Për fat të keq, shpesh na duket sikur për Shqipërinë dhe për shqiptarët dëgjojmë më shumë lajme të këqia se sa lajme të mira. Por, dje morëm një lajm që na bën të ndihemi mirë – qoftë edhe për një moment ose për një ditë — si shqiptarë kudo që ndodhemi – për suksesin e një shqiptari në sportin e boksit – Kristian Prengës, tani me famë botërore.
Boksieri shqiptar me origjinë nga Oroshi i Mirditës u shpall kampion dje duke fituar titullin NAB-North American Belt, pasi mundi boksierin amerikan Samuel Crossed. I impresionuar nga performanca e boksierit shqiptar, komentuesi i ndeshjes porositi ndjeksit dhe shikuesit që ta mbajnë mend këtë emër: Kristian Prenga!
Portali që mbulon boksin –The Ring – shkruan se siç duket fuqia e Prengës i ka rrënjët në fëmijërinë e tij, pasi është rritur në Orosh të Mirditës, në Shqipëri. Portali shkruan se atje në një fshat të Shqipërisë së Veriut, djaloshi Kristian Prenga në moshën 8-vjeçare kishte mësuar nga i ati, t’i grahte kamionit për të transportuar dru, me qëllim për të ndihmuar familjen të kishte bukë në sofër. Portali në fjalë thekson suksesin e tij, duke thenë ndërkohë, se Prenga është bërë një nga shitësit më të mëdhenjë vendas të biletave në boksin e Nju Xhersit falë mbështetjes që ai merr nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të cilët marrin pjesë masivisht për të parë ndeshjet e tij.
“Të gjithë ne shqiptarët — ne mbështesim njëri-tjetrin. Fakti që në Shqipëri të gjithë e dinin emrin tim dhe dinin për aktivitetin tim, dinin për mua dhe dinin sa shumë dua t’i bëj të gjithë shqiptarët krenarë, kur erdha (këtu në Amerikë) ishte më e lehtë për ta të më mbështesnin,” citohet Prenga të ketë thenë për portalin The Ring.
Midis këtyre mbështetësve shqiptaro-amerikanë është edhe Elvir Muriqi, një ish-konkurrent i peshave të lehta të boksit, i cili dikur kishte qenë boksieri më popullor shqiptar në Amerikë, sipas The Ring. Muriqi ka thënë për The Ring se nuk habitet aspak që Kristian Prenga ka siguruar kaqe shpejt mbështetjen e bashkvëllezërve të tij shqiptaro-amerikanë. Nuk është i habitur që Prenga ka siguruar mbështetjen e bashkëpatriotëve të tij kaq shpejt, pasi sipas Muriqit, i cili u shpreh se, “Shqiptarët do të ju mbështesin nëse je person i respektueshëm, me parime të forta dhe patriot”. Sipas ish-boksierit shqiptaro-amerikan, Elvir Muriqit, Kristian Prenga i ka të gjitha këto karakteristika, ndërsa ka shtuar për portalin në fjalë se me besimin në vetvete, Prenga do të korri suksese shumë të mëdha, në të ardhmen.
Mbështetja e shqiptaro-amerikanëve për boksierin shqiptar, Kristian Prengën u pa ditën e fitores së tij, një ditë më parë, në Atlantic City, të shtetit Nju Xhersi. Në sallën e ndeshjes valvitej me krenari Flamuri i Kombit shqiptar nga pjesëmarrës të shumtë që kishin ardhur aty për të mbështetur një bashkatdhetar të tyre, por edhe për të treguar krenarinë e tyre për arritjet e të gjithë shqiptarëve kudo që janë në botë e të cilët me sukseset e tyre në fusha të ndryshme i bejnë nder Shqipërisë dhe emrit të saj të mirë.
Falënderojmë Zotin për sportistët shqiptarë, të përhapur anë e mbanë botës, si dhe për këngëtarët dhe këngëtaret në zë dhe të njohur botërisht për sukseset në fushat e tyre të veprimtarisë, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova dhe trevat të tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Shqiptari kudo që gjëndet, për të qenë i sukseshëm, vetëm liri veprimi, drejtësi dhe hapësirë të drejtë veprimi e konkurimi kërkon – që shpesh i mohohen në trojet e veta — për të arritur nivelet më të larta të suksesit botëror, në cilën do fushë qofshin të veprimtarisë sportive, shkencore, të dijes në përgjithësi dhe fushë të tjera që ata konkurojnë, shpesh me më të mirët e botës.
“Unë nuk kam frikë nga asnjë boksier”, ka thenë Prenga dhe shtoi se në të ardhmen ai është, “gati të përballet me më të mirët boksierë të botës”, u shpreh shqiptari nga Oroshi i Mirditës.
Fitorja e Kristian Prengës në Atlantic City, të shtetit Nju Xhersi dje, na bëri krenar të gjithë ne të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shqipztarët kudo dhe më gjerë. Jo vetëm fitorja na bëri përshtypje të thellë dhe na gëzoi, por edhe sjellja e tij dinjitoze ndaj kundërshtarit duke e përkëdhelur, në fund të ndeshjes, boksierin amerikan të cilin e mundi me knockout (KO).
Si përfundim, Kristian Prengës dhe të tjerëve shqiptarë/e si ai, të talentuar dhe me punë të rëndë, durim e disiplinë — që nderojnë dhe krenohen me Shqipërinë dhe me emrin shqiptar — nuk do tu mungojë kurrë mbështetja e komunitetit shqiptaro-amerikan drejtë realizimit të kulmeve të suksesit në karrierat e tyre, qoftë këtu në Shtetet e Bashkuara qoftë kudo tjetër në botë. Urimet tona më të përzemërta për fitoren mjaft impresive dhe për suksese edhe më të larta në të ardhmen, Kristian Prengës — boksierit shqiptar nga Oroshi i Mirditës!
Frank Shkreli
Kristian Prenga — boksieri shqiptar nga Oroshi i Mirditës – Kampion bote me dy tituj!