Me rastin e 65-vjetorit të masakrës pa gjyq të 22 intelektualëve të pafajshëm, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike më 22 shkurt 1951, sot paradite në Institucionin e Presidentit të Republikës, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare me pjesëmarrjen dhe praninë e familjarëve të viktimave të pafajshme të terrorit komunist si dhe të disa ambasadorëve e intelektualëve të shquar.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” familjet e 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist në mesnatën e 26 shkurtit 1951, respektivisht familjarët e: Sabiha Kasimatit; Tefik Shehut; Jonuz Kacelit; Lluka Rashkoviçit; Thoma Katundit; Manush Peshkëpias; Hekuran Trokës; Myftar Jegenit; Anton Delhysës; Pandeli Novës; Pjerin Guraziut; Haki Kodrës; Gjon Temalit; Gafurr Jegenit; Zyhdi Herrit; Mehmet Ali Shkupit; Fadil Dizdarit; Ali Qorralliut; Niko Lezë; Petro Konomit; Qemal Kasoruhos dhe Reiz Selfos me motivacionin: “Në vlerësim të vuajtjeve dhe qëndresës ndaj diktaturës si dhe moralit të lartë të treguar në dekada përballë përndjekjes dhe represionit komunist. Në kujtesë të shembullit të këtyre familjeve, si një model i vlerave kombëtare, që duhet mbajtur gjallë për brezin e ri”.
Fjala e Presidentit Bujar Nishani
“Së pari, dëshiroj të shpreh falënderimet më të sinqerta për organizatorët e këtij aktiviteti: Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë! Dëshiroj njëkohësisht të falënderoj në mënyrë të veçantë familjarët, trashëgimtarët e atyre personaliteteve që zgjodhën së bashku me organizatorët, Institucionin e Presidentit të Republikës për të zhvilluar këtë Konferencë dhe ceremoni në kujtim të atyre personaliteteve, dhe mbi të gjitha të bazuara në themelin e një mesazhi që sot të gjithë transmetoni në këtë sallë të mos harresës.
Ka një realitet diametralisht të kundërt të asaj kohe të dhimbshme, të tmerrshme dhe barbare në krahasim me ditët e sotme. Nëse Presidenti i asaj kohe, Omer Nishani, dekretonte ekzekutimet e atyre njerëzve, – natyrisht përveç koincidencës së mbiemrit, nuk ka asnjë lidhje mes nesh – sot Institucioni i Presidentit të Republikës është i juaji. Është i juaji për të dhënë mesazhin se ne nuk harrojmë. Mbi të gjitha, në këtë fjalë dhe mesazhin tim do të doja të inkurajoj përpjekjet, që të gjithë këta organizatorë të kësaj veprimtarie kanë bërë me atë ndjenjë fisnike që ata kanë të luftës kundër harresës.
Harrimi, që sugjerojnë moralistët e vonuar apologjetë të maskuar të diktaturës, të cilët nga njëra anë predikojnë harrimin e krimeve, dhe nga ana tjetër paraqesin me një mijë mënyra një të kaluar si u intereson atyre, nëpër ekrane të caktuara, kujtime kriminelësh nëpër gazeta, harrim që kurrsesi nuk duhet injoruar dhe toleruar. JO, ne themi nuk harrojmë! Nuk mund të harrojmë.
Nuk duhet të harrojmë! Nuk kemi arsye të harrojmë. Viktimat e drejtpërdrejta të krimit barbar, të pushkatuarit, të varurit në litar, të vdekurit nën tortura, s’janë më. Por të afërmit e tyre, disa prej të cilëve ndodhen sot në këtë sallë, dëshmitarët e mbetur gjallë të tmerreve të pafundme të dergjjes me dhjetëra vite nëpër internime e burgje, janë prova e gjallë që thërret për mos-harrim.
Na ka mbledhur këtu më e pakta që mund të bëjmë për viktimat. Na ka mbledhur sot këtu, një shkak madhor, një detyrim i paevitueshëm, një borxh i pashmangshëm, një arsye shumë e lartë: kushti universal për ekzistencë dhe zhvillim, ajo pa të cilën e tashmja është tepër e vështirë dhe e ardhmja e pamundur – Kjo është kujtesa!
E ashtuquajtura hedhje e bombës në ambasadën sovjetike, ky episod kriminal i stisur në katakombat e fshehtësisë kriminale diktatoriale, me një bombë inekzistente që shkaktoi shumë më tepër viktima se do shkaktonte një bombë e vërtetë, ndryn brenda vetes aq lëndë diktatoriale, sa pa drojë mund të thuhet se brenda makabritetit të kësaj ngjarjeje është e shkruar pothuaj e gjithë historia e krimit diktatorial, karakteristikat më kriminale, tiparet më absurde, deliret më të çmendura, deformimet më të përçudnuara, që e karakterizuan diktaturën. Dyshimi, frika, pabesia, dredhia, dinakëria, intriga, manipulimi, mashtrimi: që të gjitha janë atje, tek ajo ngjarje, në qëllimin, shkakun, pasojën, dinamikën, autorët, e atij krimi diabolik. Gjithçka është inkapsuluar në atë ngjarje si simbol i egërsisë dhe i barbarisë së atij sistemi.
Ngjarja në fjalë ka një tipar specifik domethënës. Siç dihet çdo dukuri, e mirë apo e keqe, e tillë apo e atillë, ka dinamikën e vet, fazat e veta të konsumimit, fillimin, kthesat, vazhdimin, mbarimin. Ngjarja kriminale me të ashtuquajturën ‘bombë në Ambasadën Sovjetike’ përbën një moment deçiziv, një kthesë, një kulminacion të një lloji të veçantë në dinamikën e historisë së diktaturës shqiptare: Burra dhe gra totalisht të pafajshëm të cilëve sistemi u grabiti jetën. Dhe nuk u mjaftua vetëm me aq dhe me ta. Familjet e tyre u persekutuan e u degdisën në skutat e Shqipërisë ku të braktisur mbijetonin thjesht për bukën e gojës pa i mëshiruar asnjëherë deri në ndërrimin e sistemit. I gjithë ky kalvar i pamerituar ishte një krim i mirëfilltë, që kurrë nuk duhet harrur dhe ai nuk ishte një gabim i rëndomtë njerëzor.
Para asaj ndodhie, diktatori dhe ndjekësit e tij kishin bërë goxha rrugë drejt krimit, i kishin lyer tashmë duart me gjak, por gjithsesi deri para asaj ngjarjeje, qëllimin e vërtetë nuk e kishin shpallur, duart e përgjakura i fshihnin, ende nuk e kishin shfaqur të tërë tragjizmin demoniak që bartnin në ndërgjegjet e sterrosura të tyre, ende se kishin treguar plotësisht fytyrën shtazarake, ende kishin një farë ndrojtje se çfarë qëllimesh kishin në të vërtetë, se ku donin të arrinin. Ajo çetë vrastare me në krye diktatorin gjakatar që pas lufte morën peng Shqipërinë dhe shqiptarët, këtë rast e shfrytëzuan si pikë kthese, si moment të volitshëm për të larguar çdo dyshim, për të zhdukur çdo lëkundje, për ta ndarë mendjen një herë e mirë dhe për vazhduar të shkonin atje ku ishin nisur: në stalinizimin e thellë, në krimin pa kthim, në kasaphanën pa dallim, ku djalli pasi shqyen bijtë e vet, nuk e ka problem të thotë me mburrje: jam djall, jam i zi, e kam për nder!
Pas kësaj ngjarjeje ata i flakën të gjitha maskat. U zbuluan tërësisht. I dhanë fund selektivitetit. Vranë viktimat e bombës së sajuar. Mbyllën sytë dhe nisën të masakronin cilindo që u dilte përpara ose u dukej se u kishte zënë rrugën. Internuan e burgosën gjithkënd që u fanepsej nëpër ëndrra. Nuk bënë më asnjë dallim as për shokë lufte, as familjarë, bij, bija, nipër, mbesa, farefis e kështu me radhë. Pra nisën rrugën e pandalur drejt humnerës së pashmangshme ku përfundojnë të gjithë diktatorët për t’u mbytur në pellgun e gjakut që derdhin vetë.
Makabriteti që përkujtojmë sot vetvetiu të sjell ndërmend një çështje madhore: qasjen ndaj krimeve të së kaluarës diktatoriale. Qasjet janë nga më të ndryshmet. Ne e dimë se çfarë do bëjmë dhe e dimë se si do ta bëjmë. Natyrisht që nuk do merremi gjithë kohën me të kaluarën, se do ishte e tepërt dhe kontraproduktive. Nuk do merremi as gjithë kohën me të tashmen e të ardhmen, se nuk bën sens dhe do të ishte pa logjikë. Ajo që do bëjmë, mendoj unë dhe sa mundemi po e bëjmë, është së pari, të mos harrojmë. Të mos harrojmë se ciflat e asaj bombe inekzistente ende vrasin, ende gjakosin, ende ndotin. Të mos harrojmë ato bij e bija, sidomos gratë, nënat, vajzat e atyre familjeve që u iku jeta burgjeve dhe baltërave të internimeve. Të mos harrojmë se në një vend ku plagët ende rrjedhin, ku rënkimet ende dëgjohen, ku kudo që të gërmosh, më tepër se gurë dhe rrënjë gjen gëzhoja pushkatimesh dhe kocka viktimash. Kujtesa nuk është kurrë e tepërt. Të mos harrojmë por edhe të kuptojmë, se nuk ka të ardhme paqësore pa qartësuar dhe dënuar ligjërisht aktet kriminale të së kaluarës. Dhe kjo ngjarje, ky rast do të ishte në nderin e një shteti demokratik të përbënte aktin e parë dhe themeltar të një hetimi dhe dënimi dinjitoz!
Të nderuar të pranishëm!
Padyshim që ata që janë në këtë sallë mund të adresojnë mesazhe të ndryshme që vijnë si memorie, si kujtime, si reflektime, si dhimbje, si dëshirë, si studim dhe unë dëshiroj të falënderoj në mënyrë të posaçme profesorët dhe studentët e Fakultetit të Historisë, të cilët japin shpresë. Japin shpresë se kujtimet jo vetëm që nuk do të harrohen, por do të përkthehen në frymëzim jo vetëm të historisë, por në frymëzim të reflektimit dhe reagimit tonë si shoqëri në të ardhmen.
Dëshiroj njëkohësisht sot t’u bëj një homazh dhe përulej të thellë të gjithë familjarëve dhe familjeve të atyre viktimave, të cilët krahas dhimbjes njerëzore të parikuperueshme që patën në ato çaste të krimit barbar, iu desh të duronin dhunën, dënimet, poshtërimet, varfërinë e tejskajshme për dekada me radhë. Ju jeni pjesë e simbolit të qëndresës së shqiptarëve. Pjesë e simbolit të shqiptarëve për dinjitet, për liri dhe për të drejtën – parime të cilat historia njerëzore i ka ruajtur dhe i ka promovuar gjithmonë sa herë i është dashur të ecë në rrugën e zhvillimit, të prosperitetit dhe të demokracisë. Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë rezistencë, e cila na sjell sot një dimension tjetër të familjeve shqiptare, të traditës shqiptare, që falë këtij nervi të rezistencës e të mos-harresës, ka mundur të mbijetojë ndër shekuj dhe të ruajë ekzistencën dhe identitetin e saj kombëtar.
Besoj se sot kemi shumë gjëra çka mund t’u lëmë trashëgim djemve dhe vajzave, të cilët plot pasion, kapacitet intelektual, dëshirë, i kanë të gjitha mundësitë për ta ruajtur të fortë këtë trashëgimi, për të qenë krenarë për të si dhe për të punuar mbi për të ardhmen e brezave të tjerë, të cilëve do t’u jeni ju mirënjohës për atë çka ju do t’u lini kur të vijë çasti i ndërrimit të stafetës suaj. Ju faleminderit dhe dëshiroj që duke përfituar nga privilegji që kam, si Presidenti Republikës, si Kryetar i Shtetit shqiptar, të gjithë së bashku sot t’u bëjmë një homazh dhe nderim atyre familjarëve, të afërmve, të cilët e mbajtën gjallë kujtimin e tyre dhe e promovuan më tej mesazhin e qëndresës!”
Komentet