Mbledhja e XXXXIX. E shtunë, me 17 shtatuer 1921, ora 3 e 15 mbas dreke
- M. Kruja: Mbasi çâshtja u shoshit mjaft, s’due me folë gjatë. Shqipníja e fitoi lirinë politike, u ba shtet më vedi e shqiptari me nji gjysmëshekulli mâ tepër me mund e me djersë të vet, e i ndihmuem prej rasavet politike, mund të quhet sot i lirë. E dini se lirija politike, nuk mund të ngjasë e nuk mund të qëndrojë po qe se ay popull, nuk përmbledh në vedvedi elementat qi janë bazat e kësaj lirije. Këta elementa janë naltësimi shpirtnuer, ekonomik e moral. Nji popull duhet të përpiqet vetë me inisiativa private qi t’arrinjë n’atë shkallë, n’atë ekonomike e morale e nji popullit shpirtnuer. Detyra e Qeverisë, në këtë fushatë âsht me i ndihmue për sa t’i vijë për dore institucioneve private qi ka për qëllim naltësimin shpirtnuer, moral e ekonomik të nji populli. Inisiativat duhet të vijnë prej popullit, se ndër vênde mâ të qytetnueme të botës, janë shoqninat qi përkujdesen për naltësimin shpirtnuer e Qeverija nuk përzîhet aspak në ksi çâshtje. Si kanë me j’u sigurue popullit këto mjete q’i lypsen për me u naltësue ? Tue veprue gjithsecili në kokë të vet vërtet nuk mund të bâhet gjâ, por tue i bashkue forcat energjike për bashkë-veprim. Qysh se Shqipníja âsht bâ shtet më vetëhe, janë formue pak a shumë shoqnína me qëllime të ndryshme për me i shërbye qëllimit të naltpërmêndun. Këto shoqní janë muzikale, teatrale etj. të cilat, tue mos pasë marrëveshtje ndërmjet të shoqi-shoqt, vepra e tyne mbet e kufizueme. Këto shoqni sot janë bashkue nënë emnin e Federatës së madhe “Atdheu” e kanë bashkue forcat e veta me veprue me nji program e me nji mêndim. Âsht e ditun se gjallníja e shoqnive, duhet të vijë prej ndihmavet të popullit e jo të Qeverisë, por me nji popull si ky joni i cili nuk kupton halà mirsinat e këtyne shoqninave, po nuk u ba udhëheqëse Qeveríja, âsht shum e vështirë, d.m.th. në qoftë se pa ndihmën e Qeverisë, mund të bâhet nji punë për dhetë ditë, me ndihmën e saj, mund të kryhet për pesë. Prandaj Federata “Atdheu” ju drejtue Shtetit e n’emën të Shtetit K. Kombtar, kështu qi ky të ndërmjetësojë qi ndihma e kërkueme të mos i mohohet. Shka lyp kjo shoqni ?
Nji ndihmë të hollash sa me fillue punën. Mandêj s’ka me pasë mâ nevojë për ndihmë të Qeverísë pse Shqiptari nep të holla për me i ndihmue naltësimit të vet, por deri sot âsht i pa besshëm e se kur të shofë se po bâhet diçka do të ndihmojë e nuk do të kursejë kurrgjâ ; për këtë arësye “Federata Atdheu” për me mujtë me nisë veprimin e vet, po kërkon nji ndihmë prej Qeverísë. Besoj, se mbas shumë shpenzimeve qi ka bâ Shteti Shqiptar, mbas shumë shpenzimeve qi në vedvedi janë të kota, pse janë shkaktue për shkaqe qi rrjedhin nga padija e popullit Shqiptar, të cilën padije “Federata Atdheu” po don me e largue. Pas nispetit të shpenzimeve të kota qi ka bâ Shteti i jonë, kjo shumë nuk âsht kurrgjâ. 1) 50 mijë franga besoj se nuk ka shqiptar qi t’i shohë të shuma, e këtê po e marr vesht mbas fjalëvet qi po flasin shokët e mij. 2) Kërkesa e dytë e “Federatës Atdheu”, âsht qi Qeveríja t’i napë lejën me bâ nji llotari. Lejën me hap nji llotari e ka prej ligjit, vetëm Federata kërkon t’a monopolizojë për vetëhen e saj. 3) Pika e tretë âsht përdorimi i nji kartës të monopolizueme prej Federatës Atdheu. Me gjithë shpjegimet qi dha Z. L. Gurakuqi, due t’a shpjegoj edhe vetë nji çikë mâ tepër. Mjerisht K. i Financave, solli konfuzion në mes të shokëvet mbasi “Federata Atdheu” nuk kërkonte pullë, por qi për ç’do akt privat të taksuem prej Shtetit të përdoret nji kartë e posaçme. Për këtë kartë Shoqníja “Federata Atdheu” të kishte të drejtë shitjeje me anën të kartë-shitësit d.m.th. se un kur kam me shkrue nji lutje më duhet me i vûe pullë kësaj, e në vênd qi me shkrue letër çfarëdo do të përdori kartën e Federatës “Atdheu”. Ç’ka do të bjerri unë mbasi karta qi do t’a blej jashtë ke tregëtari kushton 10 santim e karta e Federatës kushton edhe ajo 10 santim. Ç’farë konfuzionit do të ketë Shteti?!!!! Këtu do të kishin të drejtë me u qa vetëm disa tregëtarë qi shesin kartë ; ky âsht i vetmi kundrështim apo kufizim i tregëtís. Në tregëtínë e përgjithëshme âsht edhe nji tregëtí shkresurinash : kartë, lapsa, melan etj…. Mbrênda kësaj tregtíje âsht edhe tregtíja e kartës së përgjithëshme ; po mbrênda tregëtís së kartës së përgjithëshme âsht edhe tregtíja e nji kartës qi konsumohet për aktet e taksueme. Ky âsht nji kufizim kaqë i paktë si me i hedhë nji pikë ujë në det ; nji gjâ kaq e vogël sa kurkush nuk ka me u qá. Në qoftë se në Shqipní ka nji mijë tregëtarë qi shesin karta, 1000 do të bjerrin nga 10 franga në vjet, por Shoqënija “Federata Atdheu” fiton 10.000. Kujtoj se këto 10.000 franga nuk i fiton nji njeri, por po i fiton populli e po i përdor për të mirën e Atdheut. Me dhjetë frânga dâm qi mund të ketë nji tregëtar në vjet me kufizimin e kartës e tregëtís së kartës do të fitojë naltësimin kultural e moral të popullit. Besoj se mbas këtyne shpjegimevet me këtë kartë nuk do të cënohen aspak të drejtat e Shtetit e prandaj proponoj qi përmêndorja “Federata Atdheu” të pranohet integralisht, e cila në kërkesën e saj për t’i arrirë qëllimit të vet âsht bazue mbi lehtësinat qi do t’i bâjë populli dhe Qeverija.
- L. Gurakuqi : Kërkon këndimin e Art. 2 të Traktatit.
- M. i P. të Jashtme : Këndon Art. 2 të Traktatit, i cili âsht ky :
Art.2. Qeveríja italjane për të dhânë provë të ndjenjave të saj për respektimin e sovranitetit shqiptar përmbi Vlonën, si edhe për tansín toksore të Shqipnís, ka me çue në vêndin e vet ushtrín italiane, tani për tani të ndodhun në litoralin e saj, si dhe në gjithë Shqipnínë, përveç Sazanit.
- M. Kruja: Mbi çâshtjen’ e kufinit prendimo-veriorelindor bashkohem pikë për pikë me Z. Gurakuqin. Sa për masat qi përmênd Z. M. P. Jashtme qi ka marrë mbi sigurimin e këtyne kufîjve megjithë qi jam i kënaqun deri diku, kujtoj se do të kishte bâ dhe mâ tepër e meqi s’ka kalue koha të marrim masa mâ të forta. Ministri i P. Jashtme thotë se i kanë dhanë të gjitha instruksionet e nevojshme delegacivet t’ona në Paris e në Gjenevë. Kur ka vênde me strategjí ekonomike të gjithë shtetet e botës u shoqnojnë delegatvet të vet edhe eksperta mbi asoj çâshtjesh t’ímta e këto rregullisht oficera të Shtetit Madhnuer. Na nuk kemi kësí njerëz por ndofta do të gjindet nonji qi sado qi nuk do t’ishte i Shtetit Madhnuer do t’i dinte ato kufîj e do të kërkonte ato vênde strategjike e ekonomike të visevet të Gorës, Veleçikut etj. Në qoftë se jemi në kohë edhe kisha me thânë me çue nji a dy prej këtyne vetëve për me ndihmue delegacionet t’ona në kësí çâshtjesh. Un çâshtjen e Veleçikut e të Gorës nuk e quej çâshtje lokale po çâshtje vitale, po në qoftë se nuk duem të shtrëngojmë malësorët t’onë ekonomikisht të bâhen veglat e të huejve kundra Atdheut, mbasi i hueji nuk mungon për këto mjete shumë të ndyra. Sa për çâshtjen e kufîjvet të jugës bashkohem me Z. Omari e dëshëroj qi Z. Ministri t’na japë shpjegime mbi ato vise qi gjinden në dorë të Grekut. Shumë gazeta italiane qi kemi këndue mbi Ishullin e Sazanit thonë se zaptimi i këtij nuk e prish integritetin e Shqipnís, bile Tribuna thotë se nuk âsht Ishull shqiptar. Mbasi Z. Ministri thotë se Sazanin e konsideron si nji pjesë të pandashme të Shqipnís e gëzohemi shumë qi Qeverija e ka në program integritetin e Shqipnís e s’do të lejë asnji masë pa marrë për me i sigurue Sazanin Shqipnisë. Për ç’i përket regjistrimit të traktatit me Lidhjen e Kombeve Qeverija ka bâ shumë liksht tue regjistrue pa e paraqitë në parlament për pëlqim. Sa për çâshtjen e Emzot Nolit nuk mund të bashkohem me z. Ministër. Zotni e tij thotë kemi bâ nji telegraf e i kemi kërkue qi deklaratën në qoftë se e ka bâ t’a përgënjeshtrojë, tue thânë se s’e ka bâ nga ana e Qeverís. Ndofta do të thotë ndokush se tue hekun Fan Nolin prej atij vêndi do të kishim nji dâm, por unë them se do të ishte shumë mâ i madh qi ai të rrijë atje. Ajo punë mbyllet vetëm me nji rrugë : tue hjekë delegatin Emzot Fan Nolin prej andej, mbasi e ndênjmja e tij atje âsht shum’ e dâmshme për Shqipní.
Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”
Komentet