Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell tha të hënën se ka thirrur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të filluar dialogun në gjetjen e një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, që sipas tij, paraqet krizën më të rrezikshme që nga viti 2013.
Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian përgjatë punimeve të të cilit është diskutuar për Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në situatën në veriun e Kosovës.
“Pala e Kosovës vjen sonte, jam i gatshëm të bisedoj me udhëheqësit, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike të çështjes së targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë pa një marrëveshje, ose do të jemi në prag të situatës së rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve nga institucionet në veri nga policia, gjyqësori, nga kryetarët e komunave ka krijuar një boshllëk dhe në këtë situatë më e keqja mund të ndodhë, pra të dyja palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet”, tha zoti Borrell.
Ai tha se shtetet evropiane në Këshill kanë qenë të qartë dhe kërkojnë përparim të qartë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, tha ai duke nënvizuar se kriza të tilla e kanë shtyrë Bashkimin Evropina të dal me një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Propozimin që kemi paraqitur dhe Franca e Gjermania kanë qenë mbështetës për këtë propozim, i ashtuquajturi propozimi franko-gjerman është në fakt mbështetje franko-gjermane për propozimin e paraqitur nga unë dhe Miroslav Lajçak, është propozim evropian”, tha zoti Borrell.
“Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë vazhdimisht me menaxhim të krizave, nga një krizë te tjetra, duke zgjidhur krizën dhe duke pritur për krizën e ardhshme qofshin targat apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duhet të vazhdojmë me një qasje më strukturore duke kërkuar çështje më të thella dhe duke provuar që të parandalojmë krizat. Këto janë hapa para, një qasje e re. Dua të them se të dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo do të thotë shumë”, tha zoti Borrell.
Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet.
Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa punonjësit serbë të kthehen në institucionet që i braktisën më 4 nëntor dhe të krijojnë hapësirë për diskutimin e një propozimi franko-gjerman për një marrëveshje mes palëve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot në Vjenë ku po merr pjesë në forumin ekonomik se propozimi franko-gjerman është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme.
“Tani unë ngul këmbë që të diskutojmë për kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes që ka dal nga propozimi franko-gjerman dhe shpresoj që do të përshpejtojmë bisedimet. Mendoj se ky propozim ka një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme sepse shoh në këtë propozim një tekst me bazë të vlefshme ku janë nocionet dhe konceptet e Bashkimit Evropian dhe mezi pres të punojmë mbi këtë”, tha ai.
Ai tha se një marrëveshje me Serbinë për njohje të ndërsjellë do të mundësonte normalizimin e marrëdhënieve.
“Jam i bindur që për marrëdhënie të mira fqinjësore, për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve ne kemi nevojë që të kemi normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila do të jetë përmes një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do të kishte në qendër njohjen e ndërsjellë. Njohja e ndërsjellë nuk do të jetë e vetmja gjë në tryezë por megjithatë duhet të jetë në qendër. Pa njohje të ndërsjellë ne do të vazhdojmë dialogun pa marrëveshje”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se situata në Kosovë është e rrezikshme për shkak të agresivitetit të Serbisë, ndërsa Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arrtiura në bisedimet e Brukselit.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mblodhi të hënën partitë politike për t’u këshilluar lidhur me caktimin e datës e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, kryetarët e të cilëve dhanë dorëheqje për shkak të vendimit të qeverisë për konvertimin e targave të makinave. Në takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe subjektit kryesor të serbëve të Kosovës, përfaësuesit e së cilës ishin bartës të pushtetit në komunat veriore. Presidentja Osmani tha se sipas të gjitha gjasave data e mbajtjes së zgjedhjeve pritet të jetë 18 dhjetori.
Komentet