I ftuar mbrëmë në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu dhe analistë të tjerë, Blushi tregoi edhe paktin që ka bërë me Edi Ramën në vitin 2009.
Zoti Blushi, a ka pasur një pakt, një pazar të prishur mes jush dhe Edi Ramës, sidomos pas 2009-s?
Nuk ka pasur asnjë pazar, unë nuk jam njeri i pazareve. Nëse do isha i tillë, nuk do të isha këtu sonte. Partia Socialiste ka raste evidente të pazarllëkut, unë nuk hyj tek ata. Ka pasur vetëm një raport miqësor për të drejtuar PS-në dhe Shqipërinë më mirë. Këto janë gjëra që nuk po ndodhin. Unë po kundërshtoj privatizimin e PS-së. Meqenëse marrim si model laburistët, po ju them që kur kreu i laburistëve Miliband humbi vjet zgjedhjet, dha dorëheqjen, u largua dhe nuk rikandidoi. Nuk ndërroi statutin, siç u bë këtu. Nëse unë kam pasur pakt me Edi Ramën, ka qenë kërkesa ime për të respektuar normën. Cila është norma? “Ti drejto opozitën ditën që humb dhe nuk je më”. Ky ka qenë një pakt, nëse mund ta quajmë pakt. Nuk ishte pakt personal, por sepse norma e PS-së u ndryshua për arsye personale dhe prapë po ndryshon. Kur humb zgjedhjet, thua do të zgjidhem prapë, kur fiton thua nuk zgjidhem më. Kjo nuk mund të jetë një parti europiane dhe demokratike. Unë kam hyrë në një parti dhe jo në një biznes privat.
Ju keni provokuar edhe Asamblenë Socialiste duke i vënë në dilemë për dashurinë mes Shqipërisë dhe Partisë…
Po të shohësh deklaratat e bëra nga ministrat e qeverisë sonë në atë Asamble, thashë një gjë me veten time: Jemi ankuar gjithë këto vite se kemi diferenca kulturale në Shqipëri, por kur sheh këto elita mediokre, është skandaloze. Nuk mund të dalin ministrat dhe të thonë se partia dhe Shqipëria nuk ka ndryshim. Partia Socialiste jo vetëm po nxit dhunën, jo vetëm po e kriminalizon Parlamentin, por ka krijuar dhe mediokritet elitar. PS-së nuk i falet që të stimulojë këtë lloj mediokriteti.
Nëse Rama do t’ju ftonte të ishit në qeveri me të, do t’i ndërronit qëndrimet tuaja?
Unë nuk hyj në qeveri me Edi Ramën. Ti mendon se po të isha anëtar qeverie, larg qoftë, se këta janë për të ardhur keq, nuk do flisja për defektet?! Unë nuk jam mediokër dhe nuk do të bëhesha pjesë e këtij mediokriteti. Kam diferencë kulturore me këta njerëz. Këta po e qeverisin Shqipërinë në mënyrë mediokre.
Edhe Edi Rama?
Absolutisht po. Po qeveris Shqipërinë në mënyrën më mediokre të mundshme. Çfarë po ndodh sot në Shqipëri e dini?! Unë nuk jam për këtë qeveri Fevzi, jam për ta rrëzuar këtë qeveri, do apo jo.
Ta rrëzosh qeverinë?!
Po, po, por jo për t’i dhënë pushtetin PD-së, mos ki merak se nuk jam për PD-në. Në këtë vend nuk ka vend për opozitë dhe Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re. Kjo është një qeveri e keqe sepse nuk po krijon vende pune, korrupsioni nuk po zbutet, taksat nuk janë të ekuilibruara, monopolet po rriten. Kjo është një qeveri e paaftë.
A i keni votuar nismat e qeverisë, koncesionet?
I kam votuar, duke mbyllur hundët. Metoda se si duhet të qeverisë kjo qeveri duhet të ndryshojë totalisht. Duhet të rrëzohet si metodë dhe si model qeverisjeje, autokratike, e cila ndan më shumë tesera sesa vende pune; e cila ka rritur borxhin publik, 1.5 miliard euro. Mediokriteti dhe paaftësia është burimi i kësaj gjendjeje të rëndë të ekonomisë shqiptare. I ke parë se çfarë thonë, se si e justifikojnë emigracionin masiv si të ardhur nga Greqia? Ka ardhur dita që të mos besosh asgjë nga ato që thonë sepse gjithçka është një mashtrim.
Nëse kongresi nuk pranon zgjedhje për kryetarin e partisë, cili do të jetë reagimi juaj?
Unë jam në një dilemë të madhe, që nuk lidhet personalisht me mua. Unë jetoj në këtë vend si qytetar i angazhuar. Dilema ime është nëse PS është një parti normale kur nuk bën zgjedhje në parti dhe kur qeveris kaq keq?! Këto dilema po i ndaj me publikun. Sigurisht nuk kam një arsye të marr një vendim ditën e kongresit, ku aty nuk do të ketë zgjedhje dhe do të shkohet në një referendum të marrësh, ku nuk do të numërohet vota. Edi Rama do t’u kërkojë 100 mijë anëtarëve të PS-së ta zgjedhin. Kush do t’i numërojë këto vota?
Si do të veproni ju?
Unë kam marrë një vendim, që të them çdo ditë të vërtetën. Kur padrejtësia kthehet në normë dhe në dhunë si në Elbasan dhe në banalitet dhe kriminalitet, kosto për shoqërinë, unë do të vazhdoj ta bëj.
Ben Blushi, nëse nuk gjen derë të hapur në PS, do të shkojë në krijimin e një partie të re apo force të re politike?
Bindja ime është kjo, që Shqipëria, sot më shumë pas një viti apo pas dy vjetësh, sepse nuk ka gjasë të qeveriset më mirë nga asnjë nga tri partitë kryesore, të cilat janë tri ndërmarrje private që nuk mund ta bëjnë më demokratike këtë shoqëri. Unë po shfaq krizën e njërës prej tyre, të tjerat i njihni vetë. Për sa kohë parashikoj që me këtë sistem politik që kemi, me këtë mediokritet elitar, me këtë shkallë korrupsioni dhe me këtë raport të krimit me politikën, për 5 vjet ndoshta edhe për një dekadë, me mua ose pa mua, me mundësitë e mia ose jo do të krijohet një fuqi tjetër politike, sepse partitë e sotme nuk krijojnë më shpresë. Sot opozitën po e bën shoqëria civile, me ato miniprotestat që organizojnë, sepse PD-ja është një fundërrinë dhe nuk prodhon asgjë. Shoqëria civile do grupohet dhe do organizohet për të marrë fatet e vendit në duar. Nuk ka sot qeverisje më të degraduar se kjo e sotmja, do t’i them këto edhe në kongres. Ky model është i falimentuar.
Kërkon garë për t’u bërë Kryeministër apo kryetar partie?
Për sa kohë ka një garë, ajo duhet të ndodhë. Unë kandidoj nëse ka garë për kryetarin e PS-së, sepse statuti i PSsë nuk thotë që ka garë për Kryeministër, por vetëm për kryetar. Unë mund të pranoj që në PS të bëjmë zgjedhje për kryetarin dhe çështjen e normës statutore ta çojmë në referendum për anëtarësinë.
Nëse do të fitosh garën për kryetar, si do ta drejtosh këtë parti që paska kaq shumë defekte?
Unë kam më shumë se një vit që them se mes Rilindjes dhe Partisë Socialiste ka ndryshime të mëdha. Rilindja si filozofi qeverisëse dhe metodë është e falimentuar. Ata që e shpikën Rilindjen, kanë turp ta përmendin. Rilindja është një organizatë, pa rregulla, ku nuk votohet. Unë dua t’i heq këtë metodë. Unë nuk kam humbur shpresën që Shqipëria të qeveriset nga delirantët, që dalin në TV çdo ditë dhe thonë se ka shumë vende pune, por shqiptarët janë dembelë dhe nuk duan të punojnë. Kjo është amorale.
Nëse në kongres të linçojnë, siç po parashikon, do shkosh në kongresin e ardhshëm?
Ata le të bëjnë ç’të duan. Të gjithë vartësit e Edi Ramës mund të bëjnë ç’të duan.
Ke ndër mend të krijosh një forcë të re politike?
Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për këtë gjë, unë jam akoma anëtar i PS-së sot, por Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë sot.
Komentet