Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua gjatë vizitës në Shqipëri me një grup prej rreth 100 të rinjsh që kanë studiuar në programe në Shtete të Bashkuara. Takimi u mbajt tek ndërtesa e Piramidës dhe Sekretari Blinken e vuri theksin tek simbolizmi i saj, duke thënë se ajo mishëron trajektoren e Shqipërisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
“Kur kjo piramidë u ndërtua para tre dekadash e gjysëm, ajo simbolizonte të shkuarën. Përkujtonte një autokrat që dërgoi shqiptarët në kampe pune dhe e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës. Në atë kohë, e vemja shenjë e marrëdhënies mes vendeve tona ishte ndoshta një zë që ju e dëgjonit fshehtaz tek Zëri i Amerikës, përmes radios, ose ndoshta një kanaçe Coca-Cola për ditëlindje e futur kontrabandë në vend. Sot shihni përreth: Ky vend është i mbushur me dritë. Është i mbushur me aktivitet. Këtu ka kafene, klasa mësimi dhe inkubatorë teknologjie. Nuk është më një relike e së shkuarës. Është një simbol i fuqishëm i gjallë i së tashmes dhe së ardhmes”.
Ai tha se ashtu si Piramida “edhe Shqipëria është transformuar”.
“Kudo që të kthesh sytë, sheh energji, ndjehet optimizëm për të ardhmen, një të ardhme të integruar me Evropën, me Perëndimin, me botën”, tha ai.
Gjatë vizitës së tij, Sekretari amerikan i Shtetit për partneritetin mes dy vendeve, por ai tha në takimin me të rinjtë se lidhjet mes dy vendeve po shfaqen edhe në mënyra të tjera.
“Amerikanë të rinj dhe jo aq të rinj vallëzojnë me muzikën e Dua Lipës, drejtuesja kryesore e teknologjisë tek kompania Open AI e Inteligjecës Artificiale, një nga njerëzit që po ndihmon që t’u japë formë disa prej teknologjive të reja më të fuqishme, është Mira Murati nga Vlora dhe një nga restorantet më të mira në Nju Jork është shqiptar.”
Sipas tij, këto janë shembuj të ndryshimeve madhore në Shqipëri, që janë bërë në masë të madhe falë kontributit të të rinjve.
“Kalimi i Shqipërisë nga izolimi tek hapja, nuk u bë sa hap e mbyll sytë. Të gjithë e dimë këtë. Shumë pak gjëra në jetë janë kaq të thjeshta. Të rinjtë, të rinj si ju e sollën ndryshimin. Dhe të rinjtë kanë rol thelbësor në transformimin e Shqipërisë dhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha zoti Blinken.
Ai vuri në dukje se në takim merrnin pjesë “gazetarë që ekspozojnë korrupsionin dhe kërkojnë përgjegjësi nga drejtuesit, gra sipërmarrëse që po i kthejnë idetë në biznese të suksesshme, drejtues të shoqërisë civile që punojnë për të mbrojtur mjedisin në Shqipëri, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm”.
“Ne duam të mësojmë nga ju, ashtu siç shpresojmë që ka disa gjëra që ju mund t’i mësoni nga ne. Janë lidhjet mes popujve tanë, shkëmbimet që janë aq të rëndësishme dhe që sjellin rezultate të shkëlqyera”.
Zoti Blinken vlerësoi 100 vitet e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shorehu optimizëm për të ardhmen.
“Jam i bindur se shekulli i ardhshëm do t’i bëjë vendet tona dhe botën tonë të përbashkët më të qëndrueshme, më të sigurt, më të begatë dhe më të mbushur me mundësi”, tha ai.