Të rilindësh nga historia është strategjia që mjaft qytete italiane e Italia përgjithësisht, po adoptojnë për të harruar dëmin kolosal ekonomik që pandemia globale i shkaktoi turizmit, artit, kulturës, ekonomisë italiane.
Hotele pa klientë, muze e objekte arti pa vizitorë, vende turisitike të kycyra, produkte të pashitura e sektorë ekonomik në falimentim, është skenari më tragjik i një vendi që në cdo rrugë, shesh e ndërtesë ka të ruajtur historinë njerëzore, rrugëtimin e popujve antikë, ndërthurjet, miqësitë e përplasjet mes tyre.
Një realitet unik gjëndet në Bolonja, qyteti me tre “emra”: I kuq, – si ngjyra e tullave që vesh ndërtesat; I shëndetshëm, – për kuzhinën tradicionale që sfidon çdo dietë; i mençur – për shkak se në qëndër të tij, prej vitit 1088, ndodhet Universiteti më antik në botë, e një nga qëndrat akademike më të rëndësishme në Europë.
Universiteti Alma Mater i Bolonjës, në 9 shekujt e jetës së tij, formoi personazhe të ndritur të historisë njerëzore si Dante, Nikola Koperniku, Giosue Carduci, Francesco Petrarka, Pier Paolo Passolini, Thomas Becket, Erasmo di Rotterdame e shumë të tjerë. E aktualisht është një pol universitar me mbi 85 mijë studentë nga e gjithë bota e me degë të shpërndara në të gjithë rajonin e Emilia Romagna.
Bologna, qyteti me gati 400 mijë banorë, është i rrethuar nga 38 kilometra harqe e kolona që jashtë qytetit arrijnë deri në 53 km. Një vit më parë “Harqet e Bolonjës” u shpallën pasuri të Uneskos e nuk ka qytet tjetër në botë të ketë kaq shumë.
Legjendat rrëfejnë se u krijuan si nevojshmëri për të zgjeruar sipërfaqen e banesave në katet e sipërme të pallatave. Kollona të larta u bënë këmbët e shtesave të apartamentave që në vijë linjeare krijuan harqe pas harqesh duke i dhënë arkitekturës së qytetit një gjurmë urbane unike.
Nën këto harqe, mund të shëtisësh qetësisht mes shiut, pa cadër e pa u lagur, e gjatë verës bëhen streha më e mirë ndaj temperaturave të larta të stinës.
Nëse ngjitesh në një nga kullat e shumta mesjetare që ka Bologna, catitë e muret e ndërtesave, e veshim me një ngjyrë të kuqërremtë që e mbërthen si mantel deri larg në horizont. Kjo ngjyrë e kuqe nga e cila ka marrë dhe emrin Bologna e Kuqe, është tipike e teknikës së ndërtimit të mjeshtrave bolonjezë, e që përfaqësojnë dhe traditën urbanistike lokale që nis pas shkrierjes së Perandorisë romane e vazhdon deri sot.
Ndërtesat më të bukura të këtij qyteti janë pozicionuar në Sheshin e Madh (Piazza Grande) përgjatë 115 metra gjatësi e 60 metra gjerësi të saj.
Në selinë e Bashkisë, Palazzo della Podestà, ngrihet Kulla e Sahatit, ndërtuar në shekullin e XIII e simbol arkitektonik i qytetit.
Pak sekonda para mesditës këmbanat e Sahatit të kujtojnë se pas pak është vakti i drekës. E nuk mund të thuash se ke vizituar Bolonjën pa provuar pjatën tipike të këtij qyteti; tortellini.
Biznese familjare, restorante, por dhe akademi e shkolla kuzhine, tregtojnë në cdo cep të qytetit këtë pjatë tradicionale në të gjitha madhësitë e përbërësit e mundshme. Tortellinit e ekspozuar nëpër vitrina, i ngjajnë një vepre arti pa epokë, e me vlerë të pastimueshme.
Jo vetëm e kuqe, e mëncur dhe e shëndetshme, Bologna, në këtë epokë moderne e momentalisht të vështirë ka fituar sinonime të reja; moderne, fashion, inovative, suprizuese, e që bashkarisht e bëjnë atë thjeshtësisht unike.
Imagjinoni një flutur gjigande me 1 milionë metra katror sipërfaqe e 700 “lavra” pjelluese mbi krahë, nga të cilat dalin cdo ditë me mijëra produkte shumë ngjyrëshe që apasionojnë botën.
Shtojini këtij imazhi dhe fuqinë e 6 mijë punëtorëve, një shërbim banke, poste, hotel. cerdhe e kopësht. farmaci e dentistë, restorante e bar, rrugë të emërtuara, zona parkingu e mijëra pemë.
I vlerësoni këtij imazhi dhe mbi 5 miliardë euro që është vëllimi vjetor i produkteve që dalin nga kjo sipërfaqe, 60% e të cilit eksportohet.
Me siguri do mendoni se është një qytet. Por qytet pa banesa nuk ka. Ndoshta një projekt arkitekture në karton apo një panair, o një fshat turistik, stabiliment o fabrikë?
Asnjë nga këto e pak nga të gjitha. Është nje realitet unik në botë. e që e bën Bolonjën një nga ekselencat e stilit të jetës italiane.
Ky qytet brenda qytetit konsiderohet qëndra më e madhe e prodhimit të modës në Europë, me 700 kompani tregtare pozicionuar fizikisht brenda saj, 400 firma ekselente të modës e 98 kompani tekstilesh.
Është një dëshmitare e trashëguese e historisë së stilit made in Italy, që frymëzohet përmes ikonave të “Alta Moda”, e shumëfishohet në brande e marka më ekonomike që mbushin kërkesat e larta të tregut.
Shpejtësi, ritëm, konkretësi, larmi, prakticitet, inovacion, gjithcka realizohet brenda pak orëve, E nga fabrika produkti mbërrin tek klienti përmes këtij realiteti unik në Europë.
I pozicionuar në hyrje të qytetit të Bolonjës, i cili është dhe kryeqëndra e rajonit të Emilia Romanjës, kjo “flutur mode” ka një emër kaq përgjithësues, Centergross, e dëshmi se puna e kyer mirë e me produkte cilësore janë marketingu më i mirë i vetvetes, duke thyer cdo rregull marketingu që sot imponohet përmes promovimeve në rrjete sociale e influencuesëve super të paguar.
Nëse brand-et e Alta Moda Italiane prodhojnë cdo gjashtë muaj koleksione të reja, në Centergross të Bolonjës, modelet më të fundit, tendencat e momentit, kërkesat e tregut realizohen cdo ditë me shpejtësinë dhe cilësinë e një produkti unik që del nga një proces prodhimi smart, teknologjik, kërkues e rinovues.
Centergross e Bolonjës është njëherësh vitrinë mode, qëndër prodhimi e seli tregtimi e dhjetra brandeve made in Italy.
Nëse Roma, Firenze, Milano identifikohen si kryeqytetet e ikonave të stilistëve italianë si Armani, Valentino, Gucci, Dolce Gabbanna, Prada etj, Centergross e Bolonjës është kryeqyteti i Fashion fast, nyja lidhëse mes kërkesave të tregut e stilit të pangatërueshëm italianë që frymëzohet nga emra të mëdhenj.
Në dy krahët e kësaj fluture gjigande, shtrihen kapanone lluksoze firmash me emër.
Në boshtin qëndror, mes rrugëve të vizuara e të emërtuara si një qytet i vërtetë, gjen vitrina veshjesh ende top secret, të pa hedhura në treg e që brenda pak ditësh do të mbushin boutikët e Rue de Rivoli o Avenue des Champs-Élysées në Paris, Via Del Corso në Romë, Monte Napoleone në Milano, 5th Avenue në Neë York, Neë Bond Street në Londër, rrugën Stoleshnikov në Moskë, por dhe qndrat tregtare me emër në Tiranë, Tokio, Fountain Dubai etj.
Nga ana e pasme të botikëve gjigande, trupi i tyre është mbushur me “gryka” drejtkëndeshe të hapura mbi trupin e kapanoneve e që “puthin” rimorkiot e furgonave të mëdhenj që sapo kanë mbërritur për të tërhequr mallin.
Mesatarisht statistikat thonë se janë rreth 10 mijë hyrje automjetesh në ditë, 35 % e të cilëve janë buyers italianë e 65% nga Europa, Lindja e Mesme, Europa Lindore, SHBA e Azia.
Gjatë viteve të fundit një rritje të rëndësishme ka marrë dhe numri i kompanive blerëse me kërkesë tregu nga Shqipëria.
Mjaft prej brandeve e firmave italiane që prodhohen në Centergross të Bolonjës, i gjen të në qëndrat tregtare e botikët e Tiranës e pothuajse të gjitha janë organizuar në formulën e një franchising.
Presidenti i Centergross Piero Scandellari, thotë se “vendet e Europës Lindore e Shqipëria po bëhën një pikë referuese mjaft interesante për klientët e tyre.
Daniele Belloti, Drejtori i Pergjithshëm i një prej brand-eve më të rëndësishme të kësaj qëndre, e një nga më prodhueset kryesorë të sja, thotë se “produktet e tyre mbërrijnë në Shqipëri përmes buyers-ve me aktivitet në jug të Italisë, e që konfirmojnë një kërkesë tregu në rritje të dukshme nga Shqipëria.” Prej Bolonjës, veshjet made in Italy mbërrijnë në portet jugore e më pas në anijet që udhëtojnë drejt tregut shqiptar.
Një nga karakteristikat e Centergross është efikasiteti e shpejtësia e veprimit, me përgjigjen e menjëhershme ndaj kërkesës së tregut e garancinë e cilësisë së cdo marke e produkti.
“Nga momenti i dizenjmit të modelit e përgatitjes së tij për shitje kalojnë vetëm 10 ditë, Modeli bëhet produkt prodhimi e për pak ditë i serviret klientëve në të gjithë botën. E nëse kërkesat kalojnë pritjet e tyre, kanë aftësinë që brenda 72 orëve të plotësojnë të gjitha nevojat e tregut”, konfirmon Daniele Belloti.
“Gjysma e produkteve tona shkon në Itali e gjysma tjeër furnizon vendet e Europës e vecanërisht ato lindore.”
Jeta në qytetin flutur nis në mes të natës
Kamionë, TIR, rimorkio, furgonë, popullojnë parkinget pranë kapanoneve lluksozë e brenda pak orësh gjithcka është shitur. Magazinat janë boshatisur e nis puna për të rimbushur magazinat me porositë e reja, e që pak orë më vonë do të jenë përsëroi në udhëtimin e tyre drejt botikëve të botës.
“Cdo klient që kërkon të hyjë në sistemin e fashion fast, thotë Belloti, gjen në Centergross të gjitha mundësitë e produkteve të modës Made in Italy.
Prodhimi i produkteve tona është po këtu e karakteristika e punës tonë është se gjithcka realizohet këtu, brenda një rreze territori ku janë poziconuar dhe fabrikat tona.”
Inovacioni, përgjigja ndaj tendecave më të fundit të tregut e suksesi i branda-ve të Centergross, ka një celës mjaft të mencur rrugëtimi; të rinjtë.
Stilisë të rinj, të diplomuar në Akademitë më të mira të modës italiane, i gjen të punësuar në këto brande me gjenialitetin e talentit të tyre e intuitën e imponuar, rinovuar e përshtatur, ndaj cdo tendencë të kohës, e me materialet, vecantitë, e tipologjinë e kompanisë për të cilën punojnë.
Planeti është moda juaj!
Qyteti brenda qytetit të Bolonjës, Centergross nuk është vetëm një makinë prodhimi, tregtimi, furnizimi, punësimi, por dhe një sistem ekonomik me vëmendjen ndaj kërkesës së konsumatorëve që janë cdo ditë e më të kujdesshëm në zgjedhjen e produkteve të krijuara me pëlhura sa më shumë miqësore me planetin, që kanë një impakt sa më pak ndotës ndaj ambientit e që nuk dëmtojnë shëndetin e tyre.
Cdo produkt i dalë nga kjo qëndër është i certifikuar sipas normativave ligjore italiane e europiane e që dokumentojnë një sistem prodhimi ekologjik e inovator.
Kujdesi ndaj produkteve ekologjike nis që me pëlhurat e certifikuara që nga prodhuesi i fijes së mëndafshit, pambukut, leshit e deri tek procesi i prodhimit e stampimit, që ndjek një fill gjurmues që vërteton autenticitin e tyre.
Ndër 98 kompanitë e tekstileve të kësaj qëndre mode është dhe “Argomenti tessili”, e cila stilizon e prodhon stofra e pëlhura për stilistët më të mëdhenjë italianë si Dior, Armani, etj.
Presidenti i saj, Michele Bentivoglio thotë se “suksesi i punës së tyre është kujdesi ndaj kërkesave të klientëve për një produkt sa më cilësorë, të personalizuar, me teknika inovative, produkte ekologjike e friendly ndal ambientit, që bazohen në një analizë stilistike, eksperincë shumë vjecare e vëmendje ndaj tendencave të reja. ”
Një inovacion i sektorit të modës së shpejtë italiane, është materiali i ricikluar.
Dengje të mëdha rrobash të vjetra të destinuara për t’u kthyer në mbejtje urbane, seleksionohen sipas ngjyrave e materialit, e i nënshtrohen një procesi larje, karbonizimi e c’montimi që i shndërrojnë në fibra natyrale e pëlhura.
Më pas me ngjyrorës pa përbërës kimikë, përshtaten në përlhyra shumëngjyrëse për koleksionet veshjesh të tendencave të fundit.
Sipërmarrësha Carla Cardato, që prodhon vetëm veshje nga materiale të ricikluara, thotë se koleksioni i fundit i saj mban slloganin “Ne kemi vetëm një planet”, e ka në bazë materialin e leshtë ricikluar nga veshjet e vjetra.
“Shumica e tyre ka ardhur nga vendet e Europës lindore, thotë ajo, e vecanërisht nga Rusia.”
Ajo thotë se dhe koleksioni i fundit i palltove, që është frymëzuar nga fantazitë gjometrike e ngjyrat e batanijeve të vjetra ruse.
Ky “qytet flutur” dhe pse popullohet cdo orë nga mijëra punëtorë, autotransportatorë e klientë nga e gjithë bota, është kaq i pastër e i rregullt sa i ngjan një moketi arkitekture në pritje të zbatimit.
Presidenti i saj Piero Scadellari, thotë se “prej vitit 2021 brenda sipërfaqes së kësaj qëndre ka nisur dbe zbatimi i një sistemi grumbullimi mbetjesh që ka aftësinë të diferencoj rreth 85% të tyre.
E nuk ka produkt të shëndetshëm pa ajër të pastër e ambient të shëndetshëm. Mbi 3 mijë pemë të tipeve të ndryshme e shoqëruar me një kartelë identifikuese që monitoron shëndetin e rritjen e tyre, rrethojnë kapanonet e rrugët e këtij qyteti brenda qytetit.
E mbi 6 mijë punëtorë që cdo ditë punojnë në këtë qëndër, e qindra të tjerëve që në çdo orë të ditës hyjnë e dalin në të, u vihet në dispozicon të vlerësojnë e kursejnë gjënë më të vyer, kohën,
Banka, posta, farmacia, dentisti, restoranti, hoteli, struktura shlodhëse moderne ofrojnë shërbime të përditshme e bashkë me to dhe një kopësht për fëmijë nga 3 në 6 vjecë ndërtuar në modelin bio arkitekturë.
Centergross me një emër kaq të paimagjuenshëm për marketingun e modës, është një realitet i suksesit italian, made in Bologna që dinamizmi i tregut e motorri prodhues në super xhiro, nuk i ka dhënë kohë të mendoj për ta ndryshuar.
“Centergross u quajt kështu më 1977 kur u krijua e dhe pse kemi provuar ta ndryshojmë, na e imponoi ta ruajmë këtë emër, deklaron Presidenti Scandellari.
Produkti i mirë, cilësorë, shërbimi efikas e korrekt që del nga 1 milionë metra katrorë të saj kanë certifikuar garancinë e këtij emri.
“Cilësia, sistemi krijues e rinovues, perspektiva për t’iu përgjigjur tregut shpejt e me tendencat më të fundit, e bëjnë kërkesën tonë ekstremisht interesante për blerësit e huaj, thotë Scandellari. E sapo kushtet pandemike do të na lejojnë, do të tentojmë pushtimin e tregjeve të reja botërore me të njëjtën pasion e entuziazëm që kemi për produktet e modën Made in Italy”, thotë ai.
Në të gjitha kulturat flutura është simbol i rilindjes, rigjenerimit, transformimit, është simbol i shpirtit njerëzor që bëhet i pavdekshëm.
E Bologna me unicitetin historik e aktual të saj, i ka dhënë fluturës jo vetëm shpirtin por dhe trupin, në forma, kënde e ngjyra jete, origjinale e befasuese.

Komentet