Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, e ka dënuar të premten Federatën e Futbollit të Serbisë për sjellje raciste të tifozëve serbë në dy ndeshje të Ligës së Kombeve, përfshirë për përpjekjet e tyre për ta djegur flamurin e Shqipërisë në Zvicër.
Vendimi u bë i ditur të premten, pak orë pasi shorti i FIFA-s i vuri Serbinë dhe Shqipërinë në të njëjtin grup kualifikues për Kupën e Botës 2026 – që nënkupton se ato do të përballen ndërmjet veti dy herë, vajtje-ardhje.
Të hënën, komiteti ekzekutiv i UEFA-s pritet të konfirmojë se Serbia dhe Shqipëria do ta organizojnë bashkërisht Kampionatin Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët në vitin 2027.
Gjatë ndeshjes Zvicër –Serbi në nëntor, tifozët serbë u xhiruan duke tentuar t’ia vënë zjarrin një flamuri të Shqipërisë.
Kombëtarja zvicerane ka futbollistë që kanë lidhje familjare me Shqipërinë apo Kosovën, përfshirë kapitenin e saj, Granit Xhaka.
UEFA tha se komiteti i saj disiplinor e akuzoi Federatën e Serbisë për “sjellje raciste dhe/apo diskriminuese” në Zvicër, më 15 nëntor, si dhe në shtëpi kundër Danimarkës tri ditë më vonë.
UEFA tha se ia ndaloi federatës serbe të shesë bileta për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares jashtë vendit në garat e UEFA-s, si dhe e urdhëroi t’i mbyllë pjesë të stadiumit për dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi.
UEFA gjithashtu e ka gjobitur federatën serbe me 173.000 euro në total.
Serbia është dënuar nga UEFA edhe në të kaluarën për incidente të ngjashme.
Ndeshjet mes Serbisë dhe Shqipërisë në kualifikimet e vitit të ardhshëm për Kupën e Botës do të jenë të parat prej se ato u takuan në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2016.
Ndeshja në Beograd në tetorin e vitit 2014 u braktis në mënyrë kaotike, pas futjes së një droni që barte një flamur nacionalist shqiptar mbi fushë. REL
Mendoj se, se paku, ky njeri merkiton t’i shkriuhet emri i sakte PAVIQEVIQ.
Complimenti z. Paviqeviq.