Mbledhja e 50-të E hënë, më 19 shtatuer 1921, ora 3.15 mbas dreke
- M. Kruja: Kjo çâshtje më duket se u shpjegue mjaft, vetëm due të flas mbi përjashtimin e disa Prefekturavet : po thuhet se duhet të përjashtohen Shkodra, Saranda e Himara. Sa për Shkodrën, un kisha me thânë se po t’ishte qi të pranojmë an prensip përjashtimin, të përjashtohet skela e Shëngjinit dhe jo Shkodra. Unë thom përjashtimi nuk âsht i nevojshëm. Sikur të kishin nevojë Korça, ose b. f. Malësi e Gjakovës, për me importue drithë, nga Greqija a Jugosllavija, ndoshta do të shtërngoheshim t’a bâjshim këtê përjashtim, por Malësi e Gjakovës mban 4 ditë prej detit, e harxhet e transportit do të ishin aqë të rânda, sa nuk do t’a vijte barra qiranë. Por, përjashtimin e Sarandës, të Himarës e të Shkodrës, nuk e shoh t’ arësyshëm pse viset qi prodhojnë drithë i kanë shumë afër. Saranda b.f. skelën e Vlorës e ka 5 sahat larg, e besoj se gjinokastritët do të paguejnë pak santim mâ tepër për të bartun drithët prej Vlone kur t’a dinë se paraja do të mbetet në Shqipní. Prandaj jam kundra përjashtimit të këtyne viseve. Edhe z. L. Gurakuqi më duket se po përkrah përjashtimin, por me nji konditë qi t’a sjellë Qeveríja e jo tregtarët. Un them se po t’a sjellë vetë Qeveríja nuk âsht nevojë të bâjmë përjashtime se ajo mund t’a nxjerrë ku të dojë. Qeveríja e ndau simbas nevojavet të vêndevet ; në paftë se mungon nji vêndi merr nga njani vênd dhe e shpje. Sikurse tha dhe z. Ali Këlcyra nuk jemi specialistë për të caktue taksën qi duhet t’i vêhet bereqetit; pra nuk mund të flas, e pranoj projektin e Qeverísë pa kundrështim ose projektin e K. të Finansave për ç’i përket këtij caktimi. Flas sikurse keni folë dhe Z. e Juej pse nuk kemi ardhë këtu me folë çâshtje ditunije, po si m’a merr mêndja, vetëm due qi taksa të jetë njisoj për të gjithë Shqipnínë, se përjashtimi në sŷtë e popullit do të njihet si nji favor q’u bahet disa krahinavet. Ka dhe nji çâshtje tjetër e cila âsht fuqíja retrore aktive e këtij projekti qi lipset të vêndohet më nji art. tjetër, d-m-th, qi t’i merret taksa dhe atij mallit qi âsht importuem e qi gjîndet i depozituem tue j’u caktue koha dhe mënyra, dhe Qeveríja tue shqyrtue dëftesat e doganave do të dijë sa mall sjell secili tregtar. Të kërkojë prej këtyne t’i njoftojnë sa kanë shitun, të kërkojë depot sa ka gjithë kush, dhe t’u caktojë qi kanë edhe mâ të pagojnë. Atyne qi do t’i gjindet mall i depozituem pas kësaj kohe t’i sekuestrohet. Me nji art. tjetër Qeverija ka lânë vetëhen të lirë për me ulë taksën kur t’a shohë të nevojshme. Megjithqi mund të sjellë ndonji konfuzion, unë nuk jam kundrështar.
- M. Kruja: Ku âsht pa se në skelat e nji Shtetit të merren taksa të ndryshme! Nuk duhet qi krahinat e Shqipnís të duken si shtet më vedi, skelat e Sarandës, të Shkodrës e të Himarës të paguejnë 18% e të tjerat 25%. Përpara dâmit politik e moral kisha me pranue paksimin e taksës në të gjitha skelat, sa dy taksa në skela të ndryshme, e për skelat e Shkodrës, Sarandës e Himarës të rritet pak sasija e caktueme edhe për skelat e tjera t’ulet, kështu qi mund të gjindet nji cak për të gjitha skelat njisoj.
Bahen 5 minuta pushim, e mas 5 minutash mledhja mbështiellet prap.
Këndohet urdhni i ditës i z. M. Krujës, i cili âsht ky :
Tue marrë para sŷsh arsyet qi kanë shtŷmë Komisionin e Financavet në përjashtimin e skelavet të Shkodrës, të Sarandës e të Himarës, tue e ulun taksën e drithit në tarifën e zakonshme, K.Kombëtar pranon projektin e Qeverís, përsa i përket miellit e të lashtavet, si edhe të grunit, përveç kallamoqit, të cilit i vêmë 25 % taksë për të gjitha skelat e Shqipnís.
Pranohet me shumicë (31 vota)
- M. Kruja: Sa për retroaktivitet sikurse thashë dhe mâ parë Qeverija të marrë taksë vetëm prej atyne malleve qi ndodhen të depozitueme. T’u vêjë nji afat tregtarëvet qi të kallëzojnë mallin qi s’kanë shitun, prej së cilës do të marrë taksë, dhe n’âsht se pas rrjedhjes të këtij afati vërtetohet se tregëtarët kanë dhe mall të mshehun Qeverija të ketë të drejtë t’a sekuestrojë.
- Kryeministri : Nëpër doganat e dijnë sa hŷjnë në kohën normale, dhe në shohin qi ka nji sasí mâ të naltë që kurse âsht paraqitun projekti, kuptohet se tregtarët e kanë bërë me qëllim porosínë dhe taksojmë tepricën.
- M. Kruja: Pyes Z. Kryeministër se ç’kupton kohë normale. Kjo mënyrë do të sjellë shumë ngatëresa dhe mua më duket e pazbatueshme.
- M. Kruja. Formulon artikullin kësisoj : Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjith’ato sasi qi do të gjinden ndër tregëtarë të pashitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrat e doganës qi kanë hŷmë prej së jashtmit, dhe shton qi n’art. 2 në vênd qi të thuhet Qeveria ruan të drejtën, të thuhet, Qeveria autorizohet. Pranohet mbas kësaj ligje formulohet kësisoj:
Ligjën mbi taksat e miellit, kallamoqit e të lashtës qi hŷjnë në Shqipní nga jashtë.
Art. 1) Mielli dhe të gjithë drithënat e të lashtat si gruni, elbi, okëra, e fara e linit qi hŷjnë në Shqipní nga jashtë, do të paguejnë 45% taksë doganore nga çmimi i tyne përveç kallamoqit i cili do të paguejë taksën 25% për të gjitha skelat e Shqipnísë.
Art. 2) Qeverija auktorizohet qi kur të shohë nevojë t’a shesi taksën e përmêndun në nenin 1.
Art. 3) Kjo ligjë ka fuqi prapavepruese për të gjitha ato sasi qi të gjinden nëpër tregëtarë pa u shitun, në qoftë se vërtetohet me regjistrin e doganës qi kanë hŷmë prej së jashtmi.
Pranohet.
- M. Kruja: Z. Kryetar, meqênëse çâshtja për né ka nji rândësi, dëshirojmë qi kryeministri vetë të vijë dhe t’ na apë shpjegime.
- K. Tasi : Me qênë se kjo çâshtje i përket M. P. të brêndëshme jam i delegue nga ana e kryeministrís me dhânë shpjegime.
- H. Kadri : Kjo âsht nji punë q’i përket M. Luftës, prandaj Kryeministri lipset qi të vijë dhe t’na japë shpjegime.
- M. Kruja: Kur e bana këtë proponim e dinja se kjo çâshtje i përkitte Kryeministrit mbasi ka të bâjë me tê edhe Ministríja e luftës, edhe Ministrija e drejtësís. Kur u bâ ky proponim parlamenti vendosi qi të thiret Kryetari i ministravet. Kjo âsht nji gjâ qi âsht pranue e bile Z. Kryeministri ka kërkue dy herë afat të cilën ja kemi pranue. Prandaj kërkoj të vijë kryetar’ i kabinetit dhe t’ na zhvillojë këtê çâshtje.
Marrë nga vëllimi : Mustafa Kruja “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”
Komentet