i saj që e nxisin dhe e shqetësojnë këtë shkrimtar, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të autorit; është vizioni i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar dhe përtej këtij realitetit, si kapërcim i kohës reale; janë fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë; janë rezonancat e kumteve të forta dhe fryma gjithherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën.
Mund të thuhet se tërë proza tregimtare dhe romanore e autorit përbën librin e tij unik, atë me shumë kapituj, në përputhje me natyrën dhe rrugën krijuese konsekuente që në hapat e parë të krijimtarisë së tij.
Të gjithë përbërësit e poetikës narrative, personazhet, perspektivat e narratorit, koha, hapësira metaforike dhe konkrete, të kurorëzuara në bukuri rrëfimi, në romanet e Zija Çelës rrezatojnë fuqi tërheqëse, magjike, edhe për faktin se vizioni i shkrimtarit shpërfaqet qartë në tekst, deri edhe si thurje fjalësh, si intonim e ngjyrim, si figurë, si imazh dhe komunikim. Pikërisht për marrëdhënien e tekstit me lexuesin, L. Tahiri arrin në këtë cilësim në një studim të saj: “Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin. Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.”
Ëndërrimi i Zija Çelës për mirëkuptim dhe harmoni mes njerëzve shquhet si tundimi më prekës, më i bukuri në veprën e madhe të tij. Dhe, kur komunikohet me tundimet e botës krijuese të Zija Çelës, mbase arrihet të kuptohet më përafërt struktura e botës shpirtërore të autorit, hapësira e trualli ku lind dhe rritet letërsia e tij. Është dhunti kjo e një shkrimtari të madh, i cili jeton prore nën tundimin e sinjaleve, të porosive që pandërprerë vijnë nga thellësitë e qenies dhe të ekzistencës së njerëzimit.
/Gazeta Panorama