Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të shkojë sërish në Izrael të hënën për konsultime të mëtejshme me udhëheqësit izraelitë ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë tokësore në Gaza, tha të dielën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Kryediplomati amerikan shkoi në Egjipt të dielën, ndalesa e shtatë që nga e enjtja, ndërsa vazhdon takimet me udhëheqësit arabë të rajonit në përpjekje për të parandaluar që lufta të shndërrohet në një konflikt më të gjerë.
Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare paralajmëruan se uji po mbaron në Gaza. OKB-ja tha se evakuimi i rreth 1 milion njerëzve nga Gaza veriore në mes të një zone lufte është i rrezikshëm dhe në disa raste i pamundur.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, si pjesë e një turneu në shtatë vende për të ndaluar përhapjen e dhunës.
Zoti Blinken vizitoi Shtëpinë e Familjes Abrahamike në Abu Dhabi, një kompleks ndërfetar që u hap në shkurt, ku ndodhet një xhami, një kishë dhe një sinagogë. Kryediplomati amerikan nënshkroi një pllakë në mur me fjalët: “Dritë në errësirë”.
Më herët, zoti Blinken zhvilloi bisedime me homologun e tij saudit në Riad, duke theksuar se nuk mund të ketë më “biznes si zakonisht” me Hamasin pas mizorive kundër civilëve izraelitë.
“Hamasi nuk është përfaqësues i popullit palestinez apo aspiratave të tyre legjitime për të ardhmen. Hamasi është një grup terrorist dhe axhenda e tij e vetme është ta shkatërrojë shtetin e Izraelit dhe të vrasë hebrenjtë. Është e rëndësishme që e gjithë bota ta kuptojë këtë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Ministri i Jashtëm saudit tha se është e rëndësishme të dënohet vënia në shënjestër e civilëve në çdo formë në çdo kohë dhe nga kushdo.
“Duhet të punojmë së bashku për të gjetur një rrugëdalje nga ky cikël dhune. Duhet të përqendrohemi tek kjo. Pa një përpjekje të përbashkët për t’i dhënë fund rikthimit të vazhdueshëm të dhunës, civilët do të jenë të parët që do të vuajnë. Gjithmonë civilët nga të dyja palët do ta paguajnë haraçin”, tha Princi Faisal bin Farhan, Ministër i Jashtëm i Arabisë Saudite.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, i bëri thirrje Izraelit të shtunën që të ndalojë sulmet në Gaza, duke paralajmëruar se lufta mund të përhapet në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme nëse Hezbollahu i bashkohet betejës, dhe do ta bënte Izraelin të vuante atë që ai e quajti “një tërmet i madh”.
Departamenti i Shtetit tha se zoti Blinken kontaktoi gjithashtu homologun e tij kinez, Wang Yi, të shtunën dhe pati një bisedë telefonike një-orëshe, duke theksuar se është në interesin e të gjithëve që të bëjnë gjithçka të mundur që konflikti të mos përhapet në vende të tjera.