Shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se do t’i thërrasë Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës.
Zoti Borrell nuk e tha nëse në takimi do të jetë në nivelin më të lartë politik. Megjithatë, burimet ne Bruksel thanë se në takim do të ftohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Shefi i diplomacisë evropiane e bëri paralajmërimin në fillim të një takimi me ministrat e NATO-s, duke theksuar se bashkëpunimi mes bllokut dhe aleancës ushtarake shkon përtej Ukrainës.
“Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, tha zoti Borrell.
Ai tha se Bashkimi Evropian po përpiqet të kuptojë se çfarë ka ndodhur saktë lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë ndërsa ritheksoi thirrjet për qetësi në terren.
Në natë më parë ai tha në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se një raund i ri i bisedimeve nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.