Më 2 maj 2003, në Sofje, në moshën 81 vjeçare, vdiq poetesha e madhe bullgare, Bllaga Dimitrova
Për ne shqiptarët vdekja e kësaj poeteshe është humbje e një mikeje të madhe, e cila në ditët më të vështira për Kosovën, kishte ngritur zërin në mbrojtje të saj, sepse Dimitrova, përveç se një krijuese me diapazon të gjerë krjues, ishte njëkohësisht edhe një mike e madhe e lirisë së popujve dhe e së vërtetës në jetë dhe në art.
Autore e rreth 50 veprave letrare (poezi, prozë, dramë, ese, publicistikë etj.), pjesa dërrmuese e të cilave janë botuar e ribotuar shumë herë, brenda dhe jashtë Bullgarisë, Bllaga Dimitrova është jo vetëm një shkrimtare e madhe – ndër më të mëdhatë në Ballkan dhe në Evropë, por edhe një personalitet i rrallë i vendit të vet.
Rrallë ndonjë penë tjetër femërore ka arritur të kapë maja të tilla si Bllaga Dimitrova, ka thënë bashkëkombësja e saj, studiuesja e njohur franceze me origjinë bullgare, Julia Kristeva.
E lindur më 2 janar 1922, pasi mbaroi gjimnazin klasik dhe studimet për filologji në Universitetin e Sofjes, qëndroi në Institutin e letërsisë “Gorki” në Moskë, ku më 1951 mbrojti disertacionin e doktoratës me temë “Majakovski dhe letërsia bullgare”.
Duke e nisur krijimtarinë në kohën kur Majakovski dhe Nazim Hikmeti ishin jo vetëm poetët më të lexuar, por edhe modelet më të preferuara letrare në mbarë botën lindore, Dimitrova, në fillimet e saj krijuese, i pagoi haraç utopisë sociale. Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, ajo do të vërejë mospërputhjen mes ëndrrës e realitetit dhe do të priret drejt një krijimtarie të lirë, të çliruar nga skemat e estetikës normative, që do ta çojë, herët a vonë, në pozitat e një krijueseje disidente.
Shembull i kësaj disidence është romani Fytyra, vepër që flet për jetën dhe moralin e njeriut në sistemin totalitar. Duket se censura e kapi mesazhin e këtij romani të çuditshëm, hero i të cilit është jo një njeri, por një fikus (autorja kishte dobësi edhe në jetë ndaj kësaj bime tropikale), prandaj edhe e ndaloi atë. Disa pak kopje që arritën të shiten me rastin e botimit të parë më 1981, qarkulluan dorë më dorë si literaturë klandestine. Por pjesa dërrmuese e tirazhit u konfiskua dhe u mbajt nën embargo ose, si thotë vetë autorja, “në burgun e librave”, deri në fund të viteve ‘80, kur filluan proceset demokratike në atdheun e saj. Kur në vitin 1990 e ribotoi versionin e plotë të romanit Fytyra, të cilin autorja e konsideronte veprën që shprehte më së miri karakterin e saj,[1] poshtë titullit të tij vuri këtë shënim: “Roman-ish i burgosur, që vuajti nëntë vjet burg në burgun e librave”. Një kuriozitet i llojit të vet!
Bllaga Dimitrova është shkrimtare me opus tejet të gjerë letrar dhe me energji të mëdha krijuese. Kritika letrare e ka quajtur me të drejtë “mbretëreshë e poezisë bullgare”, kurse personalitetet më të spikatura të jetës shoqërore, politike, letrare dhe shkencore bullgare, konfirmuan njëzërit me rastin e vdekjes së saj, se ajo ishte jo vetëm një autoritet letrar, por edhe një autoritet moral i vendit të vet.
Fama dhe autoriteti i saj i kalon kufijtë e vendit në të cilin lindi dhe të gjuhës në të cilën shkroi. Krijimtaria e saj dhe në mënyrë të veçantë poezia, që përbën pjesën më të madhe e, mbase, edhe më të rëndësishme të saj, është përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët e Evropës: në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, rusisht, spanjisht, danisht, suedisht, polonisht, hungarisht, çekisht etj., ndërsa emri i saj zë vend në të gjitha enciklopeditë letrare të metropolave evropiane.
Është nder për kulturën tonë që një vepër e kësaj poeteshe të madhe është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Në verë të vitit 1999, në kohën kur mbahen “Mbrëmjet e Poezisë në Strugë”, rastësisht më ra në dorë libri i saj me poezi dhe ese me titull Ballkaniada-ada, i botuar po atë vit në Sofje. U befasova këndshëm kur pashë se në të kishte një cikël poezish kushtuar Kosovës. Një poete bullgare, domethënë sllave, që jeton në një vend ballkanik, gjykon krimet serbe në Kosovë.
“Një kosë e tmerrshme kosit Kosovën.
Ç’murtajë e zezë i veshi me të zeza
nënat plaka dhe nuset e reja?”
Më impresionuan pa masë këto vargje, sikundër edhe i tërë libri, prej të cilit përktheva në fillim vetëm ciklin për Kosovën dhe pastaj librin në tërësi. Ballkaniada është një libër mikst, që përbëhet nga tre cikle me poezi (Bosnjë, dhembja ime, Era nga Kosova dhe Kryqi ballkanik) dhe një triptik esesh (Mos e vrisni lajmëtarin!, Vallja ballkanase me kryevalltar Danilo Kishin dhe Homo ballkanikusi – njeri udhëkryqesh e fjalëkryqesh), por që ka një temë-bosht: Ballkanin dhe historinë e tij tragjike, me theks të veçantë te drama e përgjakshme që u luajt në dekadën e fundit të shekullit XX në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Më intrigoi gjithashtu fakti që autorja e librit, Bllaga Dimitrova, nuk merrte pjesë në manifestimin ndërkombëtar letrar të Strugës. Dama e parë e poezisë bullgare e ballkanike nuk ishte e pranishme në atë paradë poetike, por libri i saj që fliste për golgotën ballkanike dhe veçanërisht për dy nga pikat më të dhimbshme të saj, Bosnjën dhe Kosovën, kishte arritur aty. (Pas vdekjes së saj do të mësoj se Dimitrova nuk kishte pranuar ta merrte Çmimin “Kurora e artë” të MPS-së, edhe pse i qe ofruar qysh më 1992, për shkak se kishte refuzuar që poezitë t’i përktheheshin nga bullgarishtja në maqedonisht).
Ballkaniada e Dimitrovës në gjuhën shqipe përjetoi dy botime brenda një viti (brenda vitit 2000), një në Prishtinë dhe një në Shkodër, kurse reagimet e lexuesve dhe të kritikës në të dy anët e kufirit ishin tejet të favorshme.
Botuesi “Sfinga”, pas botimit të librit, i pati bërë autores një ftesë për të vizituar Prishtinën, por ajo, për arsye shëndetësore, nuk mundi t’i përgjigjej ftesës.
Si shumë poetë të shquar të kohës sonë, Dimitrova është jo vetëm poete, por edhe përkthyese e poezisë. Kështu, pos Iliadës (si bashkautore), ajo ka përkthyer në bullgarisht edhe vepra si Pan Tadeushi i Mickieviçit, Vasilij Tjorkini i Tvardovskit, poezi të zgjedhura të nobelistes polake Vislava Shimborska e të tjera.
Albanologia Rusana Bejleri, lektore e gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes, nëpërmjet së cilës i kam mbajtur “kontaktet” me Dimitrovën, më shkruante në pranverë të vitit 2000 se kur i kishin rënë në dorë ekzemplarët e parë të Ballkaniadës, Bllaga kishte kërkuar prej saj që t’ia lexonte poezitë në gjuhën shqipe në mënyrë që të dëgjonte se si tingëllonin vargjet e saj në këtë gjuhë. Ndërkaq, e pyetur në një rast se nga i merrte informatat për Kosovën, poetesha e njohur qe përgjigjur: “Poeti i merr informatat nga era!”. Kjo përgjigje, tejet inventive e origjinale, e deshifron plotësisht titullin e ciklit të poezive të saj kushtuar Kosovës: Era nga Kosova.
Bllaga Dimitrova u nda nga jeta në maj të vitit 2003, duke lënë pas vetes një opus të gjerë krijues dhe një emër të nderuar jo vetëm si shkrimtare, por edhe si veprimtare e dalluar për të drejtat dhe liritë njerëzore. Në vitin 1992, falë kontributit të saj në proceset demokratike të vendit të vet, ajo qe zgjedhur nënkryetare e shtetit (zëvendëse e Zhelevit), por, e dëshpëruar nga politika, dha dorëheqeje nga posti i vicepresidentes, për t’iu kthyer vokacionit të saj jetësor – poezisë, ku shkëlqeu më shumë se në çdo fushë tjetër.
Arti poetik i Bllaga Dimitrovës është art që shtron pyetje. Krijuesi, sipas saj, duhet të ketë guximin të shtrojë pyetje dhe të kërkojë përgjigje për të gjitha problemet e kësaj bote: morale, politike, shoqërore, etike, ekzistenciale, metafizike. Për ta ilustruar këtë fakt po japim në vazhdim një poezi të poetes së nderuar, e cila flet pikërisht për këtë obsesion të madh krijues e jetësor të kësaj krijueseje e humanisteje të madhe.
Bllaga Dimitrova
FRIKË NGA PYETJET
Ju keni frikë nga pyetjet e mia,
zoti president, zoti kryeministër!
Babai ka frikë nga pyetjet e të birit.
Mësuesi ka frikë nga pyetjet e nxënësit.
Burokrati ka frikë nga pyetjet e poetit.
Geringu nga pyetjet e Dimitrovit.
Njeriu ka lindur për të bërë pyetje.
Kujt? Gjithkujt që tutet nga pyetjet.
Madje edhe atyre që s’gjegjen kurrë:
Vdekjes, Gjithësisë, Amshimit.
Mos pusho së pyeturi nga djepi gjer në varr!
Qofsh edhe në pranga a me vdekje dënuar,
Qofsh edhe gojëkyçur a zë në shkretëtirë,
Bëje të fundit pyetje me gjuhën e gjakut
të valë!
Ç’tmerr nëse edhe ti vetë, o mik,
nga pyetjet e tua ke frikë!
Sofje, 1971
[1] Konsideroj se romani Fytyra është vepra që shpreh më së miri karakterin tim, pati thënë Dimitrova në intervistën e saj të fundit dhënë dy muaj para se të vdiste gazetës “Trud”.
Marrë nga ExLibris