Mbledhja e XXXXI E mërkurë, më 3 gusht 1921, ora 4 mbas dreke
- M. Kruja: Drejtori i pyjeve shpjegon se e dhjeta ose mâ mirë taksa mbi qymyr âsht caktue tue u bazue mbi ligjën e Tyrqisë të vitit 1327: disa prej shokëve thonë se ligja e përmêndun nuk âsht ligj pse nuk ka pasë formalitetet e nevojshme e nuk âsht vue në veprim. Parlamenti duket se nuk ka mujtë me diftue se cila anë ka të drejtë, d. m. th. projekti a ka pas formalitetet e duhuna apo jo, e tue qênë se qeverija mbështetet në këtë ligj e mbasi na jemi tue bâmë nji interpelacion i cili duhet të mbarojë me votë besimi a mosbesimi, nuk marr vesht qysh do të mund t’a mbarojë me këtë çâshtje pa ditun ligjin e përmêndun e pa ditun që ky âsht ligj a jo. Për vërtetimin e kësaj pike bashkohem me z. M. Kiliçi e z. Gurakuqin që M. Financave t’i paraqesin këtë ligj parlamentit e parlamenti t’ja dërgojë komisjonit të drejtësisë i cili të shkoqisë a âsht ligj apo jo edhe në qoftë se âsht ligj, si po thonë disa prej shokve t’onë, Ministrija e financave nuk ka veprue mbas ksaj, pse ai ligj ka mângut tarifën për të cilën flet ai. Drejtori i pyjeve përgjegjet se për me mujtë me bâ tarifën, duhet me pasë elementat e nevojshme. Këta elementa, për mungesë të mjeteve, nuk janë përmbledhë. Në vênd të kësaj tarife M. e Financave paska marrë nji taks qymyrit e jo nji të dhjetë tue u bazue mbi vendimin e K. Administruer. Mendimi i K. Administruer a mjafton a s’mjafton ; këtê do t’a shkoqisi parlamenti ; tue hŷe në substancë bashkohem me z. M. Këliçi i cili provon, se e dhjeta q’i meret qymyrit nuk âsht aq sa taksat që caktohen në ligj. Z-nija e tij na bân nji hesap tue na tregue se nji grosh ar i atëhershim âsht sa nji frâng ar i sotçëm e qi qeverija në vênd që të merte nji grosh ar nji frang ar si taksë q’i caktohet prej ligjit të përmêndun po merr vetëm 70 cantim ar. Në qoftë se âsht kështu substancialisht nuk âsht bâ nji padrejtësi, vetëm në formalitet munt të ketë të mânguna.
- Kryetari : A pëlqeni të emnohen disa vetë për me studjue këtë çështje ? Apo të shkojë në komisjon të drejtësisë ?
- Kruja: Për mos me dhânë shêmbëll të jashtzakonëshme të formulohet proponimi kësisoj : me qênë se interpelanca u kthye me nji anketë Parlamentare të formohet nji komisjon me studjue këtë çâshtje e mbasi komisjoni për me plotësue statutin âsht i formuem, kisha me thânë t’i ngarkohet këtij.
- Kryetari : Këtu nuk është anketë parlamentare, por me qênë se parlamenti nuk po mund të dalë se cila anë ka të drejtë, kisha me thânë që t’i drejtohemi komisjonit të drejtësisë e të na japë nji raport.
Vêhet në votë e, me shumicë votash, vêndohet t’i dërgohet komisjonit të drejtësisë, me porosi që t’na sjelli këtu para të shtunës, tue i lânë më nji anë punët e tjera.
Mbledhja e XXXXII E shtunë, më 6 gusht 1921, ose 4 mbas dreke
- Z. M. i P. Mbrêndëshme : Si e dini, më parë kishim biseduar mbi këto çështje për të cilat pyetëm edhe Qeverinë. Kjo, duke marrë para sŷsh plagën që ka hapur çështja e esadizmës në Shpipërín e mesme na paraqiti nji projekt se si mund të shërohesh kjo plagë. Këtë ia paraqitëm Komisionit të Administratës dhe atij të Drejtësísë. I pari pëlqeu dhe pranoi mendimin e Qeverís ; i dyti, që kish për detyrë vetëm shqyrtimin e projektit që iu paraqit doli jashtë shpirtit të projektit, dhe kështu kaloi kompetencën e vet. Komisioni i Drejtësís ka shtuar edhe faljen e fajtorëvet komunë, po këtë responsabilitet qeverija nuk mund t’a marrë se kjo ka bërë shpenzime, ka hequr mundime, ka derdhur edhe gjak deri sa t’i zërë këta gjakpirës. Veç ksaj qevería âsht e mendimit që as Parlamenti të mos e pranojë, se kjo do të na diskreditojë si mbrênda ashtu edhe jashtë, se do të thuhet se Parlamenti pa bërë një ligj, pa filluar gjë fare hapi dyert për të liruar katilët. Proponoj që kjo të mos vehet fare në bisedë dhe të mjaftohemi vetëm me faljen e fajtorëvet politikë. (Duartrokitje)
- M. Kruja: Mbi raportin e Komisionit shumica nuk e pa të nevojshëme të emnojë nji relator për të mprojtun tezën e saj, mbasi gjith’ ato që duheshin thânë i dha me të shkruar. Tani vetëm s’pranoj aspak pretendimin e M. P. Mbrendshme se komisioni kaloi kompetencën e tij. Këtê po e deklaroj n’ emën të komisionit.
- Ali Këlcyra : Jo n’emën të komisjonit, por n’emën të shumicës së komisjonit se neve pakica e pranojmë.
- M. Kruja: Mbasi ç’do ligj q’i paraqitet komisionit ky ka të drejtë me e zgjânue ose me e shkurtue, me e pranue ose me e refuzue, s’asht e drejtë se komisjoni ka dalë jashtë kompetencës sikurse thuhet.
- Kryetari : Vên në votë kush âsht anëtar qi bisedimi të bâhet vetëm për fajtorët politikë.
- M. Kruja: Proteston tue thânë se as në nji vênd në botë s’âsht pamë të vêhet në votë nji gjâ pa u biseduem, dhe se s’âsht’ e drejtë.
- M. Kruja: Si shtet konstitusionel, Shqipníja, si parim mâ të naltë duhet të ketë njisinë (egalité). Këtu parlamenti me shumicë votash qiti jashtë proponimin e komisjonit të drejtësisë për faljen e përgjithëshme. E lâ mënjanë këtë pikë dhe dua të pyes qeverinë t’na shpjegojë ca pika që mund t’na prishin qetësinë dhe për me na sigurue njerzínë, si âsht shënue edhe në raportin e komisjonit të drejtësisë, në Gjinokastër dhe në Vlonë âsht bâ nji falje për delikte komune. Due të marr vesh si ka ngjarë kjo?
- Kryetari : Kjo bisedë u mbarua dhe e pres fjalën mbi këtë pikë.
- M. Kruja: Atëherë juve jeni anëtar i çarjes dhe jo i njisisë. Unë them se në Gjinokastër âsht bâ nji falje për delikte komune dhe jo politike, si shêmbëll nji farë Shaqo Llaqi që ka bâ të 99-ta në fushën e delikteve komune, kur falet ai pse nuk do të falen të tjerët qi s’kanë bâ as në 100 nji që ka bâ ay. Zâna nga ana e djathtë : Ay është në të ftoftë. E dyta, a âsht e vërtetë falja q’u ba në Vlonë? Se fakti âsht qi gjithë ata të dënuem qi ishin internuem n’Itali, kur kjo i lëshoi dhe u kthyen në Shqipní qeverija nuk i zuni dhe janë të lirë.
- Kryetari : Pret fjalën tue thënë se është jashtë temës.
- M. Kruja: Vazhdon se janë falun edhe disa nga fajtorët për delikte komune qi kishin shërbye në luftën Kombtare kundra okupacjonit Italis në Vlonë.
Vazhdon tue thânë se : qeverija quan patriotë ata që luftuen në Vlonë, dhe jo ata që luftuen në Shkodër dhe në Dibër, fal të parët dhe jo të dytët. Pastaj vjen edhe falja e disa fajtorve të tjerë nga qarku i Elbasanit prap për delikte komune qi kishin marrë pjesë në shërbim të qeverís kundra kryengritjes së vitit të kaluem.
- Kryeministri : Çështja e faljes së përgjithshme u refuzua prej Parlamentit, pra s’ka bisedë për mbi të.
- M. Kruja: Të bukura shpjegime që dha qeverija!!!
- M. Kruja: Qysh se na kish dërgue qeverija projektin e amnistisë dhe mâ si erdhi edhe vetë na dha shpjegime, kishim mêndue se si munt të pajtohet fjala amnisti me kushtet e paraqituna prej qeverisë ku thotë se amnistia do të jetë suspensive. Për me hiekë këto dyshime kërkova nji ndriçim (eclaircissement) nga librat shkencore dhe pashë qi ndahet më disa kategori. Enciklopedija frëngjishtë thotë qi amnistíja munt të bâhet e pjesëshme ose e përgjithëshme. N’anë tjetër thotë se amnistija munt të bâhet absolute ose kondisionale. Kjo mënyr’ e fundit âsht ajo qi na perkët neve. Komisjoni drejtësisë e pa me të vërtetë të drejtë qi amnistija të jetë qyshkore. Thamë se qeverija e ka projektin sikurse e spjegoi dhe z. A. Këlcyra që për tre vjet ndjekja do të jetë e varun, por qi amnistija do të jetë e përmbushun dhe e plotë pas tre vjet. Komisjoni e shpjegoi më nji artikull më vete se ata fajtorë politikë qi përfitojnë nga kjo amnisti, për tre vjet konsiderohen nënë vështrimin e qeverisë. Kjo ka të drejtë me vendimin e K. Ministruer kur do t’a kemi e sigurohet nga veprimet e damshme qi mund t’i prishen nga ndokush prej të falunve dhe nga ana tjetër të falunit përfitojnë nga të gjitha nevojat e amnistis, qi sot për shêmbëll fitojnë të drejtë. Në ngulmimin për ngritjen e fjalës syspensive qeverija që e vuri do të thotë të ketë nji fuqi diskresionare për me mundë me marrë masa në kohë nevoje. Sa për fjalët që tha z. Vinjau se ç’i cakton fajet politike, i them që vjet në nji nen që kemi bërë caktohen, dhe neve me atë vazhdojmë.
- Kruja: Për me caktue nenet lipset të kemi kohë të studjojmë të tërë kodin penal.
Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”
Komentet