Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken vjen të enjten në Tiranë për një vizitë disa orëshe ku pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Sipas ekspertëve të politikës, vizita është e rëndësishme për aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA-të, por jo për politikën e brendshme.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vjen për herë të parë në Tiranë për një vizitë të shkurtër të enjten, ku pritet të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe të dalë në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama.
Vizita e një zyrtari të lartë amerikan është e rrallë dhe pritet gjithmonë me interes të lartë në një vend të vogël si Shqipëria, e cila e konsideron veten një aleate të palëkundur të Shteteve të Bashkuara që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller gjatë njoftimit të vizitës e cilësoi Shqipërinë “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”
Sipas DASH, vizita do të përqendrohet pikërisht tek e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor. Yuri Kim, e cila mban detyrën e zv.ndihmës sekretares së Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, e cilësoi vizitën një celebrim të partneritetit të Shqipërisë me SHBA-të.
Gjatë një konference telefonike me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien të martën, Kim tha se “vizita vjen pasi kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.
Kim, e cila ka shërbyer për disa vite si ambasadore në Tiranë, shtoi se Blinken do të falenderojë vendin për mikëpritjen e refugjatëve afganë.
Edhe për ekspertët shqiptarë të politikës, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, rolin e saj në rajon dhe marrëdhëniet me SHBA-të, por nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në aktualitetin politik të vendit.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike i tha BIRN se vizita është shumë e rëndësishme në kontekstin e zhvillimeve të viteve të fundit në Ballkan, risqeve që ka pasur destabilizimi në Ballkan dhe pasojat e konfliktit në Ukrainë.
“Një tregues i vëmendjes amerikane ndaj Ballkanit, një shenjë vlerësimi për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe mbështetjes që i ka dhënë nevojave amerikane siç është rasti i strehimit të refugjatëve nga Afganistani,” tha Krasniqi për arsyet e vizitës.
Sipas tij, ky është një rast për Shqipërinë për të reflektuar dhe për t’i parë marrëdhëniet me SHBA-të në mënyrë strategjike.
“Jo si marrëdhënie përfituese afatshkurtra, siç po i sheh qeveria shqiptare, por si marrëdhënie që bazohen mbi partneritetin, mbi shtetin e së drejtës, mbi lllogaridhënien dhe mbi një qajse më serioze mbi sfidat që përballet Shqipëria dhe rajoni,” shtoi ai.
Një vlerësim për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare e sheh këtë vizitë edhe Alba Çela, drejtore ekzekutive e Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë.
Sipas saj, vizita përçon disa mesazhe për Shqipërinë dhe Rajonin.
“Vlerësimin pozitiv për rolin e Shqipërisë së pari si një partner strategjik i SHBA-ve, së dyti për sa i përket situatës së sigurisë në Rajon, por edhe si anëtare e NATO-s,” thotë Çela duke shtuar, se gjithashtu tregon edhe mbështetjen e nivelit më të lartë për reformën në drejtësi.
Ndërsa për rajonin, sipas saj, vizita tregon një vijimësi të angazhimit të SHBA-ve për sigurinë dhe paqen përkundrejt zërave që aludojnë për një zbehje të interesave dhe angazhimit strategjik amerikan në Ballkan.
Çela e sheh gjithashtu vizitën si vlerësim për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, një rol që sipas saj, “në gjithë spektrin e diskutimeve dhe rezolutave për Ukrainën ka qenë i fortë, i përgjegjshëm dhe i përputhur me Shtetet e Bashkuara”.
Vizita e Blinken nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim në politikën e brendshme të trazuar të vendit.
Krasniqi thotë se, edhe pse vizita është e rëndësishme në kontekstin aktual politik për shkak se SHBA-të mbajnë flamurin kryesor për atë që quhet luftë ndaj korrupsionit në nivelet e larta duke përfshirë strukturat e reja të drejtësisë, nuk pritet të ketë ndonjë axhendë që lidhet me aktualitetin politik dhe një produkt të drejtpërdrejtë lidhur me këtë aktualitet.
“Ajo që konsiderohet krizë politike dhe që pala amerikane e ka bërë të qartë pozicionin e vet është nevoja e kthimit të parlamentit në normalitet, duke ndërlidhur dy elementë, qasjen më konstruktive dhe reformimin e saj dhe qasjen më konstruktive të mazhorancës për t’i ofruar mekanizmat ligjor dhe kushtetues opozitës në ushtrimin e funksioneve parlamentar,” theksoi Krasniqi.
Marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë u vendosën në vitin 1922, por ato pësuan një ndërprerje të gjatë gjatë regjimit komunist në vend dhe u rivendosën në vitin 1991 pas rënies së diktaturës.
Që nga ajo kohë, vendin e kanë vizituar shumë sekretarë të shtetit, duke nisur nga James Baker, Madeleine Albright, Colin Pawell, Hilary Clinton dhe John Kerry.
I vetmi president në detyrë që ka vizituar Shqipërinë është George W. Bush në vitin 2007, ndërsa ish-presidenti Bill Clinton erdhi në Tiranë verën e vitit 2023./BIRN