Në 16 mars të këtij viti policia në Durrës arrestoi Neralt B, një 23 vjeçar i dënuar me vendim të formës së prerë në qershor 2022 për përdhunim. Policia njoftoi se i riu do duhej të vuante rreth 2 vjet e 7 muaj burg për një ngjarje të ndodhur në gusht 2020, kur ai përmes kërcënimit dhe shantazhit përdhunoi një vajzë 17-vjeçe.
I riu në fakt ishte arrestuar nga policia në 4 gusht 2020. Ai qëndroi në qeli në paraburgim deri në korrik 2021, kur u lirua me kusht për shkak të “zemërgjërësisë” të Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.
Vendimi i gjykatës tregon se në korrik 2021 Neralt B. 23 vjeç, u gjet fajtor për përdhunim. Por pavarësisht se vendosi që 23-vjeçari përmes shantazhit dhe kërcënimit kishte përdhunuar një të mitur, një trup gjykues i përbërë nga ish-gjyqtarja Eda Kaja kryesuese, me anëtarë gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Vladimir Skënderi, e konsideroi të mjaftueshme si kohë burgimi qëndrimin në paraburgim për një vit. Trupa e dënoi në letër Neralt B me 6 vjet burg, që u ul në 4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u shndërrua në 3 vjet dënim me provë pasi gjykata vendosi të zbatojë nenin 59 të lirimit me kusht.
Në vendim Gjykata e Shkallës së Parë Durrës referon si lehtësuese në pjesën e arsyetimit faktin që i riu ishte “penduar thellë” dhe një letër nga babai i viktimës që pretendon se marrëdhëniet mes familjeve ishin normalizuar.
Por pasi prokuroria e Durrësit e ankimoi lirimin me kusht në qershor 2022 Gjykata e Apelit në Durrës e gjeti të padrejtë vendimin e lirimit, duke e argumentuar me rrezikshmërinë e veprës penale.
BIRN gjeti se një rast i tillë nuk ishte hera e parë që ndodhte. Në 4 vendime për veprat penale të dhunës seksuale ndaj të miturave 14-18 vjeç të marra nga gjykata në Durrës në vitet 2020-2022, 2 ishin ndryshuar në Apel për të rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë për liri me kusht. Ndërkohë në një nga vendimet, ka qenë Apeli që ka shkuar në krahun tjetër duke e dhënë ai dënimin e zbutur.
Për ekspertët kundër dhunës ndaj grave kjo është vetëm dukja e një fenomeni që i detyron vajzat e mitura të dhunuara të heshtin, ndërsa e bën gjykatën pjesë të sistemit të dhunës ndaj tyre dhe ndikon në mosdenoncimin e dhunës dhe shtimin e saj.
Rezarta Agolli, juriste pranë Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), thotë për BIRN se viktimat e dhunës duhet të sfidojnë një sistem të tërë të ngritur kundër tyre, i cili u bën presion për të heshtur dhe i shtyn drejt tërheqjes së kallëzimeve dhe ndryshimit të dëshmive.
Një sistem të cilin vendimet e buta të gjykatës e inkurajojnë. “Edhe në rastet me të mira kur kallëzuesja nuk heq dorë nga kallëzimi dhe kërkon dënimin e autorit të veprës penale, nëpërmjet sistemit te korruptuar ata autorët gjejnë hapësira për t’i shpëtuar dënimit”, tha Agolli.
Viktimat në “çark”
Vendimet e Gjykatës së Apelit dhe asaj të Shkallës së Parë në Durrës për akuzën e përdhunimit të 4 adoleshenteve në 4 vitet e fundit duke në si përsëritje e njëra tjetrës. Në tre raste gjykata është përballur me ndryshim të dëshmive të viktimave dhe të afërmve të tyre, që tregon se ata ishin para presionit.
Në një rast dëshmia e ndryshuar e të dhunuarës është marrë kur ajo nuk ishte më në Shqipëri. Sipas vendimit të gjykatës viktima, një 16 vjeçare e dhunuar nga një 29-vjeçar e ndryshoi dëshminë duke pretenduar se shenjat e dhunës, për të cilat ajo qëndroi disa ditë e shtruar ishin shkaktuar nga përplasja me një tavolinë.
Vajza iu nënshtruar edhe tre ekspertizave kriminalistike gjatë hetimeve. E fundit prej këtyre, siç del në vendimin e gjykatës, duke iu referuar edhe kohës së kaluar nga ngjarja duket se pranoi dyshimet se shenjat e lëndimeve mund të ishin nga mjete të tjera.
Por gjyqtarja e çështjes Besjana Garxenaj nuk e pranoi këtë ndryshim qëndrimi. Garxenaj iu referua në vendim qëndrimit të mjekes gjinekologe që kishte shtruar vajzën në Spitalin e Durrësit menjëherë pas ngjarjes dhe kartelës së hapur për këtë qëllim, në të cilën bëhet e qartë se ajo ishte viktimë e dhunës seksuale. Garxenaj po ashtu nuk i mori për bazë dëshmitë e zbutura të dhëna në vijim dhe vendosi dënimin me 5 vjet burg të 29-vjeçarit Skerdjan P.
Kjo nuk i dha fund historisë, pasi me një vendim për të cilin Gjykata e Apelit Durrës ka bërë publik vetëm dispozitivin, vendimi i Garxenajt u ndryshua dhe përdhunuesi u lehtësua duke u dënuar përfundimisht vetëm me kusht.
Aktivistja Rezarta Agolli thotë se kjo mënyrë e të trajtuarit të viktimave të dhunës dhe mungesa e ndëshkimit për dhunuesit bie mbi viktimat e veprave penale. “Pasojat për viktimat nga vepra penale janë shumë të rënda. Nuk ekzistojnë projekte afatgjata për rehabilitimin e tyre dhe ato me të drejtë lodhen, herë-herë ato bëhen viktima të krimeve të tjera të pasionit deri ne trafikim”, tha ajo.
Agolli thotë se ishte bërë praktikë që mbas 2 muaj mase sigurimi “arrest në burg”, gjykatat e rretheve gjyqësore me kërkese të të pandehurit bëjnë zëvendësimet e masave të sigurimit për të arrestuarit për këto vepra me arsyet shpesh “të pabaza e qesharake”.
Ndërkohë sipas avokates durrsake Shqiponja Meta, këto vepra penale kanë marzh dënimi të lartë dhe lirimi i autorëve sjell së pari pasiguri dhe rrit kriminalitetin. “Këta persona kanë rrezikshmëri të lartë për recidivizëm (prirje për përsëritje të krimit), sidomos kur kanë diferencë të madhe në moshë mes autorit dhe viktimës”, tha Meta.
Tërheqja e viktimave si mbrojtje për dhunuesit
Gjetja e mjeteve për lehtësimin e dënimit të autorëve, kur kallëzimi nuk tërhiqet dhe çështja përfundon në gjyq, është një nga përpjekjet e palës mbrojtëse në gjykim.
Sipas përfaqësueses së organizatës AWEN, favorizimi i autorëve në gjykim është i shpeshtë përmes aktivizimit të mjeteve të tjera, si deklarata para noterëve nga viktima, ose deklarata për normalizim marrëdhëniesh nga familjarët e saj, siç ndodhi në rastin e gjykimit të Neralt B që u pasua me zbutje të dënimit në Shkallën e Parë.
E pyetur nga BIRN për fenomenin dhe aplikimin e nenit 59, Prokurorja e Rrethit Gjyqësor Durrës Anita Jella thotë se vlerësimi bëhet rast pas rasti, po kur prokurori çmon se vendimi i gjykatës nuk ka qenë i drejtë e ankimon atë.
“Synimi është që përmes dënimeve të rënda të parandalohet fenomeni që po rritet ndjeshëm në shoqërinë tonë”, tha Jella .
Një prej apelimeve është një vendim ndaj një shpërndarësi picash në Durrës, që kishte pasur raport me një 12-vjeçare.
Edhe në këtë rast arsyetimi i gjykatës ka qenë se i riu, që u gjet fajtor për nenin 100 të Kodit Penal, ishte i vetmi krah pune për familjen e tij dhe se ai nuk e dinte moshën reale të vajzës, por mendonte se ishte më e madhe. Gjithashtu, gjykata në këtë rast pati arsyetuar se vendimmarrja është ndikuar edhe nga pandemia.
Kështu shpërndarësi i picave i dënuar fillimisht me 7 vjet burgim dhe në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, për uljen me 1/3 e dënimit, me 4 vjet e 8 muaj burgim, u la i lirë nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, në zbatim të nenit 59.
Pas ankimit të prokurorit gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin e dhënë dhe të shfuqizojë pezullimit të dënimit me burgim. Por ky proces merr shpesh deri në dy vjet, duke e bërë mjaft të vështirë për viktimat e dhunës dhe duke e zbehur çështjen.
Sipas aktivistes Agolli ky proces shpesh i gjatë hetimit dhe kalvari i gjatë në gjykatë deri në dënimin e autorit, i lodh viktimat. “Kalimi i një kohe të gjatë nga data e ndodhjes së ngjarjes deri në përfundim të procesit gjyqësor e zbeh çështjen dhe përfundimi është zbatimi i dënimeve alternative deri te pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia në provë”, thotë ajo.
Ndëshkimet e buta ndaj dhunuesve shpesh janë fajësuar për krime të përsëritura apo për ngjarje më të rëndë në të cilat gratë dhe vajzat humbi jetë në duar të dhunuesve.
Agolli thotë se rrjeti AWEN që përbëhet nga 9 organizata të shpërndara në rrethe të ndryshme të vendit dhe që punojnë në mbrojtje të drejtave të vajzave dhe grave po lobojnë për më shumë vëmendje dhe dhënien fund të paligjshmërisë në dëm të miturve dhe vajzave e grave.
Aktivistja thotë se për të ndihmuar viktimat duhet bashkëpunim dhe bashkërendim institucional “që të drejtat e tyre të mos mbeten në letër”./BIRN