Takimet me Pasternakun dhe intervista për Paris Review e përkthyeses Olga Andreyeva Carlisle
Një janar, vendosa të vizitoj Boris Pasternakun rreth dhjetë ditë pas mbërritjes sime në Moskë. Kisha dëgjuar shumë për të nga prindërit e mi, të cilët e njihnin prej shumë vitesh, ndërsa poezitë ia kisha dashur që në vitet e mia të hershme. Kisha mesazhe dhe dhurata të vogla për t’i çuar nga prindërit dhe nga admirues të tjerë. Por në Moskë zbulova se Pasternaku nuk kishte telefon. E hodha poshtë mendimin për t’i shkruar një shënim, si veprim tepër jopersonal. Druhesha se duke pasur parasysh vëllimin e letërkëmbimit të tij, ai mund të kishte një lloj formule standarde të refuzimit të kërkesave për ta vizituar. U desh një përpjekje e madhe për të takuar pa paralajmërim një njeri kaq të famshëm. Kisha frikë se Pasternaku në vitet e mëvonshme nuk do të përkonte me imazhin tim për të, të krijuar nga poezitë e tij lirike, të rrëmbyeshme, para së gjithash rinore. Prindërit më kishin thënë se kur e kishin takuar Pasternakun në vitin 1957, pak para se të merrte çmimin Nobel, ai kishte organizuar një mbrëmje të hapur në shtëpinë e tij, të dielën – një traditë mes shkrimtarëve rusë që e ndjekin edhe rusët jashtë vendit. Kur isha adoleshente në Paris, mbaj mend që të dielën pasdite më çuan të takoja shkrimtarin Remizov dhe filozofin e famshëm Berdjajev.
Të dielën time të dytë në Moskë, papritmas vendosa të shkoj në Peredelkino. Ishte një ditë llamburitëse dhe në qendër të qytetit, ku bujtja, bora e freskët shkëlqente përballë kupolave të arta të Kremlinit. Rrugët ishin plot me vizitorë – familje jashtë qytetit të grumbulluara në stil fshatar që ecnin drejt Kremlinit. Shumë prej tyre mbanin tufa mimozash të freskëta—nganjëherë një degëz secili. Të dielave gjatë dimrit në Moskë sillen dërgesa të mëdha mimozash, Rusët i blejnë për t’ia dhënë njëri-tjetrit ose thjesht për t’i mbajtur, si për të shënuar solemnitetin e ditës. Vendosa të marr një taksi për në Peredelkino, megjithëse e dija se një tren elektrik shkonte atje duke u nisur nga stacioni hekurudhor i Kievit, afër periferisë së Moskës. Papritmas kuptova se po nxitoja shumë për të arritur, megjithëse isha paralajmëruar nga moskovitë të ditur për mosgatishmërinë e Pasternakut për të pritur të huaj. Isha e përgatitur të dërgoja të falat e mia dhe ndoshta vetëm t’i shtrëngoja dorën dhe të kthehesha. Shoferi i taksisë, një djalë i ri me vetëbesimin e taksistëve si kudo, më siguroi se e njihte shumë mirë Peredelkinon – ishte rreth tridhjetë kilometra përtej në autostradën e Kievit. Tarifa do të ishte rreth tridhjetë rubla (rreth tre dollarë). Ai fliste si t’i dukej krejtësisht e natyrshme që të doja të shkoja atje në atë ditë të mrekullueshme me diell. Por mëtimi i shoferit se e dinte rrugën doli të ishte thjesht një mburrje dhe shumë shpejt humbëm. Kishim ecur me shpejtësi mesatare në autostradën me katër korsi, pa borë dhe pa tabela apo pika karburanti. Kishte disa tabela orientuese rrugore, por ato nuk arritën të na drejtonin për në Peredelkino, dhe kështu filluam të ndalonim sa herë që hasnim dike, për të kërkuar ndihmë. Të gjithë ishin miqësor dhe të gatshëm për të ndihmuar, por askush nuk dukej se dinte si shkohej në Peredelkino. Kemi udhëtuar për një kohë të gjatë në një rrugë të paasfaltuar e të ngrirë nëpër fusha të pafundme të bardha. Më në fund, hymë në një fshat i cili ngjante si i një epoke tjetër, në kontrast të plotë me shtëpitë e reja me apartamente në periferi të Moskës – shtëpiza të ulëta, me pamje të lashtë, në kufi me një rrugë kryesore të drejtë. Kaloi një sajë me kuaj; gratë me shami ishin grupuar pranë një kishe të vogël prej druri. Morëm vesh ishim në një vendbanim shumë afër Peredelkinos.
Pas një udhëtimi prej dhjetë minutash në një rrugë të vogël dredha-dredha, mes pemëve me gjelbërim përhershëm, isha përballë shtëpisë së Pasternakut. I kisha parë fotografitë e tij në revista dhe papritmas ishte në të djathtën time: ngjyrë kafe, me dritare të dala jashtë që formojnë një lloj kthine brenda, duke qëndruar në një shpat në sfondin e bredhave dhe me pamje nga rruga nga e cila kishim hyrë rastësisht në qytet. Peredelkino është qytet i vogël, i qetë, me pamje mikpritëse dhe gazmor në mesditën me diell. Shumë shkrimtarë dhe artistë jetojnë atje gjatë gjithë vitit në shtëpitë që u jepen, me sa di unë, gjatë gjithë jetës dhe ka një shtëpi të madhe pushimi për shkrimtarët dhe gazetarët nga Lidhja e Shkrimtarëve sovjetik. Por një pjesë e qytetit ende i përket zejtarëve të vegjël dhe fshatarëve dhe nuk ka asgjë “artistike” aty. Chukovsky, kritiku i famshëm letrar dhe shkrimtari i librave për fëmijë, jeton atje në një shtëpi të rehatshme dhe mikpritëse të mbushur me libra – ai drejton një bibliotekë të vogël të bukur për fëmijët e qytezës. Constantin Fedin-i, një nga romancierët më të njohur rus të gjallë, jeton në një lagje afër me të Pasternakut. Ai tani është sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve – një post i mbajtur prej kohësh nga Alexander Fadeev-i, i cili jetoi po këtu deri kur vdiq në vitin 1956. Më vonë, Pasternaku më tregoi shtëpinë e Isaac Babel-it, ku u arrestua në fund të viteve 1930 dhe në të cilën nuk u kthye më. Shtëpia e Pasternakut ishte në një rrugë fshati me kthesë të lehtë që të çon poshtë kodrës në një përrua. Në atë pasdite me diell, kodra ishte e mbushur me fëmijë me ski dhe saja, të grumbulluar si arushë pelushi. Përtej rrugës nga shtëpia ishte një fushë e madhe e rrethuar – një fushë e përbashkët e mbjellur në verë; tani ishte një hapësirë e madhe e bardhë e mbizotëruar nga një varrezë e vogël mbi një kodër, si një copëz sfond nga një pikturë e Chagall-it. Varret ishin të rrethuar me gardhe druri të lyer me ngjyrë blu të thellë, kryqet ishin vendosur në kënde të çuditshme dhe kishte lule letre rozë dhe të kuqe të ndezura gjysmë të varrosura në dëborë. Ishte një varrezë me ngjyra të çelura. Veranda e shtëpisë e bënte të dukej shumë si një shtëpi amerikane prej durir e para dyzet viteve, por bredhat përballë të cilëve qëndronte e bënin si ruse. Ishin rritur shumë pranë njëri-tjetrit dhe të krijonin ndjesinë e pyllit të thellë, megjithëse rreth qytezës kishte vetëm korije të vogla. Pagova shoferin, me frikë të madhe hapa portën që ndante kopshtin nga rruga dhe u ngjita në shtëpinë e errët. Në verandën e vogël në njërën anë kishte një derë me një shënim të tharë, gjysmë të grisur në anglisht të ngulitur mbi të, ku shkruhej: “Po punoj. Nuk mund të takoj askënd, ju lutem largohuni”. Pas një ngurrimi të çastit, zgjodha ta shpërfillja shënimin, kryesisht për shkak se dukej shumë i vjetër por edhe prej pakove të vogla që mbaja duar. Trokita dhe dera u hap pothuajse menjëherë – nga vetë Pasternaku. Ai mbante një kapelë kallpak. Ishte jashtëzakonisht i pashëm; me kockat e dala të faqeve, sytë e errët dhe kapelën e leshit, dukej si i dalë nga një përrallë ruse. Pas ankthit në rritje të udhëtimit, papritmas u ndjeva e shtendosur – m’u duk se në të vërtetë kurrë nuk kisha dyshuar se do të takoja Pasternakun.
U prezantova si Olga Andreyeva, vajza e Vadim Leonidovitch-it, duke përdorur emrin gjysmëzyrtar të tim ati. Ai përbëhet nga emri i tij dhe i babait të tij, shkrimtari dhe dramaturgu i tregimeve, Leonidi, autor i dramave “Atij që ia veshin me shuplaka” dhe “Të shtatët që u varën”, etj. Andreyev është emër mjaft i zakonshëm rus. Pasternakut iu desh një minutë për të kuptuar se kisha ardhur nga jashtë vendit për ta vizituar. Më përshëndeti me shumë ngrohtësi, duke më marrë dorën në të dyja duart, dhe duke pyetur për shëndetin e nënës sime dhe shkrimet e babait, kur kisha qenë për herë të fundit në Paris, dhe duke më parë nga afër në fytyrë në kërkim të ngjashmërive familjare. Po dilte për të paguar tarifën e disa telefonatave të bëra. Po të kisha mbërritur një çast më vonë nuk do ta kisha takuar dot. Ai më kërkoi të bëja një pjesë të rrugës me të – deri në ndalesën e tij të parë, në Klubin e Shkrimtarëve.
Ndërsa Pasternaku po bëhej gati për të dalë, pata mundësinë të shikoja përreth dhomës së ngrënies të mobiluar thjesht për të cilën më kishin treguar. Që në çastin kur hyra brenda, më kishte habitur ngjashmëria e shtëpisë me shtëpinë e Tolstoit në Moskë, të cilën e kisha vizituar një ditë më parë. Atmosfera në të dyja kombinonte ashpërsinë dhe mikpritjen në një mënyrë që mendoj se duhet të ketë qenë karakteristikë e shtëpisë së një intelektuali rus në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Mobiljet ishin të rehatshme, por të vjetra dhe jo modeste. Dhomat dukeshin ideale për argëtim jozyrtar, për takime fëmijësh, për një jetë prej studiuesi. Megjithëse ishte jashtëzakonisht e thjeshtë, shtëpia e Tolstoit ishte më e madhe dhe më e stërholluar se ajo e Pasternakut, por shqetësimi për elegancën apo dukën ishte i njëjtë. Zakonisht, ai hynte në shtëpi përmes kuzhinës, ku e priste një kuzhinier i vogël, i buzëqeshur, me moshë mesatare, i cili e ndihmonte për të hequr borën nga rrobat. Pastaj ishte dhoma e ngrënies me një driteren si kthinë ku rriteshin barbarozat. Në mure ishin varur piktura me karbon të Leonid Pasternakut, babait piktor të shkrimtarit. Kishte piktura mbi jetën dhe portrete. Mund të dalloje portretet e Tolstoit, Gorkit, Scriabin-it, Rachmaninoff-it. Kishte skica të Boris Pasternakut, të vëllait dhe motrave kur ishin fëmijë, të zonjave me kapele të mëdha me vel…Ishte bota e kujtimeve të hershme të Pasternakut, ajo e poezive të tij për dashurinë e adoleshencës. Shumë shpejt Pasternaku ishte gati për të dalë. Dolëm në rrezet e ndritshme të diellit dhe ecëm nëpër korijen pas shtëpisë, nëpër dëborë mjaft të thellë që futej në çizmet e mia të shkurtra.
Shpejt u gjendëm në një rrugë të mbushur me borë, shumë më të rehatshme për të ecur, edhe pse kishte segmente rruge që s’u zihej besë dhe të akullta. Pasternaku ecte me hapa të gjatë e të shkujdesur. Në vende veçanërisht të rrezikshme më kapte për krahu; ngaqë gjithë vëmendjen e kishte te biseda. Shëtitjet janë një pjesë e përhershme e jetës në Rusi – si pirja e çajit apo diskutimet e gjata filozofike – një pjesë që ai me sa duket e donte. Ne morëm një rrugë shumë të tërthortë për në Klubin e Shkrimtarëve. Shëtitja zgjati rreth dyzet minuta. Në fillim i hyri një diskutimi të hollësishëm për artin e përkthimit. Herë pas here ndalonte për të pyetur për situatën politike e letrare në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara. Tha se rrallë lexonte gazeta. Por në fakt dukej jashtëzakonisht i informuar për jetën letrare jashtë vendit; dukej se i interesonte shumë.
Që në çastin e parë mbeta e magjepsur dhe e mbresuar nga ngjashmëria e të folurës së Pasternakut me poezinë e tij – plot aliteracione dhe imazhe të pazakonta. Ai i lidhte fjalët me njëra-tjetrën në mënyrë muzikore, pa u dukur në asnjë çast i ndikuar apo se ka sakrifikuar kuptimin e saktë. Për dikë që e njeh vargun e tij në rusisht, të kesh biseduar me Pasternakun është përvojë e paharrueshme. Kuptimi i fjalëve të tij ishte aq vetjak, saqë ndihej se biseda ishte deri diku vazhdimi, përpunimi i një poezie, një ligjërim i nxituar, me valë fjalësh dhe imazhesh që ndiqnin njëra-tjetrën në një kreshendo. Më vonë, vura re cilësinë muzikore të të folurës. “Në të shkruar si në të folur,” – tha ai, “muzika e fjalës nuk është kurrë vetëm çështje tingulli. Nuk del nga harmonia e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve. Ajo del nga lidhja midis ligjërimit dhe kuptimit. Dhe kuptimi – përmbajtja – duhet gjithmonë të udhëheqë”.
Shpesh e kisha të vështirë të besoja se po flisja me një burrë shtatëdhjetë vjeç; Pasternaku dukej jashtëzakonisht i ri dhe me shëndet të mirë. Kishte diçka paksa të çuditshme dhe të penguar në këtë rini, diku diçka – të ishte art? – e përzier me vetë thelbin e njeriut për ta ruajtur atë. Lëvizjet e tij ishin krejtësisht rinore – gjestet e duarve, mënyra se si e kthente kokën pas. Mikja e tij poetja Marina Cvetajeva, kishte shkruar dikur: “Pasternaku duket në të njëjtën kohë edhe si një arab edhe si kali i tij”. Dhe me të vërtetë, me ngjyrën e errët dhe me tiparet disi arkaike, Pasternaku kishte deri diku një fytyrë arabe. Në çaste të caktuara dukej se befas u bë i vetëdijshëm për ndikimin e fytyrës së tij të jashtëzakonshme, të gjithë personalitetit të tij. U duk se u tërhoq për një çast, duke mbyllur përgjysmë sytë ngjyrë kafe të errët, ktheu kokën, duke më kujtuar në mënyrë të paqartë një kalë që nuk do të ecë përpara.
Disa shkrimtarë në Moskë më kishin thënë – shumica e tyre nuk e njihnin personalisht – se Pasternaku ishte i dashuruar me imazhin e vet. Por më pas më thanë shumë gjëra kundërthënëse për të në ato pak ditë që kalova në Moskë. Pasternaku dukej një legjendë e gjallë – një hero për disa, një njeri që u ishte shitur armiqve të Rusisë për të tjerët. Admirimi i fortë për poezinë e tij midis shkrimtarëve dhe artistëve ishte universal. Ishte personazhi kryesor i Doktor Zhivagos që dukej më i diskutueshëm. “Asgjë veçse një intelektual i rraskapitur, pa asnjë interes”, – kishte thënë një poet i ri i njohur, si shumë liberal dhe admirues i madh i poezisë së Pasternakut. Në çdo rast, kuptova se nuk ishin të vërtetat akuza se Pasternaku ishte egocentrik. Përkundrazi, ai dukej shumë i vetëdijshëm për botën përreth dhe reagonte ndaj çdo ndryshimi të humorit tek njerëzit pranë. Është e vështirë të imagjinohet një bashkëbisedues më perceptues. Ai rrokte menjëherë mendimin më të pakapshëm. Biseda humbi çdo peshë. Pasternaku bëri pyetje për prindërit e mi. Edhe pse i kishte parë vetëm disa herë në jetën e tij, kujtoi gjithçka për ta dhe shijet e tyre. Ai kujtoi me saktësi të habitshme disa nga poezitë e tim ati që i kishin pëlqyer. Donte të dinte për shkrimtarët që njihja – rusët në Paris, francezët dhe amerikanët. Letërsia amerikane dukej se i interesonte veçanërisht, megjithëse dinte vetëm emrat e rëndësishëm. Shpejt zbulova se ishte e vështirë ta bëja të fliste për veten, gjë që shpresoja se do ta bënte.
Ndërsa ecnim nën rrezet e diellit, i tregova Pasternakut se çfarë interesi dhe admirimi kishte ngjallur Doktor Zhivago në Perëndim dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht nga fakti se për mendimin tim dhe të shumë të tjerëve, përkthimi në anglisht nuk i bënte drejtësi librit të tij. “Po”, tha ai. “Jam i vetëdijshëm për këtë interes dhe jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për këtë. Marr një sasi të madhe letrash nga jashtë për veprën time. Në fakt, ndonjëherë është një barrë e madhe, të gjitha ato pyetje që duhet t’u përgjigjem, por është e domosdoshme të mbash marrëdhëniet përtej kufijve. Sa për përkthyesit e Doktor Zhivagos, mos i fajësoni shumë. Nuk është faji i tyre. Ata përdoren, siç përdoren përkthyesit kudo, për të rikrijuar kuptimin e mirëfilltë dhe jo tonin e asaj që thuhet – dhe sigurisht toni është ai që ka rëndësi. Në fakt, i vetmi lloj përkthimi interesant është ai i klasikëve. Ka punë sfiduese. Për sa i përket letërsisë moderne, përkthimi i saj rrallë është i dobishëm, megjithëse mund të jetë i lehtë. Ju thatë se jeni piktore. Epo, përkthimi i ngjan shumë kopjimit të pikturave. Imagjinoni veten duke kopjuar një pikturë të Malevich-it; a nuk do të ishte e mërzitshme? Dhe kjo është pikërisht edhe në rastin e surrealistit të njohur çek Nezval. Ai nuk është vërtet i keq, por i gjithë kjo letërsia e të njëzetave është plakur tmerrësisht. Ky përkthim, të cilin kam premtuar se do ta përfundoj dhe letërkëmbimi im, më marrin shumë kohë”.
Olga Andreyeva Carlisle: A keni vështirësi në marrjen e letrave nga jashtë vendit?
Boris Pasternak: Tani për tani i marr të gjitha, besoj, gjithçka më dërgojnë. Janë shumë dhe më vjen mirë që i marr, megjithëse jam i shqetësuar nga numri i madh dhe detyrimi për t’iu përgjigjur të gjithave. Siç mund ta imagjinosh, disa nga letrat që marr për Doktor Zhivagon janë shumë absurde. Kohët e fundit dikush që shkruante për doktor Zhivagon në Francë pyeste për planin e romanit. Mendoj se ai turbullon ndjenjën franceze të rendit… Por çfarë marrëzie, sepse plani i romanit përvijohet nga poezitë që e shoqërojnë. Kjo është pjesërisht arsyeja pse zgjodha t’i botoj krahas romanit. Ata janë aty edhe për t’i dhënë romanit më shumë trup, më shumë larmi. Për të njëjtën arsye përdora simbolikën fetare, për t’i dhënë ngrohtësi librit. Tani disa kritikë janë mbështjellë aq shumë me ato simbole, të cilat janë vendosur në libër ashtu si futen sobat në shtëpi, për ta ngrohur atë, kurse ata do të donin që unë të ngjitesha në sobë.
A i keni lexuar esetë kritike të Edmund Wilson-it për Dr. Zhivago-n?
“Po, i kam lexuar dhe e kam vlerësuar perceptimin dhe inteligjencën e tyre, por duhet të kuptoni se romani nuk duhet të gjykohet në linja teologjike. Asgjë nuk shkon përtej mënyrës si e kuptoj unë botën. Njeriu duhet të jetojë dhe të shkruajë pareshtur, me ndihmën e mundësive të reja që ofron jeta. Jam lodhur nga nocioni i besnikërisë me çdo kusht ndaj një këndvështrimi. Jeta rreth nesh po ndryshon vazhdimisht dhe unë besoj se njeriu duhet të përpiqet të ndryshojë këndshikimin e tij në përputhje me rrethanat, të paktën çdo dhjetë vjet. Përkushtimi i madh heroik ndaj një këndvështrimi është krejt i huaj për mua, është mungesë përulësie. Majakovski vrau veten sepse krenaria e tij nuk do të pajtohej me të rejat që ndodhin brenda vetes së tij – apo rreth tij.
Olga Andreyeva Carlisle: Duke ecur, kishim arritur te një portë pranë një gardhi të gjatë e të ulët prej druri. Pasternaku ndaloi. Ai do të hynte atje, Biseda jonë e kishte bërë tashmë të ishte pak vonë. I thashë mirupafshim, me keqardhje. Kishte kaq shumë gjëra për të cilat doja ta pyesja. Pasternaku më tregoi rrugën për në stacionin hekurudhor, shumë afër, tatëpjetë nga pas varrezave. Një tren i vogël elektrik më çoi në Moskë në më pak se një orë.
Dy vizitat e mia të mëvonshme me Pasternakun shkrihen në kujtesën time në një bisedë të gjatë letrare. Edhe pse nuk pranoi të më jepte një intervistë zyrtare (“Për këtë, duhet të kthehesh kur të jem më pak i zënë, ndoshta vjeshtën e ardhshme) dukej i interesuar për pyetjet që doja t’i bëja. Përveç kohës kur hanim vaktet, ishim vetëm dhe nuk na ndërpriste njeri. Të dyja herët kur isha gati të largohesha, Pasternaku më puthi dorën në mënyrën e vjetër ruse dhe më kërkoi të kthehesha të dielën e ardhshme.
Më kujtohet se erdha në shtëpinë e Pasternakut nga stacioni hekurudhor, në muzg, duke bërë një rrugë të shkurtër që e kisha mësuar, pranë varrezave. Papritur era u bë shumë e fortë; po fillonte një stuhi bore. Mund të shihja borën që fluturonte në tallaze të mëdha të rrumbullakëta përtej dritave të largëta të stacionit. U errësua shumë shpejt. E kisha të vështirë të ecja kundër erës. E dija se ky ishte moti i zakonshëm i Rusisë, por ishte stuhia e parë e vërtetë e borës që shihja. Ajo më kujtonte poezitë e Pushkinit dhe Bllokut, më sillte ndërmend poezitë e hershme të Pasternakut dhe stuhitë e borës së Doktor Zhivagos. Të ishe në shtëpinë e tij disa minuta më vonë dhe të dëgjoje fjalitë e tij eliptike aq të ngjashme me vargjet e tij, dukej e çuditshme.
Kisha mbërritur shumë vonë për të marrë pjesë në vaktin e mesditës. Familja e Pasternakut kishte dalë në pension, shtëpia dukej e shkretë. Pasternaku këmbënguli që të haja diçka dhe kuzhinierja solli pak mish dreri dhe vodka në dhomën e ngrënies. Ishte rreth orës katër dhe dhoma ishte e errët dhe e ngrohtë, e mbyllur nga bota me vetëm zhurmën e borës dhe të erës jashtë. Kisha uri dhe ushqimi ishte i shijshëm. Pasternaku u ul matanë tavolinës duke diskutuar për gjyshin tim, Leonid Andreyev-in. Kishte lexuar kohët e fundit disa nga tregimet e tij dhe i kishin pëlqyer. “Ata mbajnë vulën e atyre autorëve të shkëlqyer rus të një mijë e nëntëqindës. Ato vite tani po zvogëlohen në kujtesën tonë, e megjithatë duken në mendje si male të mëdha që shihen në largësi, të pamasa. Andreyev-i ishte nën një magji niçeane, ai mori nga Niçe (Nietzsche) shijen e tij për teprimet. Kështu bëri Scriabin-i. Niçe përmbushi mallin rus për ekstremen, absoluten. Në muzikë dhe letërsi, burrat duhej të kishin këtë shtrirje të madhe përpara se të fitonin specifiken, të bëheshin vetvetja”.
Pasternaku më tregoi për një shkrim që kishte shkruar së fundmi për një revistë me temën “Çfarë është njeriu” “Sa i modës së vjetër duket Niçe, ai që ishte mendimtari më i rëndësishëm në ditët e rinisë! Çfarë ndikimi i madh – në shekullin e nëntëmbëdhjetë e qindra rusë.
U errësua pak në dhomën e ngrënies dhe u zhvendosëm në një dhomë të vogël ndenjjeje në të njëjtin kat ku ishte ndezur një dritë. Pasternaku më solli tangjerina si ëmbëlsirë. I hëngri me një ndjenjë të çuditshme të diçkaje të përjetuar, ato shfaqen në veprën e Pasternakut shumë shpesh në fillimin e Dr. Zhivagos. Duket se simbolizojnë një lloj rituali të shuarjes së etjes. Dhe më pas pata një tjetër përjetim të gjallë të një poezie të Pasternakut, si stuhia e borës që shpërtheu jashtë si një piano e hapur, e zezë dhe e madhe, duke mbushur pjesën më të madhe të dhomës: “E ja, pra më të afërt jemi. /Në muzg këtupari, /muzika shpërhapet/ mbi flakë, vit pas viti, /si faqet e një ditari. * [“Pianoja po dridhet”, “Tema dhe variacione”.]
Në këto mure, si në dhomën e ngrënies, kishte skica të Leonid Pasternakut. Atmosfera ishte serioze dhe e qetë. Më dukej një kohë e mirë për t’i bërë Pasternakut një pyetje që më interesonte shumë. Kisha dëgjuar nga njerëz që e kishin parë ndërsa po punonte për Doktor Zhivagon se ai kishte hedhur poshtë shumicën e vargjeve të tij të hershme si tepër eksperimentale dhe të vjetruara. E kisha të vështirë ta besoja. Ka një përsosmëri klasike te “Temat dhe Variacionet” dhe “Motra ime”, “Jeta”, eksperimentale siç ishin në vitet 1920. E kisha të vështirë ta besoja. Kuptova se shkrimtarët dhe poetët në Rusi i njihnin përmendësh dhe i recitonin me pasion. Shpesh mund të gjendje ndikimi i Pasternakut në vargjet e poetëve të rinj, Majakovski dhe Pasternaku, secili në mënyrën e vet, janë vetë simboli i viteve të Revolucionit dhe 19208 -ës. Atëherë arti dhe idetë revolucionare dukeshin të pandashme. Mjaftonte të lije veten të përfshiheshe nga vala e ngjarjeve dhe ideve mbizotëruese. Kishte më pak zgjedhje zemërthyese për të bërë (dhe unë zbulova një mall të madh për ato vite nga ana e intelektualëve të rinj rusë) A ishte e vërtetë që Pasternaku i hodhi poshtë ato krijime të hershme? Në përgjigjen e Pasternakut, ndjeva një ton të lehtë acarimi. Ndoshta sepse nuk i pëlqente të admirohej vetëm për ato poezi, por a e kuptonte se ato ishin ndoshta të patejkalueshme? Apo ishte thjesht lodhja e përgjithshme e artistit të pakënaqur me arritjet e kaluara, i shqetësuar vetëm për problemet e tanishme artistike?
Pasternaku: “Ato poezi ishin si skica të shpejta – krahasojini me veprat e më të vjetërve, Dostojevski dhe Tolstoi nuk ishin thjesht romancierë, Blloku nuk ishte thjesht poet. Në mes të letërsisë, të gjërave të zakonshme, të konvencioneve, të emrave të vendosur, ata ishin tre zëra që flisnin sepse kishin diçka për të thënë dhe zërat e tyre ngjanin si bubullima. Për sa i përket viteve njëzetë, merrni si shembull tim at. Sa shumë kërkime, çfarë përpjekjesh për të përfunduar një nga pikturat e tij! Ose suksesi në vitet njëzet ndodhte pjesërisht për shkak të rastësisë. Brezi im e gjeti veten në vatrën kryesore të historisë. Veprat tona u diktuan nga koha. U mungonte universalja; tani janë vjetëruara. Për më tepër, besoj se nuk është më e mundur që poezia lirike të shprehë pafundësinë e përvojës sonë, jeta është bërë shumë e rëndë, shumë e ndërlikuar. Kemi fituar vlera të cilat më së miri shprehen në prozë. Jam përpjekur t’i shpreh përmes romanit tim, i kam parasysh teksa shkruaj dramën time”.
Po Zhivago? A e ndjeni ende, siç u keni thënë prindërve të mi në 1957, se ai është figura më domethënëse e veprës suaj?
“Kur shkrova Doktor Zhivagon, kisha ndjesinë e një borxhi të madh ndaj bashkëkohësve të mi. Ishte një përpjekje për ta shlyer. Kjo ndjesi e borxhit ndaj tyre ishte e madhe ndërsa unë ngadalë ecja përpara me romanin. Pas aq shumë vitesh duke shkruar vetëm poezi lirike ose duke përkthyer, m’u duk se ishte detyra ime të bëja një paraqitje të epokës sonë të atyre viteve të largëta e megjithatë të afërta për ne. Koha nuk priste, doja të regjistroja të shkuarën dhe ta nderoja te Doktor Zhivago aspektet e bukura dhe të ndjeshme të Rusisë së atyre viteve. Ato ditë nuk do të kthehen më. Ose të atyre ditëve të etërve dhe të parëve tanë, por në lulëzimin e madh të së ardhmes parashikoj se vlerat e tyre do të ringjallen. Jam përpjekur t’i përshkruaj ato. Nuk e di nëse Doktor Zhivago është plotësisht i suksesshëm si roman por me të gjitha mangësitë e tij kam ndjesinë se ka më shumë vlerë se poezitë e mia të hershme. Është më i bukur, më human se veprat e rinisë sime”.
Ndër bashkëkohësit tuaj në vitet njëzet, cilët mendoni se ia kanë dalë më mirë?
Ju e dini se si ndihem për Majakovskin. E kam thënë gjerësisht në autobiografinë time, “Sjellje e sigurt”. Jam indiferent ndaj shumicës së veprave të tij të mëvonshme, me përjashtim të poemës së tij të fundit të papërfunduar, rënia e formës, varfëria e mendimit, pabarazia karakteristike e poezisë së asaj periudhe janë të huaja për mua. Por ka përjashtime. E dua të gjithë veprën e Eseninit, i cili përkap aq mirë erën e karrocave ruse. E vendos Cvetajevën më lart, ishte poete e formuar që në fillimet e saj, Në një epokë shtiracake kishte zërin e saj njerëzor, klasik. Ajo ishte një grua me shpirt burri. Lufta me jetën e përditshme i dha forcë. U përpoq dhe arriti qartësi të përsosur. Ajo është poete më e madhe se Ahmatova, thjeshtësia dhe lirizmi e së cilës e kam admiruar gjithmonë. Vdekja e Cvetajevës ishte një nga trishtimet më të mëdha të jetës sime”.
Po Andrei Beily, kaq me ndikim në ato vite? “Beily ishte shumë hermetik, shumë i kufizuar. Shtrirja e tij është e krahasueshme me atë të muzikës së dhomës – asnjëherë më e madhe. Nëse do të kishte vuajtur vërtet, mund të kishte shkruar veprën kryesore për të cilën ishte i aftë. Por nuk njohu jetën reale. A është ndoshta ky fati i shkrimtarëve që vdesin të rinj si Beily, kjo magjepsje me format e reja? Kurrë nuk i kam kuptuar ato ëndrrat e një gjuhe të re, e një forme shprehjeje krejtësisht origjinale. Për shkak të kësaj ëndrre, shumica e veprës në vitet njëzet ishte eksperimentim stilistik i cili ka pushuar së ekzistuari. Zbulimet më të jashtëzakonshme bëhen kur artisti mbytet nga ajo që ka për të thënë. Pastaj përdor gjuhën e vjetër për nevojat e tij të ngutshme dhe gjuha e vjetër shpërndërrohet nga brenda. Edhe në ato vite dikush ndjente pak keqardhje për Beily-n sepse ai ishte aq i shkëputur nga jeta reale, e kundërta mund ta kishte ndihmuar të lulëzonte gjenialitetin e tij”.
Po poetët e rinj të sotëm? “Më bën përshtypje shkalla në të cilën që poezia duket si pjesë e jetës së përditshme për rusët. Botimet e njëzet mijë vëllimeve me poezi nga poetë të rinj janë të mahnitshme për një perëndimor, por në fakt poezia në Rusi nuk është aq e gjallë sa mund të mendoni. Është mjaft e kufizuar në një grup intelektualësh. Dhe poezia e sotme shpesh është shumë e zakonshme. Është si modeli i një letre muri, mjaft e këndshme, por pa arsye të vërtetë ekzistence. Sigurisht që disa të rinj shfaqin talent, për shembull Jevtushenko”.
A nuk do të thoshit, megjithatë, se gjysma e parë e shekullit të njëzetë rus është një kohë e arritjeve të larta më shumë në poezi se në prozë?
Nuk mendoj se është më kështu. Besoj se proza është sot prozë deri diku e stërholluar dhe e pasur si ajo e Folknerit. Vepra e sotme duhet të krijojë segmente të plota jete. Këtë po përpiqem të bëj në dramën time të re. Po them po e provoj sepse jeta e përditshme po zgjerohet dhe po bëhet shumë e ndërlikuar për mua. Mund të ndodh kështu kudo me një shkrimtar të mirënjohur, por unë nuk jam i përgatitur për një rol të tillë. Nuk më pëlqen të mos kem jetën private dhe qetësinë time. Më duket se në rininë time vepra ishte pjesë integrale e jetës, e cila përfshinte çdo gjë tjetër në të. Tani është diçka për të cilën duhet të luftoj. Të gjitha këto kërkesa nga studiuesit, redaktorët, lexuesit nuk mund të anashkalohen, por bashkë me përkthimet më gllabërojnë kohën. Duhet t’u thuash njerëzve jashtë vendit që tregojnë interes për mua se ky është problemi im i vetëm serioz, kjo mungesë e tmerrshme kohe”.
Olga Andreyeva Carlisle: Vizita ime e fundit me Pasternakut ishte shumë e gjatë. Më kishte kërkua të veja herët, që të bisedonim para darkës e cila do të ishte një festë familjare. Ishte përsëri një e diel me diell. Mbërrita pak para se Pasternaku të kthehej nga shëtitja e mëngjesit. Ndërsa më shoqëruan për në dhomën e tij, shtëpia jehonte nga zëra gazmorë. Diku në pjesën e pasme të saj ishin mbledhur anëtarët e familjes së tij. Studioja e Pasternakut ishte një dhomë e madhe, në katin e dytë. Ashtu si pjesa tjetër e shtëpisë, kishte pak mobilje, një tryezë të madhe shkrimi pranë dritares, disa karrige, një divan. Drita që vinte nga dritarja që binte mbi sipërfaqen e madhe me dëborë ishte madhështore. Në muret prej druri gri të çelur kishte të mbërthyera një mori kartolinash arti. Kur ai hyri brenda, Pasternaku më shpjegoi se të gjitha i ishin dërguar nga lexuesit, më së shumti nga jashtë. Shumë ishin riprodhime të skenave fetare, skena të lindjeve në mesjetë, Shën Gjergji duke vrarë dragojt, Shën Magdalena. Ato ishin të lidhur me temat e Doktor Zhivagos.
Pas shëtitjes, Pasternaku dukej vërtetë mirë. Kishte veshur një xhaketë sportive me pamje rinore dhe dukej që ishte me humor të mirë. U ul në tryezën pranë dritares dhe më ftoi të ulesha përballë tij. Ashtu si në raste të tjera, atmosfera ishte e çlirët dhe megjithatë me përqendrim të madh. Mbaj mend se si Pasternaku dukej i gjallëruar, kaq gazmor dhe rrezet e diellit nga dritarja ishin të ngrohta. Ndërsa ndjenjëm ulur atje për dy orë ose më shumë, ndjeva një dëshirë të madhe për t’i zgjatur ato çaste, do të largohesha nga Moska ditën e dytë, por rrezet e ndritshme të diellit që vërshonin në dhomë u bënë më të zbehta me kalimin e kohës. Pasternaku vendosi të më tregonte për dramën e re. Mendoi ta bënte këtë aty për aty. Krejt e magjepsur, e dëgjova – rrallë e ndërpreva. Një ose dy herë, e pasigurt për ndonjë aluzion historik apo letrar, i kërkova shpjegime.
Pasternaku: Mendoj se për shkak të prejardhjes suaj – aq afër ngjarjeve të shekullit të nëntëmbëdhjetë rus, do t’u duket me interes projekti i veprës sime të re. Po shkruaj një trilogji. Kam shkruar rreth një të tretën. Dua të rikrijoj një epokë të tërë historike, shekullin e nëntëmbëdhjetë në Rusi me ngjarjen e saj kryesore, çlirimin e bukrobërve. Natyrisht, kemi shumë vepra për atë kohë, por nuk ka një trajtim modern të saj. Dua të shkruaj diçka panoramike, si “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit. Shpresoj që dramat e mia të jenë po aq reale, po aq të përfshira me jetën e përditshme sa “Shpirtrat e vdekur”. Edhe pse do të jenë të gjata, shpresoj që të luhen në skenë brenda një mbrëmjeje. Mendoj se shumica e shfaqjeve duhet të shkurtohen për t’u vënë në skenë. E admiroj anglishten për të mësuar se si të shkurotjë Shekspirin, jo vetëm për të mbajtur atë që është thelbësore, por për të theksuar atë që është e rëndësishme. Comédie Française ka ardhur në Moskë kohët e fundit. Ata nuk e shkurtojnë Racine -in dhe mendoj se bëjnë shumë gabim. Vetëm ajo që është shprehëse sot, ajo që funksionon në mënyrë dramatike duhet të vihet në skenë.
Trilogjia ime trajton tre momente domethënëse në procesin e gjatë të çlirimit të bujkrobërve. Ngjarjet e dramës së parë zhvillohen në vitin 1840 – atëherë kur trazirat e shkaktuara nga bujkrobëria u ndien për herë të parë në të gjithë vendin. Sistemi i vjetër feudal është lënë pas, por asnjë shpresë e prekshme nuk është shfaqur ende për Rusinë. E dyta ka të bëjë me vitet 1860. Shfaqen pronarët liberalë të tokave dhe ndër aristokratët më të mire rus fillojnë të trazohen thellë nga idetë perëndimore. Ndryshe nga dy dramat e para, ngjarjet e të cilave zhvillohen në një pronë të madhe fshati, ngjarjet e pjesës së tretë zhvillohen në Shën Petersburg në vitet 1880. Por kjo pjesë është ende projekt, ndërsa drama e parë dhe e dytë janë pjesërisht të shkruara, mund t’ju tregoj me detaje për to nëse dëshironi. Drama e parë përshkruan jetën në nivelin më të ulët, më të zakonshëm, në mënyrën e “Shpirtrave të vdekur”, ekzistenca para se të jetë prekur nga ndonjë përmasë shpirtërore.
“Imagjinoni një pronë të madhe të humbur në zemër të Rusisë fshatare rreth vitit 1840. Është e lënë shumë pas dore, gati duke falimentuar. I zoti i pronës, Konti dhe gruaja e tij, janë larguar. Kanë shkuar në një udhëtim për të shmangur spektaklin e dhimbshëm të caktimit me anë të një shorti se cilët nga fshatarët e tyre duhet të shkojnë në ushtri. Siç e dini, shërbimi ushtarak zgjaste njëzet e pesë vjet në Rusi në ato kohë. Padronët janë gati të rikthehen dhe familja po përgatitet për t’i pritur. Në skenën e hapjes shohim shërbëtorët që pastrojnë shtëpinë duke fshirë pluhurat, duke varur perde të reja. Ka shumë pështjellim, të qeshura dhe shaka mes shërbëtoreve të reja.
“Në fakt, kohët janë të trazuara në këtë pjesë të fshatit rus. Së shpejti gjendja shpirtërore midis shërbëtorëve bëhet më e zymtë. Nga bisedat e tyre mësojmë se ka banditë të fshehur në pyjet fqinje; ndoshta janë ushtarë të arratisur. Dëgjojmë edhe për legjendat që rrethojnë pronën, si ajo e vrasëses shtëpiake nga koha e Katerinës së Madhe. Ajo ishte një grua sadiste, figurë aktuale historike që kënaqej duke tmerruar dhe torturuar bujkrobërit, krimet e saj ishin aq ekstreme në një kohë kur çdo gjë ishte e lejuar. Shërbëtorët flasin edhe për një bust gipsi që mbahet në një dollap. Është koka e një të riu të bukur me model flokësh të shekullit të tetëmbëdhjetë. Ky bust thuhet se ka një pamje magjike. Fati i tij lidhet me atë të pronës. Për këtë arsye duhet të pastrohet nga pluhuri me kujdes të jashtëzakonshëm, që të mos thyhet.
Personazhi kryesor në shfaqje është Prokori, rojtari i pronës. Ai është gati të shkojë në qytet për të shitur dru dhe grurë, në pronë jetojnë nga shitje të tilla, por i bashkohet gjendjes së përgjithshme shpirtërore në vend që të shkojë atje. Ai kujton disa kostume të vjetra maskarade të ruajtura në një dollap dhe vendos t’u luajë një rreng shokëve të tij shërbëtorë besëtyt. Vishet si një djall i fryrë me sytë si peshk. Në momentin që del me kostumin e tij grotesk, shpallet mbërritja e padronit. Me nxitim shërbëtorë rreshtohen te hyrja për të mirëpritur Kontin dhe gruan e tij. Prokori nuk ka zgjedhje tjetër veçse të fshihet në një dollap.
Ndërsa konti dhe kontesha hyjnë, ne fillojmë menjëherë të ndiejmë se ka një tension të madh mes tyre dhe zbulojmë se gjatë udhëtimit për në shtëpi, Konti po përpiqej të detyronte të shoqen t’i jepte bizhuteritë e saj dhe gjithçka që kishte mbetur përveç pasurisë së hipotekuar. Ajo nuk kishte pranaur dhe kur ai e kërcënoi me përdorimin e dhunës, një shërbëtor i ri që udhëtonte me ta e mbrojti zonjën me një kundërshtim të pabesueshëm. Ai nuk është dënuar ende, por është vetëm çështje kohe para se zemërimi i Kontit të lëshohet kundër tij.
“Ndërsa Konti ripërtërin kërcënimet ndaj konteshës, shërbëtori i ri, i cili gjithsesi nuk ka asgjë për të humbur, befas merr njërën nga pistoletat e Kontit që sapo janë sjellë nga karroca. Qëllon mbi Kontin. Ka një panik të madh dhe shërbëtorët nisin të vrapojnë duke bërtitur. Statuja e gipsit bie nga dollapi dhe ndahet në një mijë copa. Statuja plagos një nga shërbëtoret e reja, duke e verbuar. Ajo është Bukuroshja e Verbër e cila i jep titullin trilogjisë. Titulli është natyrisht, simbolikë për Rusinë, e pavëmendshme për kaq gjatë për bukurinë dhe fatet e saj. Edhe pse ajo është një bujkrobe, bukuroshja e verbër është edhe artiste; është edhe një këngëtare e mrekullueshme, një pjesëtare e rëndësishme e korit të bujkrobërve aty.
“Ndërsa Konti i plagosur po nxirret jashtë, kontesha, e padukshme në atë pështjellim, ia dorëzon bizhuteritë e saj shërbëtorit të ri, i cili arrin të arratiset. Është Prokori i gjorë, ende i veshur si një djall dhe i fshehur në dollap, i cili akuzohet se i ka vjedhur. Meqenëse kontesha nuk e zbulon të vërtetën, ai dënohet për vjedhjen dhe dërgohet në Siberi. Siç e shihni, e gjithë është shumë melodramatike, por mendoj se teatri duhet të përpiqet të jetë emocionues, plot ngjyra. Mendoj se të gjithë janë të lodhur nga skenat ku asgjë nuk ndodh. Teatri është arti i emocioneve dhe i konkretes. Tani po punoj me dramën e dytë. Tani për tani është e ndarë në skena të veçanta, Mjedis është i njëjti, rrethanat kanë ndryshuar. Jemi në vitin 1860, në prag të çlirimit të bujkrobërve, prona tani i përket një nipi të Kontit. Ai do t’i kishte liruar bujkrobërit e tij, por ka frikë se mos dëmton kauzën e përbashkët. Nipi përqafon ide liberale dhe i pëlqejnë artet. Pasioni i tij është teatri. Ai ka një shoqëri të jashtëzakonshmeme një trupë teatrale. Natyrisht, aktorët janë bujkrobërit e tij, por reputacioni i tyre përhapet në të gjithë Rusinë. Djali i gruas së re të verbuar në dramën e parë është aktori kryesor i grupit. Ai është edhe heroi i kësaj pjese të triogjisë. Quhet Agafon, një aktor jashtëzakonisht i talentuar. Konti i ka siguruar një arsimim të jashtëzakonshëm. Shfaqja hapet me një stuhi dëbore”.
Pasternaku e përshkroi me lëvizje të forta të duarve të tij. “Një mysafir i shquar pritet në pronë, dhe pikërisht Aleksandër Dyma, i cili asokohe udhëtonte në Rusi. Ai është i ftuar të marrë pjesë në premierën e një drame të re. Drama quhet “Vetëvrasja”. Mund ta shkruaj si një dramë brenda dramës si te “Hamleti”, do të doja të shkruaja një melodramë në shijen e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. “Aleksandër Dyma dhe shoqëruesit e tij janë në një stacion treni jo shumë larg nga prona. Prokori është kthyer nga Siberia, sipas disave u lirua kur kontesha e zbuloi pafajësinë e tij në shtratin e vdekjes. E megjithatë, pavarësisht ardhjes së kohëve të reja, skena në bujtinë u bën jehonë elementëve pothuajse mesjetarë të dramës së parë. Ata po udhëtojnë për në vendbanimin e tyre thellë në pyll, sepse sipas zakonit, nuk u lejohet të jetojnë me njerëz të tjerë. Një skenë shumë e rëndësishme zhvillohet, kur gjysma e të ftuarve janë atje. Ka një diskutim të gjatë për artin midis Aleksander Dymas dhe Agafonit”.
Deri në fund të përshkrimit të tij të trilogjisë, Pasternaku dukej se fliste me nxitim. Koha e darkës kishte shumë kohë që kishte kaluar. Ai i hidhte një sy herë pas here orës së tij. Por, pavarësisht se nuk kishte mundësi të sqaronte rrymat filozofike që do t’i jepnin trup kuadrit të çuditshëm të dramave, ndjeva se kisha qenë dëshmitar e një evokimi të jashtëzakonshëm të së kaluarës ruse.
Ndërsa zbritëm në dhomën e ngrënies, familja tashmë ishte ulur rreth tryezës së madhe. “A nuk ngjajnë si një pikturë impresioniste?”, pyeti Pasternaku. Me barbarozë në sfond dhe këtë dritë pasditeje? Ka një pikturë të Simonit pikërisht si kjo.
Të gjithë u ngritën në këmbë kur hymë dhe qëndruan në këmbë ndërsa Pasternaku më prezantoi rreth tryezës. Përveç zonjës Pasternak, dy nga djemtë e Pasternakut ishin atje, djali më i madh nga martesa e parë dhe djali më i vogël, i cili ishte tetëmbëdhjetë a njëzet vjeç – një djalë i pashëm, i zeshkët, ngjante shumë me nënën e tij. Ai studionte fizikë në Universitetin e Moskës. I ftuar ishte edhe profesor Nihausi. Ai është mësues i famshëm i Shopenit në Konservatorin e Moskës, me të cilin zonja Pasternak ishte martuar dikur. Ishte mjaft i moshuar, me mustaqe të modës së vjetër, shumë simpatik dhe me shije të hollë. Ai pyeti për Parisin dhe muzikantët që ishin të njohur të përbashkët. Ishin edhe dy zonja në tavolinë, lidhjen e të cilave me familjen Pasternak nuk e mësova. Unë isha ulur në të djathtë të Pasternakut dhe zonja. Pasternaku ishte ulur në të majtë të tij. Tavolina ishte e shtruar thjeshtë, me një mbulesë tavoline të bardhë prej liri rus të qëndisur kryq me fije të kuqe dhe enë porcelani shumë të thjeshta. Kishte një vazo me mimozë në mes dhe tasa me portokaj dhe mandarina. Të ftuarit ia kaluan njëri-tjetrit ndërsa Pasternaku derdhi vodkën. Kishte havjar, harengë, turshi, perime. Të ngrënët eci me ritëm të ngadalë. Kuzhinieri shërbeu një gatim të shijshëm prej shpesësh gjahu.
Biseda ishte e përgjithshme. U diskutua për veprat e Heminguejt. Dimrin e kaluar ai ishte një nga autorët më të lexuar në Moskë. Sapo ishte botuar një përmbledhje e re e shkrimeve të tij. Zonja Pastermak dhe zonjat në tavolinë vërejtën se Heminguejt iu dukej monoton me gjithë ato pije të pafundme, dhe pak gjë që u ndodh heronjve të tij. Pasternaku, i cili kishte ndenjur i heshtur për ca kohë, nuk ishte dakord, madhështia e shkrimtarit nuk ka të bëjë fare me temën, apo vetëm me atë se sa e prek tema autorin. Është dendësia e stilit që ka rëndësi. Nëpërmjet stilit të Hemingejt ndien materien, hekurin, drurin”. Ai u vinte pikë fjalive të veta me duar, duke i shtrënguar ato në drurin e tavolinës. “E admiroj Heminguejn, por parapëlqej atë që di për Folknerin. “Dritë e gushtit” është libër i mrekullueshëm. Personazhi i gruas së re, shtatzënë është i paharrueshëm. Ndërsa ecën nga Alabama në Tenesi, ka diçka nga pafundësia e Jugut të Shteteve të Bashkuara, nga thelbi i saj, i cili përkapet për ne që nuk kemi qenë kurrë atje”.
Më vonë biseda u kthye te muzika. Profesor Nibausi dhe Pasternaku diskutuan për interpretimin e shkëlqyer të Shopenit. Pasternaku tha se sa shumë e donte Shopenin, dje e kishte dëgjuar. Shopeni përdori gjuhën e vjetër Moxartiane për të thënë diçka krejtësisht të re, sepse forma ishte ripërtëritur nga brenda. Gjithsesi, besoj se Shopeni konsiderohet paksa i modës së vjetër në Shtetet e Bashkuara. I dhashë Stephen Spender-it një pjesë mbi Shopenin e cila nuk u botua”.
I thashë se sa shumë i pëlqente Gide-s të luante Shopenin. Pasternaku nuk e dinte dhe ishte i kënaqur që e dëgjoi. Biseda vazhdoi për Prustin, të cilin Pasternaku po e lexonte ngadalë në atë kohë. “Tani që po i afrohem fundit të “Në kërkim të kohës së humbur”, jam i befasuar nga mënyra se si i bën jehonë disa prej ideve që na përthithën në vitin 1910. I kam renditur në ligjëratën mbi “Simbolizmin dhe pavdekësinë” që mbajta një ditë më para se të vdiste Tolstoi kurse në Astapovo shkova me tim at. Teksti i tij ka kohë që ka humbur, por ndër shumë të tjera për natyrën e simbolizmit thuhej se, megjithëse artisti do të vdesë, lumturia e të jetuarit që ai ka përjetuar është e pavdekshme. Nëse kjo lumturi përkapet në një formë vetjke dhe megjithatë universale, në fakt mund të rijetohet nga të tjerët përmes veprës së tij.
Më ka pëlqyer gjithmonë letërsia franceze”, vazhdoi ai. “Prej atëherë, mendoj se letërsia franceze ka marrë një theks të ri, ka më pak retorikë. Vdekja e Kamys është një humbje e madhe për të gjithë ne”. (Më herët, i kisha treguar Pasternakut për fundin tragjik të Kamys, që ndodhi pak para se të vija në Moskë. Nuk ishte shkruar në shtypin rus. Kamyja nuk është përkthyer në rusisht.) “Pavarësisht nga dallimet e temave, letërsia franceze tani më është e afërt për ne. Por shkrimtarët francezë kur angazhohen për çështje politike nuk janë tërheqës. Ose me logjikën e tyre franceze mendojnë se duhet t’i çojnë ato që besojnë në përfundimin që ata duan. Mendojnë se janë absolutistë si Robespieri ose Saint-Just-i”.
Në fund të vaktit u shërbye çaj dhe konjak. Pasternaku dukej i lodhur dhe papritmas u bë i heshtur. Si gjithmonë, gjatë qëndrimit tim në Rusi, më bënë shumë pyetje për Perëndimin – për jetën kulturore apo ekzistencën e përditshme. Pas një farë kohe kuptova se dritat ishin ndezur. Pashë se ishte se kishte kaluar ora gjashtë. Më duhej të largohesha. Edhe unë ndihesha shumë e lodhur. Pasternaku më përcolli te dera e jashtme, përmes kuzhinës. U ndamë jashtë në verandën e vogël në mbrëmjen me dëborë. Isha tmerrësisht e trishtuar nga mendimi se nuk do të kthehesha më në Peredelkino. Pasternaku më mori dorën, e vuri në të tijën dhe e mbajti për një çast, duke më nxitur të kthehesha shumë shpejt. Më kërkoi edhe një herë t’u tregoja miqve të tij jashtë vendit se ishte mirë, se i kujtonte edhe pse nuk kishte kohë t’u përgjigjej letrave të tyre. Kisha ecur tashmë tutje në verandë dhe po kaloja në shtegun para shtëpisë së tij kur më thirri përsëri. Isha e lumtur që kisha një justifikim për t’u ndalur, për të kthyer kokën pas dhe për ta parë për herë të fundit Pasternakun që qëndronte kokëzbuluar, me xhaketën blu nën dritën që vinte nga dera. “Ju lutem”, thirri ai, “mos e merrni personalisht atë që thashë për letrat. Më shkruani, në çdo gjuhë që të doni. Unë do t’ju përgjigjem”.
Paris Review nr. 25, 1960.
Marrë nga ExLibris