Lart në krahun e majtë të rrugës, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop prej nga duket liqeni dhe kodrat përballë, janë dy stola të drunjtë. Aty ishin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari tregoi gjatë e gjerë rreth trimërive të tij kundër italianëve fashistë, i dyti për heroizmin e vet kundër nazistëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje dhe buzëqeshte.
Papritur, mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenzë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.
– Ky insekt kriminel, – tha, – të pickon, edhe e pa e trazuar!
Në ato çaste atij iu kujtuan bletët fisnike e punëtore, ndaj nisi të fliste për mjaltin, për ariun e njeriun:
– Dikur bletët jetonin në pyje maresh plot me lule. Foletë i ndërtonin nën tokë si milingonat, ose në humnera si shqiponja! Ato soje bletësh trupin e kishin më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pati shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë. Pas ariut, u mësua edhe njeriu me to, por ky doli më i zgjuar, i zbuti dhe i strehoi nëpër zgjoje. E kam parë me sytë e mi unë ariun, kur
bridhja pyjeve me çifte në dorë.
– Si shumë guximtar paske qenë! – ia ktheu Lani i habitur. – Deri më sot s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.
– Vërtet, çuditem edhe unë! – shtoi Nasi. – Dhe jo vetëm kaq, por kohët e fundit ti, sikur shumë i ditur po na del! Në çfarë librash i ke lexuar histori të tilla, aman?
– A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?
– Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit! – tha Lani.
– Edhe unë! – ia priti Nasi.
– Mjalti si mjalti! – thonë në atë fshat malor. A e keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po kokrrat e kuqe i keni shijuar? Po rakinë prej tyre?
– Maret po, ndërsa rakinë jo! – iu përgjigjën njëri pas tjetrit dy miqtë e tij.
– Nëse kthen një gotë raki mare, përvëlohesh! Por, po hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll! Tani dëgjoni një tregim të shkrimtarit Isuf Kodra, botuar në revistën “Flaka“:
“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Pertefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pati mbushur dymbëdhjetë vjeç, i pëlqente, mbi të gjitha, mjalti i bletëve. Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Papritur, nëpër livadhe pikasnin tek brofnin e fluturonin lart bletë të egra. Gërmonin me kujdes,
gjenin nën tokë foletë e tyre dhe kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm. Pas luftës, Pertefi u rrit e u bë drejtues rinie. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e
pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë, supë me groshë dhe pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin tjetër. I pati rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin, syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po pastaj, ishte edhe ndërgjegjja! Ajo ia shtonte më tepër mërinë ndaj kulakëve.
Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur, në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan përpara një poçe me mjaltë dhe një të prerë buke. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me
lugë druri, saqë e harroi bukën. Djali i vogël i shtëpisë, ulur përballë, e vështronte tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte ato me gjuhë dhe kënaqej.
Kur mjalti në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti:
– Or çun, sa mjaltë keni marrë këtë mot nga zgjojet?
– Tre qypa, dy me mjaltë zgjojesh, një të vogël me mjaltë bletësh të egra! – iu përgjigj çuni.
– Vërtet!?
– Po, po! Tek ajo poçja ku po ha ti, babai gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.
Pertefi sa s’uluriti. I zemëruar sa s’ka, e flaku lugën tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte për të vjellë.
Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:
– O babë! O babë! Ai miku e theu poçen e këlyshit!
Rudi tha:
– Unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulërinte natën, linte pyllin dhe sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë, kur ai i gjorë, o kaloi kufirin, o u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi!