SYRI TV ka siguruar ekskluzivisht letërporosinë e Prokurorisë së Tiranës, e cila kërkon informacione nga Prokuroria e Romës rreth dyshimeve për bashkëpunimin ndërmjet bosëve të inceneratorëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe biznesmenit Ilir Dedja me organizatën mafioze Ndragheta. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka marrë shtysë nga një hetim i prokurorisë së Padovas për të njëjtën çështje, dhe ngre dyshime serioze për përfshirjen e Ndragheta-s jo vetëm në pastrimin e parave në aktivitete të jashtëligjshme në Shqipëri, por edhe direkt në mega-aferën e inceneratorit të Tiranës
SYRI TV
SYRI TV ka siguruar ekskluzivisht kërkesën e Prokurorisë së Tiranës drejtuar Prokurorisë së Romës, ku kërkohet informacion për disa shtetas, mes tyre Ilir Dedja, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Edvin Zeqja.
Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal me numër 1206 në vitin 2020 me dyshimin e bashkëpunimit përmes pastrimit të produktit të veprës penalë për llogari të organizatës mafioze Ndragheta.
Indiciet e këtij hetimi kanë nisur fillimisht nga një hetim e karabinierisë së Padovas në Italisë, pikërisht për dyshimet e bashkëpunimit kriminal mes kompanive të hapura në Shqipëri dhe organizatës kriminale Ndragheta. Letërporosia e Prokurorisë së Tiranës rezulton se është dërguar në datën 14 shkurt të vitit 2023, tre vite pas regjistrimit të procedimit penal.
Po ku qëndron lidhja e bosëve të inceneratorëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja me shtetasin Ilir Dejda? Sipas letërporosisë së Prokurorisë së Tiranës, e gjithë zanafilla ka të bëjë me kompaninë C.G.C. shpk, të krijuar në tetor të vitit 2013, me administrator Mirel Mërtirin, aksioner Ilir Dedja me 30% dhe 70% kompaninë Integrated Technology Service në pronësi të shtetasit Klodian Zoto. Në vitin 2018, Stela Gugallja, bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit, i ka shitur aksionet te Ilir Dedja, i cili në vitin 2019 ka rishitur 70% të aksioneve kompanisë Intergrated Technology Service në pronësi të Klodian Zotos.
Po sipas kësaj letërporosie, qendra operacionale e EUROPOL informon se autoritetet italiane në datën 9 mars 2017, i kanë sekuestruar Klodian Zotos një shumë prej 22 mijë 560 euro.
Po a ka vazhduar bashkëpunimi mes Ilir Dedja dhe Mirel Mërtirit edhe pas shitje-blerjes së aksioneve në kompaninë C.G.C?
Sipas investigimit të SYRI TV, rezulton se shtetasi Ilir Dedja është pronar i kompanisë 3DDD Swiss Trading me qendër në Lugano. Kjo kompani rezulton të ketë marrë nga korriku i vitit 2019 deri në shkurt të vitit 2021, 490 mijë euro pagesa për shërbime të paqarta nga kompania e inceneratorit të Tiranës Integrated Energy BV SPV Shpk, siç tregohet në këtë dokument të siguruar ekskluzivisht nga SYRI TV
Prokuroria e Tiranës në letërporosinë e saj drejtuar Prokurorisë së Romës nën dyshimet e bashkëpunimit të kompanisë së Ilir Dedjas, por edhe sa i takon rolit të shtetasve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja kërkon të dijë:
1. Evidentin e aseteve të regjistruar në emër të këtyre shtetasve.
2. Transaksionet ekonomike të regjistruara në emër të këtyre individëve dhe personave juridikë.
3. Evidentimi i periudhave të qëndrimit të këtyre shtetasve në territorin italian.
4. Evidentimi i shumave të tjera të parave të sekuestruara nga autoritetet italiane për këta shtetas.
5. Të evidentohen vlerat e parave që këta shtetas mund të kenë depozituar në bankat në territorin italian.
6. Evidentimin e të dhënave kriminale për këta individë në territorin italian.
Kjo letërporosi tregon qartë se Ilir Dedja, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë nën hetim për bashkëpunim me grupin mafioz Ndragheta, çka ngre dyshime edhe përfshirjen e mafias italiane edhe në skemën e pastrimit të parave përmes aferës së inceneratorëve.
SYRI TV tregon me fakte lidhjen e qartë të pagesave që janë bërë nga kompania e famshme e inceneratorëve me Ilir Dedjan, i cili po hetohet nga dy prokuroritë, ajo e Padovas në Itali dhe e Tiranës për pastrim të parave për llogari të grupit mafioz Ndragheta. Njëkohësisht këto transaksione janë pjesë e dyshimeve të denoncuara prej vitesh nga opozita për pastrimin e parave që ortakët e inceneratorëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja kanë bërë me kompanitë e lidhura dhe që përmes kësaj skemë kanë zhdukur dhjetëra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë për një shërbim që ata nuk e kanë marrë ende deri më sot.
Do të mjaftonte ky denoncim që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion të kërkonte transferimin e menjëhershëm të kësaj dosje nga Prokuroria e Tiranës për ta bashkëngjituar atë me hetimin paralel për megaskandalin e inceneratorëve. I takon SPAK, që të hetojë akoma më tej edhe rolin kontrollues të Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj dhe Ministria e Energjisë së drejtuar nga Belinda Ballukut, institucione të cilat kanë detyrë funksionale të kontrollojnë se ku shkojnë paratë e taksapaguesve të Tiranës.