Voal – Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, e konsideron kërcënim për demokracikë rikthimin e dënimit me burg për shpifjen. Sipas BIRN, kjo nismë nuk ka për qëllim të ndalojë shpifjen, por të ndalojë njerëzit që të ngrenë akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve. “Shqipëria, si një vend që ëndërron të bëhet demokratik, po bën pikërisht të kundërtën, po blindon zyrtarët përballë qytetarëve, po i armatos ata me kërcënimin me burg”, shkruan BIRN. Në këtë mënyrë, nismën e kryeministrit, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, që ka denoncuar disa zyrtarë të qeverisë për përfshirje në afera korruptive me tenderat publikë, e quan një hap të madh pas për lirinë e shprehjes dhe mendimit. “Nuk është fjala për shpifjen, por për atë që qeveria e konsideron si shpifje. Rrjedhimisht, propozimi i qeverisë është një projektligj që synon të kërcënojë çdo qytetar të mos e hapë gojën. Ai nuk synon asgjë tjetër veçse mbylljen e gojës së qytetarëve ndaj korrupsionit të pushtetarëve”, thekson gazetari i BIRN, Gjergj Erebara në një prej shkrimevë të këtij rrjeti mbi nismën e kryeministrit shqiptar.
Më poshtë po ju sjellim të plota të dy shkrimet e BIRN
Kriminalizimi i “shpifjes” ndaj zyrtarëve të lartë, kërcënim për demokracinë
Projektligji i mbështetur nga kryeministri Edi Rama për të kriminalizuar shpifjen kundër zyrtarëve të lartë i kthen orën mbrapsht demokracisë së brishtë shqiptare.
Nisma më e fundit e qeverisë shqiptare për të kriminalizuar shpifjen, e cila u mbajt e fshehur nga qeveria deri sa u dërgua në parlament, nuk është një rrufe në qiell të hapur për një maxhorancë që duket se ka pak tolerancë për zërat kritikë dhe për gazetarinë e pavarur.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk synon të dekriminalizojë çfarëdolloj shpifjeje! Propozimi i tij synon të kriminalizojë vetëm atë lloj fjale, shkrimi apo deklarate që shënjestron drejtuesit e shtetit. Shpifja, sipas propozimit të qeverisë, janë vetëm ato “sjellje që manifestohen përkundrejt funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur, në rastin kur ndaj këtyre të fundit shpifet me qëllim dhe publikisht lidhur me fakte të cilat ligji i parashikon si vepra penale”.
Propozimi synon të dënojë atë që qeveria e quan “shpifje ndaj zyrtarëve të lartë” me gjobë deri në tri vjet burg. Qeveria pretendon se kjo masë është e nevojshme për të ndaluar “abuzimet me lirinë e fjalës”. Propozimi është bërë në atë pjesë të kodit penal që flet për “krimet kundër shtetit”. Kjo nënkupton që nëse ndonjë qytetar thotë se ky apo ai ministër është hajdut, kjo konsiderohet shpifje dhe krim kundër shtetit dhe mund të dënohet me deri tri vjet burg. Por e kundërta, kur një zyrtar konsideron hajdut një qytetar, kjo nuk konsiderohet shpifje dhe as nuk dënohet.
Në Shtete e Bashkuara të Amerikës, zyrtarët dhe personat publikë gëzojnë shumë më pak mbrojtje ligjore ndaj akuzave publike, qoftë ajo fyerje apo shpifje, se sa qytetarët privatë. Shqipëria, si një vend që ëndërron të bëhet demokratik, po bën pikërisht të kundërtën, po blindon zyrtarët përballë qytetarëve, po i armatos ata me kërcënimin me burg.
Situata bëhet akoma më paradoksale kur merret parasysh se propozimi bëhet nga kryeministri aktual, njeriu që u godit në mënyrë barbare në vitin 1996 për lirinë e fjalës, apo të njëjtit njeri që shkoi në Paris më herët këtë vit në solidaritet me viktimat e sulmit terrorist ndaj karikaturistëve të Charlie Hebdo.
Propozimi u kalua fshehtazi në qeveri, hyri në procedurë parlamentare pa e marrë vesh askush dhe u zbulua rastësisht më 11 nëntor 2015, plot tri javë pasi qe dorëzuar në Kuvend.
Mënyra se si u propozua projektligji, mënyra se si u mbajt i fshehur për shumë javë dhe mungesa e debatit publik për nevojën apo mungesën e nevojës së një ndryshimi të tillë, përbën një shqetësim më vete.
BIRN Albania, si organizatë për zhvillimin e medias, mendon se projektligji i propozuar nga kryeministri Edi Rama është një hap i madh pas për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit.
Liria e shprehjes është sakaq nga liritë më të dobëta që gëzojnë shqiptarët. Për shkak të pushtetit disproporcional të partitizmit në Shqipëri, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë frikë të flasin, kanë frikë të ngrenë zërin, kanë frikë të protestojnë. Për shkak të pushtetit pa kufij ligjorë të partitizmit në Shqipëri, çdokujt i rrezikohet vendi i punës, mirëqënia apo edhe ndihma ekonomike në rast se ngre zërin. Gazetarët, të cilët duhet të jenë zëdhënës të zërit të qytetarëve përballë autoriteteve, shumë shpesh mbyllin sytë dhe heshtin si pasojë e frikës nga autoritetet.
Mbetet për t’u parë se si mund të funksionojë kriminalizimi i shpifjes në kuadër të nismave të shumta të qeverisë për “denoncimin e korrupsionit”, përmes aplikacioneve në internet si ai i hapur së fundmi stopkorrupsionit.al.
Klima e lirisë së shprehjes sakaq është shumë e keqe dhe aspak e përshtatshme për të kryer debatet e nevojshme për një shoqëri demokratike.
Shpifja është një akt i shëmtuar, ndaj kujtdoqoftë, përfshirë edhe zyrtarët e lartë. Legjislacioni aktual shqiptar i hartuar në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, i jep të drejtë palës së prekur nga shpifja t’i drejtohet gjykatës, ose t’i drejtohet prokurorisë për kallëzim penal, por sipas kodit penal aktual, kjo vepër dënohet me gjobë kur është penale dhe me dëmshpërblim kur është padi civile. Ne mendojmë se legjislacioni aktual është mëse i mjaftueshëm dhe se nga viti 2012, kur u krye kjo reformë, deri më sot, nuk ka ndodhur kurrfarë spekulimi i jashtëzakonshëm me lirinë e shprehjes për të sugjeruar nevojën për ndonjë ashpërsim ligjor. Shqiptarët vuajnë aktualisht nga mungesa e lirisë, jo nga tepria e lirisë.
BIRN Albania mendon se nisma të tilla ligjore janë dyfish alarmante. E para për shkak të rrezikut që qytetarët dhe gazetarët t’i frikësohen burgut sa herë që shkruajnë apo hapin gojën për të kritikuar autoritetet, duke thelluar edhe më tej nivelin ekzistues të ushtrimit të vetëcenzurës dhe; e dyta për shkak se propozimi, më shumë se sa për kërcënimin me gjobë apo burg, është një sinjal i hidhur për mënyrën thellësisht difektoze se si qeveria aktuale mendon për lirinë e shprehjes.
Propozimi i projektligjit bashkë me relacionin përkatës do të mbetet një njollë e zezë mbi qeverinë aktuale. Kjo njollë do të rëndojë mbi qeverinë edhe nëse ajo e tërheq menjëherë projektligjin dhe kërkon ndjesë të thellë. Klasifikimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë si “krim kundër shtetit” është një masë që ne gjykojmë se mund të ndërmerret vetëm nëpër vende autokratike si Rusia, Turqia, Egjipti apo Azerbajxhani.
BIRN Albania inkurajon fort qeverinë të tërheqë menjëherë projektligjin në fjalë, inkurajon fort Kuvendin e Shqipërisë të mos e votojë atë, inkurajon shoqërinë shqiptare të kundërshtojë me forcë këtë propozim. / BIRN/
Nuk është fjala për shpifjen, por për atë që qeveria e gjykon si “shpifje”
Propozimi hileqar i qeverisë për dënimin me burg të shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë si krim kundër shtetit synon t’i mbyllë gojën njerëzve të denoncojnë korrupsionin, jo të dënojë shpifjen.
Duhet të jemi të qartë! Propozimi i qeverisë për dënimin me tre vjet burg të shpifjes, nuk synon të dënojë shpifjen, synon të ndalojë njerëzit të ngrenë akuza për korrupsion. Bashkë me propozimin për dënimin me deri në tre vjet burg, qeveria ka dhënë edhe përkufizimin e asaj që ajo gjykon se përbën “shpifje”. Ky përkufizim që mbartet në pjesën e dytë të fjalisë të nenit 238, shpifja konsiston në: atribuimin ndaj një zyrtari të lartë të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale.
Kjo do të thotë se, nëse shan një ministër me fjalë të pista, sa të duash e si të duash, kjo nuk përbën shpifje, nuk dënohet. Nëse i thua “idiot”, kjo nuk përbën shpifje, sepse të qenit idiot nuk është vepër penale. Shpifja, sipas përkufizimit në fjalë është nëse i thua që ministri “ka manipuluar tenderin”. Kjo përbën vepër penale sepse manipulimi i tenderit përbën vepër penale.
Imagjinoni se çfarë do të ndodhë nëpër qytetet e mjera të Shqipërisë, ku sakaq njerëzit e kanë frikën në bark, kur një qytetar të ngrihet për të thënë se kryebashkiaku bej ka bërë një vilë luksose që nuk përkon me të ardhurat e tij si kryebashkiak. Ose të thotë se mësuesit po pushohen nga puna për të punësuar militantë partiakë. Kjo përbën shpifje dhe dënohet me deri tre vjet burg. Ka pak rëndësi se sa e bazuar apo e pabazuar është akuza e ngritur. Siç e dimë shumë mirë ne dhe siç na e kujton shpesh kryeministri, prokuroria dhe gjykatat janë institucione të korruptuara deri në palcë. Ka shumë pak gjasa që një prokuror të hetojë mbi akuzat, e bazuara apo të pabazuara qofshin, të ngritura nga media apo nga individët. Rrjedhimisht ka shumë pak gjasa që akuzat për korrupsion të cerfitikohen si të vërteta nga gjykatat. Por e kundërta është shumë e lehtë. Për shkak se korrupsioni nuk dënohet, akuzat për korrupsion janë lehtësisht të identifikueshme si “shpifje” sipas përkufizimit të qeverisë.
Propozimi i qeverisë nuk dënon shpifjen. Vetë përdorimi i fjalës shpifje në propozimin në fjalë është i pavend. Propozimi synon të dënojë akuzat ndaj zyrtarëve, të drejtën e qytetarëve për të ngritur dyshime se një tender u manipulua, se një qytetar u pushua pa të drejtë nga puna, se një punësim u bë mbi kritere politike.
Rrjedhimisht, propozimi i qeverisë është një projektligj që synon të kërcënojë çdo qytetar të mos e hapë gojën. Ai nuk synon asgjë tjetër veçse mbylljen e gojës së qytetarëve ndaj korrupsionit të pushtetarëve.
Vetë klasifikimi i shpifjes te kapitulli i “krimeve kundër shtetit” është një çudi më vete. Sipas konceptit të qeverisë, pushtetari është vetë shteti. D.m.th, shteti nuk është ajo tërësi ligjesh dhe institucionesh që duhet të garantojë liritë dhe mirëqënien e nënshtetasve. Shteti është zyrtarët e lartë të emëruar apo të zgjedhur.
Në fund, duhet të theksojmë gjithashtu se propozimi vështirë se do të sjellë edhe guximin e këtyre pushtetarëve që i thonë vetes “shtet” të dënojnë njerëz me këtë ligj. Thjeshtë ideja se dikush mund të hyjë në burg pse quajti një politikan “hajdut” mjafton për ta çuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE pesëmbëdhjetë vjet pas.
Gazetarët, të cilët mund të bien pre e këtij ligji të parët, për shkak të detyrimit që kanë për të informuar publikun për tenderët e manipuluar të qeverisë, për inaktivitetin e prokurorisë dhe padrejtësitë e pafundme të sistemit të drejtësisë, nuk duken fare të shqetësuar nga ky propozim. Përkundrazi, gazetarët duken thjeshtë të neveritur. Ideja që disa politikanë i japin vetes të drejtën të mendojnë se kanë vetë shteti, se kanë të drejtë të vjedhin, kanë imunitet ndaj ndëshkimit dhe në fund, pretendojnë se duhet të kenë imunitet edhe ndaj akuzave se po vjedhin. / Gjergj Erebara – BIRN/
Shtëpi bosh
shtëpi të bukura
të ndërtuara
prej ëndrrash
të ngritura me mund e sakrifica
me ngazëllimin e kthimit
ku presin nënat dhe baballarët
bijtë e tyre
që shtëpitë
të mbushen
me fr . . .
Shkrimtari i madh
nuk hoqi kurrë dorë
nga dashnorja
me trupin e Deas
e aroma ambroz hojesh
që e joshi gjithë jetën
posa i dilte nga shtrati
Helena e Trojës
shkrimtari i madh u plak
po . . .
Daniel Serwer tek A2CNN
Nga Rosalba Bejdo
S’është e drejtë mosfutja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE. Vuçiç nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin perë . . .
Po e botojmë këtë foto nga arkivi ynë, për të sjellë në fokus atë që ka ndodhur në Kosovë.
Në vitin 2001 Gjenerali Wesley Clark do të na e dhuronte me përkushtim dhe autograf librin . . .
Në ditët e para të këtij viti postieri na solli nga Florida një paketë me tre libra, dhuratë nga mikja jonë Anna Kohen, Lulja e Vlorës në shqip dhe anglisht si dhe The Photographer’s . . .
Opinioni me titull “E dashur Iris Halili të bëj thirrje që të japësh dorëheqjen nga kryesia ilegjitime e Vatrës” u nxit nga akti i turpshëm i kryesisë ilegjitime të Vatrës i 11 Shkurtit . . .
Profesori amerikan, njohësi i mirë i çështjeve rajonale, Daniel Serwer, del me propozime konkrete se cilat duhet të jenë sanksionet që i duhen vendosur Serbisë pas sulmit terro . . .
Ekspertja amerikane e sigurisë Ivana Stradner reagon në Twitter rreth dështimit të diplomacisë:
“NËSE gjërat përshkallëzohen në Ballkan, të cilat diplomatët Amerikanë mund t’i parandalo . . .
Ligjvënësi Republikan Keith Self i ka adresuar disa pyetje emisarit amerikan, Gabriel Escobar, mbi qasjen e tij ndaj Kosovës.
Sipas Ligjvënësit Self, Escobari po tregohet jokonsis . . .
Dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan ka tejkaluar mbështetjen e tij për demokracinë, sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit
Si ish-kryetar i Komitetit të Punëve të Jash . . .
Washington’s desire for Balkan stability has overtaken its support for democracy, the rule of law, and anti-corruption
As the former chairman of the U.S. House Fo . . .
Voal.ch po sjell një reagim të analistes Amerikane Ivana Stradner, e cila pak kohë më parë ka marrë kërcënime nga një zyrtar i lartë i qeverisë serbe.
“E turpshme. Shtetet e Bashkuara . . .
Komentet