Orlando, një menaxher projektesh nga Durrësi thotë se e pëndjek “fati i keq” me ashensorët. Gjatë viteve të punës në Tiranë, 28-vjeçari thotë se ka ngecur i bllokuar tre herë në ashensorë të pallateve të ndryshme.
“Hera e fundit ka qenë në ashensorin e punës, në një pallat në zonën e ish-Bllokut, rreth 4 muaj më parë,” tregon ai, duke shtuar se kishte qenë së bashku me dy banorë të tjerë.
“Tentuam që të lajmëronim banorët e tjerë duke i rënë alarmit, por askush nuk dëgjonte. Duke qenë se askush nuk po na vinte në ndihmë, arritëm që me forcë të hapnim dyert,” shtoi ai.
Orlando është vetëm një nga shumë banorë të Tiranës, që ka përjetuar frikën e bllokimit në ashensor. Bledar Bajrami, kreu i Sindikatës së Zjarrfikëseve dhe pjesmarrës në qindra operacione shpëtimi thotë se çdo javë regjistrohen aksidente për shkak të problemeve me ashensorët.
“Në shumicën e rasteve, qytetarët bllokohen në ashensor për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike dhe duke mos mbajtur të karikuar baterinë e ashensorit. Por ka pasur dhe raste që kjo bateri nuk ka qenë fare ose ka qenë jashtë funksionit dhe nuk është ndërruar,” tha Bajrami për BIRN.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se nga rreth 10 mijë ashensorë aktivë në vend, vetëm 18% e tyre janë të regjistruar dhe të koaluduar – ndërsa pjesa tjetër funksionon në kushte paligjshmërie.
Sipas Inspektoriatit Shtetëror për Mbrojtjen e Tregut, i cili është përgjegjës edhe për garantimin e sigurisë së ashensorëve dhe regjistrimin e tyre, vetëm 1804 ashensorë janë të regjistruar pranë këtij institucioni. Rreth 82% e ashensorëve në vend mbeten jashtë radarëve të kontrollit.
Inspektoriati shtoi gjithashtu se ankesat për problemet me ashensorët kanë qenë të shumta, veçanërisht në qytetin e Tiranës.
“Nga viti 2019 deri në fund të vitit 2022 janë kryer 1344 inspektime të planifikuara dhe nga këto kontrolle janë vërejtur problematika të shumta,” tha Inspektoriati në një përgjigje me shkrim.
ISHMT ka vendosur 467 masa administrative, duke nisur nga gjobat e deri tek ndalimi i përdorimit të ashensorit.
Legjislacioni shqiptar përcakton si persona përgjegjës për funksionimin e ashensorit ndërtuesin ose administratorin e pallatit, të cilët mbartin edhe detyrimin ligjor për të bërë regjistrimin e tij.
Të njëjtët persona duhet gjithashtu që të kujdesen për të bërë vlerësimin e konformitetit nga një organ i miratuar – çka për më shumë se 80% e ashensorëve në vend nuk ka ndodhur. Sipas Inspektoriatit Shtetëror për Mbrojtjen e Tregut, personat përgjegjës sipas ligjit nuk i kryejnë detyrimet e tyre.
“Personat përgjegjës për kryerjen e ekzaminimit teknik dhe regjistrimin e ashensorit nuk janë të ndërgjegjësuar,” tha ISHMT.
Inspektorati ka kërkuar ndryshime ligjore për sigurinë e ashensorëve, duke propozuar zgjerimin e rrethit të personave përgjegjës.
“…Parashikimin e detyrimeve ligjore për instaluesit dhe mirëmbajtësit e ashensorëve, pasi janë hallka kryesore për sa i përket instalimit dhe mirëmbajtjes së ashensorëve,” shtoi ISHMT.
Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami i tha BIRN se shkaqet kryesore të avarive në ashensorë janë konsumimi i tyre dhe mungesa e kontrolleve.
“Ka disa lloj ashensorësh që janë me presion vaji. Nga orët e punës që bën presioni i vajit bie dhe pompa sforcohet. Mbipesha luan një rol negativ, pasi nga sforcimi, vaji nis dhe rrjedh mbi kabinë. Dhe në rastin më të parë që ka një shkëndijë elektrike për shkaqe nga më të ndryshme, mund të kthehet në katastrofë për personat që janë brenda,” tha Bajrami për BIRN.
“Ka pasur edhe këputje kavosh, pasi nuk është bërë kolaudimi i duhur. Përveç amortizimit nga përdorimi, problemet mund të vijnë edhe nga faktorë të jashtëm, siç mund të jetë lagështira,” përfundoi ai.