Nga Tedi Blushi
Ta shembim simbolin e korrupsionit, të krimit dhe mashtrimit që përfaqëson “bunkeri” në zemër të Tiranës dhe të rrëzojmë njëherë e përgjithmonë murin e pandëshkueshmërisë!
Nuk mund të pranojmë që hallexhiu të ndëshkohet për një tufë qepë e majdanoz që shet në trotuar ndërsa Erion Veliaj të amnistohet kur vjedh 132 milion euro me inceneratorin fantazmë.
Nuk mund të pranojmë që sipërmarrësit e ndershëm në Tiranë të falimentojnë, që të bëjë “biznes” organizata kriminale 5D që vjedh 30 milion euro.
Nuk mund të pranojmë që taksat vendore, në vend të ndërtojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla, të vidhen.
Nuk mund të pranojmë të paguajmë 40% më shtrenjtë çmimin e ujit të pijshëm, kur çezmat e shtëpive tona janë tharë për ujë.
Nuk mund të pranojmë që pronat e ligjshme të qytetarëve të shemben dhe të rrëmbehen, që Erion Veliaj të ndërtojë kulla shumëkatëshe.
Nuk mund të pranojmë që qytetarët të arrestohen për një dritare pa leje ndërsa oligarkët të shpërblehen për një pallat pa leje.
Nuk mund të pranojmë që të paguajmë taksa për gjelbërimin, ndërkohë që bashkia “mbjell” beton në vend të pemëve dhe lulishteve.
Nuk mund të pranojmë që Tirana të kthehet në një “dhomë gazi” ku ajri i ndotur të shkatërron shëndetin dhe të merr jetën.
Nuk mund të pranojmë që më shpejt lëviz me makinë nga Tirana në Durrës se sa nga Sheshi “Skënderbej” në periferi.
Erion Veliaj duhet ta dijë mirë se dita kur ai do të japë llogari para qytetarëve të Tiranës po afron!
Që miliona eurot që ka vjedhur do t’i sekuestrohen!
Sot, në ora 11:00, të gjithë përpara Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar largimin dhe ndëshkimin sa më parë të tij!