47-vjeçari, biznesmen i mobiljeve në Shkodër nuk pranon të ketë vrarë nënën e tre fëmijëve të tij.
Ai u tha hetuesve, që e gjeti atë në banjo me rrip në qafë.
Sadedin Sula pretendon që bashkeshortja e tij Suela, 39-vjeç është vetëvrarë për shkaqe të paqarta për të.
Deklarimet e tij nuk e kanë bindur grupin e hetimit dhe mësohet se në gjykatë, prokuroria do të kërkojë arrest me burg për të dyshuarin e arrestuar.
Dyshimet e para lindën pas kontradiktave në rrëfimin e Sulës për mënyrën se si e gjeti gruan e tij në banjon e mobilerisë “Europa” pronë e tij.
Më pas ekspertët konstatuan se trupi i viktimës kishte shenja dhune.
Sipas hetimeve, besohet se autori e ka dhunuar fizikisht 39-vjeçaren dhe më pas e ka mbytur me duar.
Ai ka bërë dhe zhvendosjen e trupit të pajetë nga një ambjent tjetër i mobilerisë në banjo, ku dhe ka e impovizuar skemën e vetvarjes.
Pak para ngjarjes çifti ka patur një sherr për xhelozi dhe për këtë policia, pretendon se ka dëshmitar.
Të gjitha këto detaje do t’i paraqiten gjykatës së Shkodrës për të vendosur mbi fatin e Sadedin Sulës lidhur me ngjarjen e së hënës.
- Arrestohet biznesmeni nga Shkodra. Vrau gruan, por e raportoi vdekje natyrale
Policia e Shkodrës ka zbardhur vdekjen e nënës së tre fëmijëve, Suela Sula.
39-vjeçarja u gjet e vdekur në banjën e mobilerisë së saj në anë të superstradës Shkodër-Lezhë.
Ajo u gjet e vdekur nga punonjësit e mobilerisë, ku ishte bashkëpronare.
Policia deklaroi se Suela Sula është vrarë nga i shoqi.
“Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit u bë ndalimi i shtetasit: Sadetin Sula, 47 vjeç, banues në Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi: Nga veprimet e para hetimore të kryera në lidhje me rrethanat e vdekjes së shtetases me iniciale S.S, (bashkëshortja e tij), e cila u gjet e pajetë ne tualetin e mobileri “Europa”, dyshohet se viktima është vrarë (mbytur me duar) nga bashkëshorti i saj. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal”, informon Policia e Shkodrës.
Fillimisht u dyshua për një vetëvrasje të mundshme.
Por më pas ekspertët vërejtën që trupi i 39-vjeçares ishte lëvizur nga vendi.
Në të njëjtën kohë, ekspertët konstatuan në fytyrën e viktimës njolla pranë syrit.
Ekspertët e Tiranës thanë se vdekja është shkaktuar nga asfiksia për shkak të mbylljes së rrugëve të frymëmarrjes.
Policia menjëherë ka marrë në pyetje familjarët e Sulës, përfshirë këtu edhe bashkeshortin e saj.
Pas hetimit, të shoqit i janë vënë prangat.
Suela Sula ishte nënë e dy djemve dhe e një vajze.
Komentet