Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha sot se izolimi dhe rrethimi i Gazës nga Izraeli nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare në raste konfliktesh. Ai theksoi se vrasja e civilëve në Gazë duhet dënuar njësoj si sulmet ndaj Izraelit. Deklaratat e tij i parapriu komenteve të Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen e cila tha se Bashkimi Europian mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por kjo duhet bërë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe duke mbrojtur jetën e civilëve.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell nënvizoi nevojën që vrasjet e civilëve në Gazë, të dënohen njësoj siç
po dënohen sulmet ndaj Izraelit. Ai kritikoi ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe nevoja të tjera bazike për civilët në Gazë duke theksuar se veprime të tilla bien ndesh me ligjet ndërkombëtare në rast konfliktesh.
“Ka rregulla për luftën. Rregullat janë përcaktuar në ligjet ndërkombëtare dhe ne e kemi thënë disa herë në të shkuarën në raste konfliktesh, ndërprerja e ujit dhe nevojave të tjera bazike për popullsinë nuk është në përputhje me ligjet e luftës. Tani që flasim nuk ka më ujë në Gazë. Më shume se 3 mijë vetë kanë vdekur, një e katërta e tyre fëmijë. Nuk mund të bëjmë përgjegjës të gjithë popullsinë në Gazë për veprimet kriminale të Hamasit”, tha ai.
Ai tha se rrethimi dhe izolimi i Rripit të Gazës nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe se Bashkimi Europian kishte dënuar raste të tjera të ngjashme.
“I dënojmë sulmet e tmerrshme terroriste, por besoj se po aq duhet të dënojmë vdekjen e civilëve në Gaza. Sepse dënimi i një tragjedie nuk duhet të na pengojë të dënojmë një tjetër. Dhembshuria që tregojmë për viktimat e sulmeve terroriste nuk duhet dhe nuk na pengon të tregojmë të njëjtën dhembshuri për të vdekurit e tjerë”, tha zoti Borrel.
Duke folur pas zotit Borrel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen rikonfirmoi se Bashkimi Europian mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, duke thënë se Izraeli duhet të bëjë këtë në përputhje me ligjet ndërkombëtare humanitare dhe duke mbrojtur jetët e civilëve.
“Europa qëndron në krah të Izraelit në këtë moment të vështirë. Mendoj se ishte e rëndësishme të përcillja personalisht këtë mesazh solidariteti Izraelit vetëm disa ditë pas sulmit. Vetëm nëse kuptojmë dhimbjen e Izraelit dhe pranojmë të drejtën e tij për t’u mbrojtur do të kemi besueshmërinë të themi se Izraeli duhet të veprojë si një vend demokratik, në përputhje me ligjet ndërkombëtare humanitare”, u shpreh ajo.
Disa zyrtarë dhe ligjvënës europianë e kritikuan zonjën Von Der Leyen, e cila vizitoi Izraelin të premten e 13 tetorit, që nuk deklaroi, njësos siç kanë bërë udhëheqës të tjerë të BE-së, se Bashkimi Europian pret që Izraeli të respektojë ligjet humanitare ndërkombëtare në veprimet në përgjigje të sulmeve të grupit militant Hamas.
Zonaj Von Der Leyen e mbajti publikisht një qëndrim të tillë për herë të parë, gjatë fundjavës.
Sot ajo dënoi shpërthimin në një spital në Gazë që shkaktoi vdekjen e qindra palestinezëve dhe foli mbi përpjekjet e Izraelit për mbrojtjen e jetëve të civilëve si dhe nevojën për të mos penguar zgjerimin e paqëndrueshmërisë në rajon.
“E dimë se veprimet e Hamasit rrezikojnë të ndikojnë afrimin historik të marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe. Por kjo mund të shmanget. Paqëndrueshmëria mund të shmanget. Dialogut mes Izraelit dhe fqinjëve të saj mund dhe duhet të vazhdojë. Ky moment lufte duhet të jetë po aq momenti për vazhdimin e diplomacisë dhe për t’u angazhuar edhe më shumë me Izraelin dhe vendet e tjera në rajon”, tha zonja Von Der Leyen.
Ndërsa Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të unionit kanë dënuar bashkarisht sulmet e Hamasit, që lanë të vrarë 1300 izraelitë, kanë qenë të ndarë në qëndrime të tjera politike dhe veprimet e ndërmarra pas sulmeve.
Kjo ndarje e qëndrimeve ka vënë në dukje ndarjet e vjetra në mesin e Bashkimit Europian mbi Lindjen e Mesme dhe kufizimet e forta për ndikimin e tij në rajon.
Po aq ka minuar edhe qëndrimet e Bashkimit Europian se unioni ka të drejtë të trajtohet si aktor tepër i rëndësishëm gjeopolitik.