Washington
Përderisa tensionet mes Rusisë dhe SHBA-së vazhdojnë të përshkallëzohen në nivel politik, shefat e mbrojtjes të të dy vendeve shkëmbyen mendime përmes telefonit për reduktimin e rreziqeve të sigurisë dhe parandalimin e konflikteve të mundshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjenerali Mark A. Milley zhvilloi bisedë telefonike me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, gjeneralin Valery Gerasimov”, tha zëdhënësi i gjeneralit amerikan Dave Butler.
Duke theksuar se dy zyrtarët ushtarakë diskutuan për çështje shqetësuese të sigurisë rajonale, siç është grumbullimi i trupave ruse në kufirin ukrainas, Butler tha: “Thirrja telefonike ishte vazhdimësi e komunikimit midis zyrtarëve për të siguruar uljen e rrezikut dhe parandalimin e konfliktit. Sipas praktikës aktuale, të dy kanë rënë dakord të mbajnë sekret disa detaje të bisedave të tyre”.
Derisa SHBA-ja paralajmëron Rusinë për një përpjekje tjetër për të pushtuar Ukrainën, Moska paralajmëron SHBA-në dhe NATO-n që të mos e përfshijnë Ukrainën në Aleancë.
Në këtë kontekst, Rusia i dorëzoi SHBA-së dhe NATO-s dy draft-marrëveshje, në të cilat u kërkua që SHBA-ja të angazhohet për të hequr dorë nga zgjerimi i NATO-s në lindje dhe përfshirja e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik.
Gjithashtu është bërë kërkesë që SHBA-ja të mos krijojë baza ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në vendet jashtë NATO-s, të mos përdorë infrastrukturën e atyre vendeve për veprimtari ushtarake dhe të mos bashkëpunojnë me ato vende.
Propozimi i Rusisë përfshinte nene për mosvendosjen e armëve bërthamore jashtë territorit të saj shtetëror dhe për tërheqjen e armëve të tilla të vendosura jashtë territorit shtetëror.
Një samit midis SHBA-së dhe Rusisë, i cili përfshin këto çështje, pritet të zhvillohet në janar.
Komentet