Mbledhja e XXXI E martë më 12 korrik 1921 ora 4.30 mbas dreke
- Koço Tasi: Po dalim jashtë themës : lipset të bisedojmë mbi pranimin a mospranimin e dorëheqjes.
- Mustafa Kruja: Përsrit mendimin që ish dhënë, mbasi Z. Pistulli ju përgjegj Parlamentit, qi s’e pranon, dhe proponon për këtë të këndohet proces-verbali i asaj mbledhje, duke shtuar që me pranimin e dorëheqjes kishim vendosë me bisedue dhe me qirue mënyrën e zgjedhjes të tjetrit. Për ç’u përket zgjedhjeve, disa nga shokët thonë : âsht përkthye Ligja e Turqís ; mundet me qênë, po kjo në shum pika ndryshon o s’ka të bâjë fare me tê, se âsht nji ligjë e re. Sa për shtimen e këtij nynit në ligjën e re, pa e mêndue dhe pa e studjue plotsisht nji komisjon, s’âsht e drejtë t’a bâjë Parlamenti ; ose në qoftë qi âsht formue komisioni për zgjânimin e Statutit të Lushnjes me të cilin ka të bâjë dhe ligja e zgjedhjeve, t’i epet atij.
- Koço Tasi: Çashtja ndahet në dy pika : Juridike e Gramatikale. Cila do ndrequr? Për të parën tham qi mbasi termet Juridike na mungojnë, jemi shtrënguar të përdorim të huaja, dhe mund qi kjo shkakton moskuptimin ; sa për lidhjen gramatikale atë mund ta ndreqim.
- Mustafa Kruja: Mbasi kjo nuk kuptohet as prej njeriu, duhet të bâhet nji hall duke i dërguar komisjonit letrar ose të formohet nji komisjon prej njerzve qi janë marrë me gjuhën, ta sjellin në shembëll.
- Koço Tasi: Të gjejmë fjalë shqipe.
- Bahri Omari : Ma mirë të përdorim fjalët e huaja qi kuptohen se sa t’onat qi s’i merr vesh askush. ̶ Bâhen 5 minuta pushim.
- Ramiz Daci : Proponon të formohet nji komisjon i përbâmun prej ZZ. Mustafa Kruja, At Gjergj Fishta, L. Gurakuqi qi janë marrë me gjuhën, dhe dy nga Zotnít qi redaktuen, për t’a redaktue me nji gjuhë mâ të qëruar.
- A. Zogu : Të mbeten ata qi e redaktuen dhe 2-3 të tjerë për me e përmirësue.
- A. Këlcyra : T’a redaktojnë pas gjuhës s’Elbasanit e cila âsht edhe pranue zyrtarisht.
Mbasi u këmbyen disa mendime, duhet kënduar rregullorja nyje për nyje, para se t’i referohet Komisjonit, të përbâmë prej ZZ. L. Gurakuqi, At Gjergj Fishta, M. Kruja, Shefqet Daiu, Bahri Omari dhe Koço Tasi, me porosí qi t’a paraqesin të shtunën me 16 – 7 – 21 në këshillë.
- M. Kruja: Që në rregulloren s’bâhet fjalë për ç’i përket shqyrtimit të kredencjaleve.
- Koço Tasi: Thotë qi komisjoni i redaktimit punon mbi kët me qëllim, komisjonet qi formohen prej misëve të Parlamentit për shqyrtimin e kredencjaleve nuk vështrojnë të drejtën, por hiqen nga oportuniteti, dhe pas interesave politike. Kët e provoi dhe shqyrtimi i kredencjaleve t’ona. Nga ky shkak e pamë t’ arsyeshme qi kët çashtje t’ja lamë nji trupi të huaj dhe jo Parlamentit. (……)
- M. Kruja: Mbasi biseda po rrjedh mbi artikullat, jam i mêndjes të lêhet dhe kur të bisedohet rregullorja nyje për nyje të bâjë gjithkush observacionet e veta. Sa për kredencjalet nuk lypset të vendoset tashti a do të lihet çâshtja në kompetencën e Parlamentit, a por do t’i ngarkohet nji trupi tjetër, këtë ta bisedojmë bashkë me ligjën e zgjedhjeve.
- Koço Tasi: Jam nji mendimit.
- M. Kruja: Sikur të kishim nëpunës fjesht indipendent, at-herë s’kishim kundërshtim.
- K. Tasi: At-herë proponimtarët janë të padrejtë.
- M. Kruja: Të dy anët kan arësye, po mbasi çâshtja asht e huej, të vijmë në temën qi kishim përmbi shtojcën në rregullore.
- M. Kruja: Lypë qi proponimet para se të këndohen të thuhet përse janë dhe kush i bân. – Përkrahet.
Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”
Komentet