Kina po ndjek me shumë vëmendje se si po reagojnë Uashingtoni dhe bota ndaj agresionit rus të Ukrainës, por ende nuk e kanë kaluar kufirin e dhënies së ndihmës vdekjeprurëse për Moskën, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Duke folur pas vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, zoti Blinken tha në një seancë në Senat se nëse Rusia do të tolerohej pa u ndëshkuar pas sulmit ndaj fqinjit të saj, kjo do të “hapte një kuti Pandore” për agresorët e mundshëm duke i hapur rrugën një “bote konflikti”.
“Pasojat e asaj që po ndodh në Ukrainë shkojnë përtej Ukrainës. Mendoj se do të kenë një ndikim të thellë në Azi, për shembull,” tha zoti Blinken, duke vënë në dukje se Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qenë mbështetës kryesorë të Ukrainës gjatë konfliktit.
Megjithatë, ai tha se nuk beson se Kina i ka ofruar ndihmë vdekjeprurëse Moskës.
“Deri më sot, nuk kemi parë që ata ta kapërcejnë këtë vijë,” tha zoti Blinken para një komisioni të Senatit.
Agresioni i Rusisë ka hapur debate se si do të ndikojë lufta tek strategjia ushtarake e Kinës në lidhje me Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur që Pekini e sheh si territor sovran kinez.
“Unë mendoj se Kina po shikon me shumë kujdes dhe do të nxjerrë mësime se si bota bashkohet ose jo, për t’i bërë ballë këtij agresioni,” tha zoti Blinken.
Zoti Xi dhe presidenti rus Vladimir Putin e përshëndetën njëri-tjetrin duke iu drejtuar njëri-tjetrit si “mik i dashur” kur u takuan në Kremlin dhe diskutuan propozimet e Kinës për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës.
“Është një marrëdhënie interesi. Nuk besoj se është bindje. Rusia është një partner shumë i vogël në këtë marrëdhënie,” tha zoti Blinken.
Ai tha se mbështetja politike dhe materiale e Kinës për Rusinë bie ndesh me interesat e Uashingtonit.
Zoti Blinken u tha ligjvënësve se Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë nevojë për miratimin e plotë të projekt-buxhetit të Presidentit Joe Biden, që parashikon një rritje prej 11% nga viti i kaluar, për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin Rusia dhe Kina.
“Bota e pas Luftës së Ftohtë ka marrë fund dhe ekziston një konkurrencë intensive për të përcaktuar se çfarë do të vijë më pas,” tha zoti Blinken.
Sekretari i Shtetit u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që të respektojnë një urdhër-arresti të lëshuar për presidentin rus Vladimir Putin.
Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Gjykatë.