Ish-kreu i FIFA-s, Sepp Blatter dhe ish-kreu i UEFA-s, Michel Platini u akuzuan nga prokurorët zviceranë për mashtrim, pas një hetimi gjashtëvjeçar për një pagesë të debatueshme prej 2 milionë dollarë.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, 85-vjeçari Blatter dhe 65-vjeçari Platini brenda disa muajsh do të dalin para gjykatës federale në Bellinzona.
Hetimi nisi në shtator të vitit 2015 duke e larguar më herët zotin Blatter, si president i FIFA-s. Po ashtu pas nisjes së hetimit edhe Michel Platini i dha fund fushatës për të marrë drejtimin e FIFA-s.
Në janar të vitit 2011, ish-kreu i UEFA-s i bëri një kërkesë me shkrim FIFA-s për të marrë një pagesë shtesë, që sipas tij ishte e prapambetur që nga koha kur ai kishte punuar si këshilltar i presidentit Blatter, në mandatin e parë nga vitit 1998 deri në vitin 2002.
Ndërkohë Blatter autorizoi FIFA-n që të bëjë pagesën brenda pak javësh. Në atë kohë zoti Blater ishte në fushatë për t’u rizgjedhur.
Sipas prokurorëve ndikimi i Michel Platini-t tek votuesit evropianë ishte një faktor kyç në këtë betejë. “Kjo pagesë dëmtoi pasuritë e FIFA-s dhe pasuroi zotin Platini në mënyrë të paligjshme”, thanë prokurorët federalë zviceranë në një deklaratë.
Të dy, si zoti Blatter dhe zoti Platini kanë thënë se nuk kanë shkelur ligjin.
Zoti Blatter akuzohet për mashtrim, keqmenaxhim, shpërdorim të fondeve të FIFA-s dhe falsifikim të një dokumenti. Zoti Platini është akuzuar për mashtrim, shpërdorim, falsifikim dhe si bashkëpunëtor në keqmenaxhimin e financave nga ish kreu i FIFA-s, zoti Blatter.
Komentet