Fermerët në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut përballen me sfida të ngjashme kur përpiqen të përfitojnë fonde nga programi IPARD i Bashkimit Evropian.
BIRN
Preng Doda filloi të merrej me bujqësi në vitin 1985, kur Shqipëria ishte ende një shtet komunist, por vetëm dhjetë vjet më parë nisi të merrej me prodhimin e verës.
Tani 69 vjeç, Doda kultivon rrush në dy hektarë tokë në fshatin Tenë, pjesë e veriut malor të Shqipërisë. Ai ndërtoi një kantinë vere nga kursimet e tij dhe bleu ose huazoi pajisje të përdorura për të prodhuar verën.
Klima është më e ftohtë se në jug, por Doda është këmbëngulës dhe hardhitë japin fryte.
Ishte e njëjta këmbëngulje që e ndihmoi Dodën të siguronte fonde në vitin 2022 nga Bashkimi Evropian për të përmirësuar kantinën dhe pajisjet e tij të prodhimit.
“Projektin e përgatita me disa specialistë”, tha ai. “Kriteret ishin shumë të vështira për t’u përmbushur.”
Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria kualifikohet për dhjetëra milionë euro në vit grante nga Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit në Zhvillimin Rural të bllokut, IPARD.
Por ashtu si fqinjët e saj dhe kolegët kandidatë për anëtarësim, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria po përpiqet t’i shpenzojë grantet e ofruara brenda afatit kohor të përcaktuar nga BE-ja. Suksesi i Dodës është larg normës.
Në fakt, fermerët e vegjël shpesh hasin vështirësi me dokumentet dhe me gjetjen e kapitalit që duhet të grumbullojnë për t’u kualifikuar. Problem është edhe korrupsioni.
Fondet e papërdorura kthehen
Në Shqipërinë perëndimore, një fermer veteran që kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, Kasemi, tha se kishte nevojë për mbështetje nga shteti në prodhim dhe shitje, por se nuk kishte marrë asnjë informacion për programin IPARD.
“Në Shqipëri koha e fermerit është e zënë dhe ai është i zënë gjatë gjithë ditës”, tha Kasemi. “Nuk ka kohë që një fermer të jetë në telefon apo para televizorit. Kështu që nuk kam marrë asnjë informacion. Nuk është se ka pasur ndonjë fushatë në fshat për të na prezantuar me këtë projekt. Të paktën jo në fshatin tonë.”
Në Koçani, në lindje të Maqedonisë së Veriut, Bozhidari, i cili gjithashtu kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, tha se kurrë nuk kishte aplikuar për fondet e BE-së.
“Nuk kisha informacion të saktë, kështu që nuk e kisha idenë se mund të aplikoja për këto grante”, tha ai për BIRN. Kur i hodhi një sy, ai tha se kishte përshtypjen “kërkohej shumë dokumentacion” dhe se ishte e vështirë për t’u kuptuar.
Në Malin e Zi, i cili është shumë i varur nga importet dhe ka nevojë për investime të mëdha bujqësore, të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se 80 për qind e fondeve IPARD u shkojnë kompanive dhe jo fermerëve të vegjël, pavarësisht faktit se kompani të tilla përbëjnë vetëm dy për qind të totalit të numrit të përgjithshëm të fermave të regjistruara.
Sipas programit IPARD II, Mali i Zi kishte të drejtë për një financim prej 52 milionë eurosh ndërmjet viteve 2014 dhe 2024, 80 për qind e këtij financimi nga BE-ja. Deri në fund të vitit 2023, rreth 35 milionë euro u ishin shpërndarë fermerëve, sipas shifrave të qeverisë, duke bërë që Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – ta zgjasë kohëzgjatjen e projektit deri në fund të vitit 2024.
Vendi tashmë ka kthyer 1.7 milion euro fonde të papërdorura në 2021 dhe 2022.
Ministria e Bujqësisë fajësoi praktikën mes furnitorëve për rritjen e çmimit të makinerive dhe pajisjeve menjëherë përpara ose gjatë çdo thirrjeje publike për aplikime, që do të thotë se fermerët duhet ta paguajnë diferencën nga xhepat e tyre.
Por duke folur për BIRN në tetor të vitit të kaluar, delegacioni i BE-së në Mal të Zi tha se dy thirrjet e fundit publike për aplikime kishin shfaqur interes në rritje, me një numër të lartë aplikimesh me cilësi më të mirë.
“Fermerët dhe agrobizneset tani po aplikojnë me plane biznesi të zhvilluara më mirë”, tha delegacioni. “Numri i aplikimeve të pakompletuara me dokumentacion të mangët, një problem i madh, sidomos në thirrjet e para të programit, tashmë ka rënë.”
Sipas këstit të ardhshëm të programit, IPARD III, do të vihen në dispozicion edhe më shumë para – 60 për qind më shumë se në IPARD II.
“Procesi i mësimit në nivele të ndryshme (prodhues, përpunues, furnitorë, administratë kombëtare) ka marrë pak kohë, por fushatat e shumta informuese të organizuara nga Ministria e Bujqësisë në të gjithë vendin tani kanë dhënë rezultat”, tha delegacioni.
Në një raport të publikuar nga Komisioni Evropian në korrik 2023, parregullsitë IPARD të raportuara nga Shqipëria përbënin pjesën më të madhe të parave të përfshira (33 milionë euro nga 39 milionë euro).
“Kjo ishte kryesisht për shkak të katër parregullsive që së bashku përbëjnë rreth 31 milionë euro”, tha Komisioni. “Parregullsi të tjera përfshinin shuma shumë më të ulëta, kryesisht nën 100,000 euro, në disa raste nën 10,000 euro.”
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, tha se të gjithë donatorët ndërkombëtarë presin një “humbje parash” gjatë një periudhe donacioni, për shkak të korrupsionit, shpenzimeve të pa llogaritura të burimeve njerëzore, zhvillimeve politike, etj.
“Kur ky kufi (i humbjeve të pritshme) tejkalohet, pra kalohet vija e kuqe, BE-ja shqetësohet dhe ndërhyn në nivele të tjera hetimi”, tha ai. Fondet IPARD II për Shqipërinë janë një shembull i mirë i ndërhyrjes së BE-së kur fondet keqpërdoren, tha ai.
Korrupsioni ende një shqetësim serioz në Shqipëri
Mes qindra përfituesve të IPARD-it në Shqipëri janë një numër i njohur për lidhje politike dhe kriminale.
Mes tyre është edhe Elvis Roshi, një ish-politikan, të cilit iu ndërpre mandati si kryetar i Bashkisë së Kavajës pas zbulimit të dosjeve të tij kriminale, përfshirë një dënim për përdhunim në Itali. Në vitin 2018, Roshi u dënua me shtatë muaj e 15 ditë burg për fshehjen e dosjes së tij kriminale në formularin e deklarimit për poste publike, megjithëse në fund e shmangu burgun.
Pasi udhëhoqi Kavajën mes viteve 2011 dhe 2016, Roshi themeloi kompaninë e agroturizmit Kavaljon dhe, megjithëse kishte përvojë të kufizuar në bujqësi, siguroi dy herë grante IPARD.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Shqiptare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, AZHBR, Kavaljon në vitin 2021 fitoi një kontratë me vlerë 8.5 milionë lekë ose rreth 83, 300 euro, për një plantacion agrumesh dhe sherebele. Por kompanisë iu desh të kthente një këst fillestar prej 41,676 eurosh për shkak të shkeljes së kontratës.
Në të njëjtin vit, në një aplikim të dytë me emrin Rikonstruksion Bujtine, Roshi mori një grant IPARD II prej 21.8 milionë lekësh ose 214 mijë euro.
Roshi nuk ishte i vetmi përfitues të cilit iu kërkua të kthente përfundimisht fondet. Sipas të dhënave të AZHBR-së, 73 grantmarrësve u është kërkuar kthimi i parave që kanë marrë. Ndaj 12 u nisën procedime ligjore në kuadër të IPARD II.
Delegacioni i BE-së tha se, pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz në Shqipëri.
“Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël”, tha delegacioni.
“Këto investime (nga përfituesit e IPARD-it) u panë nga publiku si të keqpërdorura”, tha Krasniqi. “Lajmet për ta nuk patën asnjë ndikim, nuk tërhoqën vëmendje. Vetëm kur ato u adresuan nga strukturat antikorrupsion të BE-së pati një reagim.”
Zef Preçi, kreu i Qendrës së pavarur Shqiptare për Kërkime Ekonomike, u pajtua me këtë, duke i thënë BIRN se zbatimi i projektit IPARD në Shqipëri ishte një shembull i keqqeverisjes dhe ndërhyrjes së patronazhit dhe interesave korruptive në sektorin e bujqësisë.
Pjesa më e madhe e parave shkoi për fermerë të vetëshpallur me shumë pak përvojë në bujqësi.
“Pavarësisht burimit të financimit, qoftë nga buxheti i shtetit, kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare apo donacionet, korrupsioni ka të njëjtat pasoja në vend”, tha ai.
“Monopolizimi i vendimmarrjes në shpërndarjen e fondeve ka deformuar qëllimin e projektit që është të mbështesë investimet në industrinë agro-ushqimore dhe zonat rurale dhe ka shkelur parimet e përcaktuara për përdorimin e fondeve.”
Ndihmë me gjetjen e kapitalit
Në Maqedoninë e Veriut, Goran Lefkov, drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese Scoop, tha se korrupsioni ka qenë gjithmonë i pranishëm në mënyrën se si shpenzohen paratë publike, por roli i BE-së në programin IPARD ka lënë më pak hapësirë për manipulime.
“Sipas informacioneve të fundit, OLAF (dhe Zyra e Prokurorit Publik Evropian) ka hapur rreth 20 hetime për mashtrim me keqpërdorimin e fondeve nga programi IPARD (në Maqedoninë e Veriut)”, tha ai.
“Mendoj se ky është një numër shumë i vogël në krahasim me sa para ka marrë Maqedonia e Veriut dhe sa projekte ka zbatuar në kuadër të IPARD-it.”
Sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia e Veriut mori 49.3 milionë euro në kuadër të programit IPARD ndërmjet viteve 2017 dhe 2021 dhe nënshkroi 2,155 kontrata me përfituesit.
Në Mal të Zi nuk ka pasur raportime për korrupsion në lidhje me fondet IPARD, por sektori i bujqësisë në përgjithësi nuk i ka shpëtuar shqyrtimit.
Në nëntor të vitit të kaluar, policia arrestoi Dragana Kandiç Perovic, Kryeinspektoren e Bujqësisë, Verës dhe Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe inspektorin e Veterinarisë Marko Sekariç nën dyshimin se kishin marrë ryshfet për të bërë një sy qorr ndaj aktiviteteve të paligjshme. Ata nuk janë më në paraburgim dhe ende nuk është ngritur asnjë akuzë.
Më pas, në fund të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit Special të Shtetit ngriti akuza kundër ish-ministrave të bujqësisë Petar Ivanoviç dhe Budimir Mugosa, si dhe Blagota Raduloviç, ish-drejtoreshë e zyrës së pagesave IPARD në këtë ministri. Ata akuzohen për shpërdorim detyre në shpërndarjen e fondeve nga Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit midis 2015 dhe 2017.
Në Mal të Zi, problemi kryesor me programin IPARD është se aplikantëve të mundshëm u mungojnë fondet që atyre vetë u duhen për t’u kualifikuar për një grant, tha Marko Maras, themeluesi i platformës rajonale bujqësore Seljak.me.
Maras tha se qeveria duhet të krijojë një fond të posaçëm garancie kredie.
“Si mund të marrë një fermer një kredi nëse toka e tij në fshat nuk vlerësohet? Çfarë do të lërë garanci? Ai s’ka shtëpi buzë detit”, tha Maras për BIRN. “Këtu duhet të ndihmojë shteti.”
Qeveria po punon për një fond të tillë, tha për BIRN Ministria e Bujqësisë. Në korrik të vitit të kaluar, tha ai, qeveria vendosi ta transformojë Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit të Malit të Zi në një Bankë Zhvillimi, duke besuar se kjo do të ndihmonte në përdorimin më të mirë të fondeve të disponueshme të BE-së duke ofruar një sërë instrumentesh financiare.
Për Sabedin Kasamin, një fermer nga zona e Pollogut në Maqedoninë e Veriut, kostot fillestare të plotësimit të dokumentacionit, si dhe kostot financiare fillestare, janë shumë të larta.
“Si një fermer i përkushtuar, është e dhimbshme të shoh se këto sfida më pengojnë të marr fondet e nevojshme për të modernizuar edhe më shumë bujqësinë, si dhe për të kontribuar në rritjen e sektorit bujqësor në vendin tim”, tha Kasami për BIRN. “Shpresoj që autoritetet lokale dhe ato të BE-së do të krijojnë kushte më të lehta për ne fermerët.”