TIRANE – Rivali i kryeministrit për postin e kryetarit të PS-së ka vijuar akuzat e rënda ndaj Ramës, duke thënë se ai ka shumë shokë që kanë vrarë, dhe këta të fundit i ka futur të gjithë në Parlament.
Blushi gjatë fjalës së tij para mbështetësve në Korçë, siç shkruan Panorama ka theksuar se nuk mund të pranojë që Parlamenti të kthehet në strehë krimi.
“Edi Rama thotë në Korçë se s’ka kasapë. Mirë, dakord, nëse s’ka kasapë, Edi Rama ka shumë shokë që kanë vrarë dhe njerëz, të na i sjellin për kasapë në Korçë, por asnjë s’do t’i marrë në punë. Ne duam ata që merren me bagëti, jo ata që therin njerëz. Kështu ka bërë Edi Rama, thotë s’ka kasapë në Korçë dhe ata që therin njerëz e jo bagëti i mori e i futi në Parlament. Unë nuk jam me këtë rrugë, unë s’mund të jem kurrë me një Parlament, të cilit Europa i thotë nxirr kriminelet jashtë. Përse erdhën kriminelët në parlament, ky s’është vetëm problemi i PS-së. Ky është problemi i Shqipërisë, ka pasur edhe luftëra në Ballkan, ka pasur dhe sëmundje Greqia, ka pothuajse faliment, Serbia shkoi në luftë, Kosova gjithë kohën me probleme me protesta, por s’kemi dëgjuar kurrë që i thotë një vendi afër nesh nxirr kriminelët nga parlamenti. Kjo s’mund të ndodhë dhe unë s’do ta pranoj kurrë këtë gjë, nuk mund të pajtohem me faktin që parlamenti kthehet në strehë të krimit”, tha dje Blushi.
Komentet