Në ceremoninë zyrtare me rastin e 729 vjetorit të Ditës Kombëtare të Zvicrës kishin një ftesë të veçantë 54 zviceranë, që përfaqësuan nga dy persona të dy gjinive 26 kantonet përfshi Zvicrën e Pestë, sikurse quhet diaspora zvicerane. Ata ishin të ftuar në kremtimet festuese me Presidenten e Konfederatës Simonetta Sommaruga-n në Rüetli, “djepin e Zvicres” kur më 1291 u lidh besa, u firmos pakti i përhershëm dhe lindi Konfederata Helvetike. (CH)
Ky vit është shumë i veçantë për shkak të koronës që kërkon respektimin e rregullave. E megjithatë, zonja Sommaruga e shfrytezoi Festën Kombëtare për të falenderuar e shprehur mirënjohjen një grupi qytetaresh që simbolikisht përfaqësonin atë komunitet që, në kushtet e lockdown-it, i shërbyen vendit duke bërë që jeta të përvijonte normalisht.
Midis atyre të cilët Presidentja e Zvicrës i quajti “Heronjtë e përditshmërisë” në kohë krize, ata të cilët nuk “e respektonin” sloganin “stay home stay safe” ishte edhe Xhemile Fetaji, një shqiptaro-zvicerane me origjinë nga Gostivari, e cila në mënyrë shembullore i shërbeu qytetarëve si shitëse në Migrosin e Steckborn, qytezë me rreth katër mijë banorë në kantonin e Thurgaut në verilindje të Zvicrës buzë Liqenit të bukur të Konstancës.
Dje kur bisedova me të, Xhemilja ishte me plot emocione.
“Kur znj.Sommaruga na tha gjatë ceremonisë nëse i kishim bërë pyetjen vetes “përse unë jam ftuar në Rütli” unë në fakt ia kisha bërë vetes këtë pyetje”, më tregoi ajo.
Xhemilja është një “heroinë” e lockdown-it, periudhës kur ne ishim të këshilluar të rrinim të mbyllur dhe të dilnim nga shtëpia vetëm pēr domosdoshmeritë tona, sikur jane blerjet e ushqimeve, shkuarja ne postë, farmaci, mjek etj.etj.
“Gjatë gjendjes lockdown” më thotë Xhemilja, “u ndryshuan krejt planet e punës. U desh që ne të punonim pa plan, sepse, sapo i vendosnim mallrat dhe ushqimet në raftet e Migrosit, ato zbrazeshin menjëherë, aq shumë bliheshin nga qytetarët.”.
E kush nuk i kujton ato ditë plot zymtësi kur njerëzit mbushnin karrocat me majë për të krijuar rezerva sa më të mëdha për familjet e tyre që nga mielli, majaja e bukës deri tek letrat higjenike që zhdukeshin nga raftet e supermerkatove sa hap e mbyll sytë, pa marrë parasysh se gjithë ditën mediat në Zvicër qetësonin popullatën duke u thënë se nuk ka asnjë arsye për alarmizëm se dyqanet do të jenë gjithmonë plot e përplot, e, megjithatë në javët e para, të qetësohej popullata dukej se ishte e pamundur.
“Kur i shihja raftet e zbrazura dhe njerëzit që mbushnin karrocat, të merrte frika, kaq e tmerrëshme dukej situata”, vazhdon të më tregojë Xhemilja. “Shefi më thirri me ndihmu 2 orë plus, por nuk dilnin as dhjetë orë për të mbushur raftet nga ku mallrat bliheshin menjëherë. Dukej qartë që njerëzit kishin frikë. Frikë kisha edhe unë. Por kujtoja njerëzit nëpër botë që vdesin për një kore buke, ndërsa ne jetojmë në Zvicër me gjithë të mirat.” “E megjithatë”, ngulmon Xhemilja për një situatë që unë e njihja shumë mirë, “dukej sikur do të niste lufta. Çuditesha, por bënim gjithçka që të plotësoheshin kërkesat e blerësve, edhe kur disa kishin dëshira speciale, kur kërkonin papaya apo letër higjenike të aromatizuar. Atë periudhë, prej ngarkesës së punës unë në shtëpi isha shumë pak e pranishme dhe bashkë me bashkëshortin jemi shumë krenarë se fëmijët tanë (kanë dy fëmijë, djale e vajzë, Emirin dhe Emirën përkatësisht 12, 15 vjeç) nē atë periudhë aq të vështirë u organizuan shumë mirë, studionin vetë dhe u treguan shumë të përgjegjshëm edhe pa ndihmën time. Sepse unë nuk kam punuar 100% por 200% se më duhej që t’iu ndihmoja kolegëve, rrija pa orar në punë, në shërbim të blerësve. Dhe fëmijëve u them gjithmonë të ndihmojnë, të japin ndihmën e tyre sa herë të kenë mundësi. ”
“Përveç kësaj”, vijon Xhemilja, “në mbrëmje kur kthehesha, kisha kontakte përmes WhatsApp-it me shumë gra shqiptare në kantonin e Thurgaut, ku u sqaroja situatën, masat mbrojtëse kundër koronës, u jepja informacion, i pyesja si i kishin hallet, si shkonin me bashkëshortët, u jepja këshilla atyre me fëmijë të vegjël. Ishte ky një angazhim ndryshe nga ai i Migrosit, por edhe këtë e bëja me shumë përkushtim.”
Xhemilja kësaj pranvere në zgjedhjet lokale ishte kandidate e PS për parlamentin në Kantonin e Thurgaut. “Ylfeten e kam shembull, por më duhet ende pune”, më thotë ajo. E ka fjalën për Ylfete Fanajn, anëtare e parlamentit të Lucernës. Ylfetja ka lindur në Prizren. Bijë emigranti. I jati ishte punëtor ndërtimi, ndërsa Ylfetja gjatë 2020/21 drejton parlamentin e kantonit të Lucernës. Arritje të paimagjinueshme për dy dekada më parë!
Më tutje, Xhemilja më tregon: “Nē mëngjes fillonte ngarkesa e punës nga e para. Kishte njerëz që dëshironin t’jua çonim mallin në shtëpi. Kishte të moshuar që më vinte shumë keq kur i shihja të mundoheshin dhe i ndihmoja e ua çoja vetë blerjet nëpër shtëpi”.
“Kētu në Steckborn më njohin të gjithë!”, më thotë Xhemilja dhe pa dashur ajo i kishte dhënë përgjigje pyetjes: “Përse kishte marrë ftesë për në Rütli”.
Të gjithë ne banorët e Zvicrës në ditët kritike të rrezikut eksponencial të përhapjes të koronës, në mungesë të plotë të maskave, sepse me Kinën ku importoheshin ishin pezulluar fluturimet, ndërsa Franca e Gjermania kishin maska vetëm për vete, nuk harron frikën, si një paranojë kolektive kur të duhej të dilje nga shtëpia për blerje, ndërsa shitësit nëpër supermerkato të dukeshin kushërinj me ET, Samaritanë të Mirë apo superheronj.
Xhemilja është njëra prej tyre. Pjesë atij komuniteti që sakrifikuan pēr interesin e përgjithshëm kombëtar. Së bashku me ushtrinë e mjekëve, infermierëve dhe ekipet ndihmëse nëpër spitale.
Presidentja e Zvicrës në fjalën e saj gjatë ceremonisë midis të tjerave tha se “2020 ka qenë viti i koronavirusit, shpresoj se 2020 të jetë edhe viti i solidaritetit”, duke e nënvizuar këtë tipar të Konfederatës. Jo më kot motoja kombëtare e Konfederatës Helvetike është: “Unus pro omnibus, omnes pro uno” –
«Einer für alle, alle für einen» – “Një për të gjithë, të gjithë për një”.
Biseda jonë u përmbyll duke më treguar për ceremonë e kremtimeve në Rütli. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi me Presidenten e Konfederatës, por Xhemilja është plot emocion: “Dje”, më thotë ajo, “ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta fare natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Ceremonia ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Moderatorja ma shqiptoi emrin shumë bukur. E falenderova. Zonja Sommaruga na takoi. I dhurova disa produkte të kantonit tonë. Bëmë edhe foto. Isha me fat sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”
Komentet