Në trasenë e segmentit të rrugës nacionale Ersekë – Leskovik një firmë ndërtuese po punon për rikthimin e normalitetit në pjesën më të dëmtuar të saj. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve përpiqen ta shmangin kalimin nga ky aks, duke preferuar rrugën më të gjatë nëpërmjet superstradave të Shqipërisë së mesme.
Rruga Ersekë-Leskovik 42 km thuajse të pakalueshme
“Jo, jo, nuk jua këshilloj që të kaloni nga Leskoviku – tha Artani, një djalë i ri nga Përmeti. Ditën e Shën Valentinit unë shkova në Korçë, po u bëra pishman. Rruga është për faqe të zezë – shtoi ai për BIRN.
Artani shton se në dimër përrenjtë mund të dalin nga shtrati, duke bllokuar trafikun. Pasiguria e lëvizjes së automjeteve ka ndikuar negativisht në lidhjet turistike të qyteteve të juglindjes, pasi udhërrëfyesit-guida nuk duan të rrezikojnë transportin e udhëtarëve vendas apo të huaj.
Vasili, që administron një nga hotelet në qendër të Përmetit tha për BIRN se të huajt kanë informacione për afërsinë me Korçën, 130 km gjithsej, dhe duan ta njohin zonën dhe ta përshkojnë atë.
“Para një muaji Përmetin e vizituan një grup i madh gazetarësh. Ata lëvizën me autobuz, dhe iu deshën më shumë se 4 orë deri në Ersekë – tha më tej Vasili. Të njëjtën gjë si gazetarët bëri edhe Shpëtim Canka, i cili bashkë me të afërmit e tij, mbërriti nga Leskoviku në Ersekë për dy orë.
“Unë jam me origjinë nga Përmeti dhe vij shpesh në vendin e të parëve të mi.
Më pas, herë pas here vazhdoj për në Korçë, pasi kam vizituar edhe monumentet historikë dhe natyrorë të zonës – tha mesoburri nga Durrësi, duke shtuar: Çfarë kuptimi ka që të kthehem në Rrogozhinë për tiu drejtuar pastaj Pogradecit apo Korçës.
Nga Përmeti deri në Leskovik rruga e rindërtuar vitet e fundit si dhe vendqendrimet e automjeteve e bëjnë mjaft të këndshëm udhëtimin, me lumin Vjosë dhe Malin e Nëmërçkës në të njëjtin krah.
Situata ndryshon kur hyn mes fshatrave të Kolonjës, aty ku numri i automjeteve në rrugë nuk i kalon gishtat e një dore.
Udhëtimi i Shpëtimit u ndërpre për rreth 20 minuta, kur mjetet e rënda të një firme ndërtuese po zgjeronin karrexhatën e rrugës, duke përdorur gurët e thyer nga një gurore pranë. Andoni, një nga teknikët specialistë tha për BIRN se rikonstruksioni i rrugës prej 42 km dhe zgjerimi i saj ka nisur kohë më parë.
Tashmë është shpallur edhe firma e cila do të fillojë punën në muajin maj dhe brenda një viti do të dorëzojë objektin e asfaltuar dhe të përfunduar” – vijoi Andoni, pa e hequr vemendjen nga punonjësit dhe mjetet në rrugë.
Infrastruktura turistike nuk mbaron me rrugën
Rruga Ersekë – Leskovik, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, do ti shërbejë rizgjimit të turizmit dhe komunikimit ekonomik në këtë territor, ku bashkohen edhe disa nga nyjet ndërkombëtare me fqinjin jugor, Greqinë.
Por, ndërsa Korça dhe Pogradeci kanë filluar ta shfrytëzojnë turizmin, si një element të rëndësishëm punësimi dhe mirëqënieje, qytetet e jugut kanë nevojë për ritme më të larta në zgjidhjen e problematikave të infrastrukturës.
“Nga tre kishat pranë Përmetit që i dedikohen Shën Marisë, vetëm në njërën prej tyre, në atë të Kosinës mbërrin me automjet – shprehet Johan Nako, i cili administron një bujtinë.
Kishat mesjetare të Leusës dhe të Bënjës janë të parritshme me autoveturë, megjithëse ndodhen shumë afër rrugës së asfaltuar.
Të shpallura “Monument kulture” objektet e kultit pranë Përmetit aktualisht mund të vizitohen vetëm nëse nisesh në këmbë drejt tyre. Edhe në Bual, ku një mësues i pasionuar ka ngritur një muze me elemente folklorike turistët mund të mbërrijnë vetëm në këmbë.
Së bashku me dy ortakë, Sokol Kallo ka ngritur dy vjet më parë një inkubator përpunimi të produkteve ‘tipike lokale’. “Puna jonë është e përqendruar në vjeshtë, atëherë kur fermerët vjelin frutat e stinës” – tha Sokoli për BIRN, por ai e ndjen se fshatarët kanë nevojë për mbështetje me subvencione nga shteti, duke shtuar se një pjesë e tyre po largohen nga vendi.
“Jemi qytet mikpritës, por duhet tu tregojmë vizitorëve të gjitha mrekullitë e natyrës dhe ato të historisë që na rrethojnë – përfundon Johan Nako./BIRN